Pasi kaloi me kaloi me sukses turin gjysmëfinal duke mundur dy herë radhazi Gramshin, 0 me 1 në tranasfertë dhe 6 me 1 në shtëpi, Vllaznia e futbollit femra u kualifikua në finale për titullin kampion të sezonit 2025-2026.
Finale, të cilën do ta diskutojë me Apoloninë e Fierit, skuadër e cila eleminoi në gjysmëfinalen tjetër Partizanin.
Në këtë mënyrë Vllaznia dhe Apolonia do të përballen të premten e 29 majit në finalen e madhe të fazës “Final 4” për vajza, sfidë që do të përcaktojë edhe skuadrën kampione të edicionit 2025/2026. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke nisur nga ora 16:00, me Vllazninë, e cila vjen në këtë finale si kampionia në fuqi dhe me një sezon mjaft të mirë, ndërsa Apolonia synon të kurorëzojë një edicion pozitiv me fitimin e trofeut.
Të dyja skuadrat kanë treguar nivel të lartë gjatë gjithë kampionatit dhe premtojnë një finale të luftuar deri në minutën e fundit.
Megjithatë, edhe pse Apolonia konsiderohet një kundërshtar dhe rival i kahershëm i Vllaznisë, asnjë herë nuk ka arritur t’i rrëmbejë trofeun skuadrës shkodrane, e cila edhe në këtë edicion është përgatitur seriozisht për fitimin e titullit të 13-të kampionë radhazi duke vendoëur një rekord më vete.
Ajo që e bën të veçantë këtë finale, ka të bëjë me faktin se në krye të Vllaznisë së futbollit femra është trajneri pasionant dhe shumë profesional, Nikolin Leka, i cili pasi më herët ka fituar plot dhjetë tituj kampion si trajner i Vllaznisë së femrave, pasditen e së premtes, është në pritje të trofeut të 11-të kampion si trajner i Vllaznisë së futbollti femra.
Në pritje të kësaj ndeshje, skuadra kuqeblu është e grumbulluar në një nga hotelet në perife të qytetit të Shkodrës, ndërkohë që nga sa bëhet e ditur, për të motivuar skuadrën në realizimin e objektivit të titullit të 13-të kampion radhazi, presidenti i Klubit të Futbollit Femra Vllaznia, Lazër Matija, ka vendosur një premio të majme për futbollistet dhe stafin teknik.


