Saturday, May 18, 2024

Fitoi 4-0 ndaj Teutës, tekniku Shehi e konsideron tre pikësh morali!

Lexo

Tirana është kthyer tek fitorja, madje me rezultat bindës, siç ishte kjo e sotmja ndaj Teutës me rezultatin e thellë 4-0. Një fitore që për teknikun Orges Shehi, është një një tre pikësh morali.

“Në ndeshjet e fundit kemi marrë minimumin e pikëve dhe sot e kishim me doemos fitoren. Pastaj kur vjen edhe me lojë të bukur dhe me gola, atëherë edhe kënaqësia është e dyfishtë. Unë mendoj se fillimi ishte i vështirë pak se po bënim gjërat gabim, nuk po kërkonim shpejtësi. Edhe ashtu filluam të dalim para portës, luanim shpejt me Kallakun dhe Hasanin. Pastaj erdhi çlirimi nga goli, sepse po të shihni tranzicioni pozitiv ishte shumë mirë. Këtë duhej të bënim, për të kapur shpejt zonat bosh të kundërshtarit.

Dihet kalendari, kur është pushimi i kombëtares, ne na bën mirë fitorja edhe në aspektin psikologjik, kur nuk merr pikët për pritshmërinë, për 2-3 javë, skuadra hyn në krizë besimi dhe ajo është shumë e dëmshme në futboll, sidomos për ne, që jemi konfiguruar në fund. Pastaj kemi dy javë për të përgatitur derbin, kur dihet se çfarë rëndësie ka derbi për të gjithë aktorët brenda fushës dhe jashtë saj.

Nuk mendoj se ka kundërshtar të lehtë në Superiore, të gjithë skuadrat po tregojnë nga java në javë që të bëjnë dëm, ndëshkohesh për një episod. Kështu ishte me Vllazninë, një episod prishi të gjithë mënyrën e lojës. Nuk ka ndeshje të lehta. Teuta pavarësisht pozicionit që ka, mund të ringrihet.

Sa i përket Patrik, ai nuk është tipik për atë pozicion dhe nuk është ende në formë maksimale. Edhe sot u munduam të lëmë në fushë, por e dimë që nuk është lojtar që është fiks për atë pozicion por i prish ekuilibrat skuadrës kundërshtare dhe nga momenti në moment të vjedh kohën, ka intuitë dhe është i zgjuar, e shpresojmë që të futet në ritëm për të na ndihmuar që të luajë në pozicionin e tij.

Pozicioni natyral i Ismajlgecit është mbrojtës i majtë. Ne ishim të detyruar ta kalonim në të djathtë, se të gjithë në krahun e djathtë kishin probleme shëndetësore. Sot vendosa që të luante aty sepse Vila sulmon thellësinë shumë dhe duhej të dublonte topin pas shpine. Mendoj se ai luan shumë mirë në rolin natyral, por i thashë para ndeshjes se duhet të na ndihmosh dhe e bëri shumë mirë punën e tij”, tha ndër të tjera tekniku kryeqytetas, Orges Shehi në prononcimin e dhënë në mikrofonin e Over Sport, menjëherë pas ndeshjes.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img