Saturday, July 27, 2024

Fitorja ndaj Egnatias, tekniku i Tiranës, Orges Shehi, i kënaqur me skuadrën e tij. Beson në fitoren e titullit kampion

Lexo

Edhe pse skuadra kundërshtare kaloi e para në avantazh, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, nuk e humbi aspak besimin që Tirana do të arrinte ta fitonte ndeshjen. Në prononcimin e dhënë për Over Sport, menjëherë pas ndeshjes, Shehi përgëzoi futbollistët e tij, dhe u shpreh optimist në ecurinë e suksesshme drejt titullit kampion.

“Kur luan i fundit dhe të tjerët kanë bërë rezultatet e tyre, kjo të shton pak dëshirën, por edhe presionin. Këtë kemi kërkuar të menaxhojmë, e dinim që ishte ndeshje e rëndësishme me kundërshtar shumë të fortë e me organikë të pasur. Një ndeshje mes rivalësh, komplimente skuadrës për reagimin. Ndeshja shkoi 0-1, por shpirti i sakrificës, e karakteri, të luajnë bashkë, kjo skuadër di të mos dorëzohet edhe pse nuk jemi perfekt, kemi edhe ne gabimet tona.

Jam shumë i kënaqur për Abazajn se e kam thënë që po na ndihmon me gjendjen që ka, po stërvitet me sakrificë për të qenë në fushë. Me egon që ka pres sinjalin e tij kur do të dalë, e kam thënë që nuk është as në 70%. Sot tregoi që bën diferencën, jam i lumtur që pas këtyre peripecive kthehet në lojtarin kyç tonin duke shënuar dy gola.

E thashë që është ndeshje mes forcës së parë dhe të tretë të kampionatit, jo më kot janë këtu. Edhe kur u ndëshkuam ishte ekzekutim perfekt i sulmuesve të tyre, kanë cilësi kundërshtari kur të shënon. Sigurisht pastaj është pak vështirësi se ata luanin me 3 qendra e lojtarë krahu që shtynin, me Zejnullain që na bllokonte gjithmonë Aleksin. Filluam të dalim duke luajtur shkurt, ndryshuar krahët me mesfushorët e qendrës, morëm lojën në kontroll. Goli të bën të interpretosh më mirë. Në pjesën e dytë, gjithë problemin e pjesës së parë e zgjidhëm, nisëm lojtarët lart që të mos nisej kundërshtari nga poshtë, por të niste topin e gjatë. Në fund kundërshtari futi shtatlartët në fushë, rreziku ishte nga krosimet dhe kjo ishte arsyeja pse bëmë ndryshimet, hodhëm lojtarë me staturë të lartë për këtë rrezik. Është një fitore që na kënaq.

Këtë sezon kemi pasur shumë lëvizje dhe këto kanë bërë që të mos kemi vazhdimësinë e tillë. Sot bëmë 3 fitore rresht, në 5 ndeshje kemi marrë 13 pikë dhe e dimë që tani duhet të japim jo 100% por 200% se e kam thënë që nuk ka kohë për rikuperim dhe pikët janë të rëndësishme. Përpos të gjithë vështirësive që kemi pasur, mendoj se skuadra po bën mrekulli duke qenë gjithmonë e uritur dhe me dëshirë se ka të bëjë shumë. Kundërshtari ka cilësi, uria ia zvogëlon vlerat kundërshtarit.

Kur hyra në dhomat e zhveshjeve, lojtarët më bënë surprizë, kam 100 ndeshje me Tiranën dhe mendoj se është arritje dhe për këtë jam i kënaqur dhe i lumtur, me të gjithë bashkëpunëtorët, stafin e klubin që kemi këtë rrugëtim. Dimë që ka shumë ndeshje të vështira përpara, dhe e para është e javës që vjen tani. Lojtarët më dhuruan një fanellë me emrin tim me numrin 100. Patjetër që dhurata më e bukur ishte fitorja, i bëmë dhuratë vetes, mundit e djersës tonë. Gjithë kjo sakrificë na përkthehet në gëzim duke marrë të tjera ndjesi se në futboll dihet, por kur kjo është ajo që merr gjatë javës. Kjo është dhurata më e madhe”, u shpreh njëshi I pankinës bardheblu, pas ndeshjes, Tirana-Egnatia, e mbyllur me fitoren e bardhebluve, me rezultatin 2-1.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img