Flamurtari-Kukësi 2-0(Shënues: Ani Keneth 79’, Rodrigo Migone 90’)
Flamurtari ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen përmbyllëse të javës së nëntë në Kategorinë e Parë duke mposhtur Kukësin me rezultatin 2-0 në Vlorë.
Një sukses që nuk erdhi aspak lehtë për skuadrën e drejtuar nga Oltion Kërnaja e cila arriti të zhbllokonte rezultatin vetëm në minutat e fundit të takimit.
Për një kohë të gjatë Kukësi arriti t’u bëjë ballë vendasve duke mbajtur të hapur sfidën dhe duke shpresuar te një rezultat pozitiv.
Megjithatë në minutën e 79-të Flamurtari gjeti golin e avantazhit me anë të talentit nigerian Kenneth.
Fillimisht goditja e lojtarit të Flamurtarit u ndal nga portieri i Kukësit por topi u rikthye te Keneth i cili nga një pozicion i favorshëm nuk e pati të vështirë ta dërgonte në rrjetë.
Kur Kukësi po kërkonte të reagonte për të rikthyer baraspeshën Migone vulosi gjithçka në minutën 92-të duke shënuar golin e dytë dhe duke i dhënë fund përfundimisht dilemave për fituesin e kësaj përballjeje.
Me këtë triumf Flamurtari shkon në kuotën e 15 pikëve dhe ngjitet në vendin e tretë të renditjes vetëm tri pikë larg Ilirisë kryesuese.
Një fitore me vlera të mëdha për objektivat e vlonjatëve të cilët konfirmojnë ambicien për të qenë mes skuadrave pretendente për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.
Fatos LAMAJ


