Mposhti 3-1 Hamburgun, gjysmëfinalja tjetër, Lajpcig – Union Berlin, të mërkurën në RTSH Sport
Kupa e Gjermanisë ka mbërritur në stacionin e saj të parafundit, teksa të martën është luajtur dueli i parë i gjysmëfinaleve, ndërsa të mërkurën luhet ai i dyti. Kjo veprimtari është një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që ka sjellë fillimisht të martën duelin midis Hamburgut dhe Frajburgut. Dhe ka qenë skuadra mike që ka kaluar e para në epërsi që në minutën e 11-të, me anë të Petersenit. 6 minuta më pas, Hëfler dyfishon epërsinë e Frajburgut.
Në minutën e 35-të, skuadra mike do të fitojë edhe një 11-metërsh, të dhënë pas konsultimit me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), që shndërrohet në gol nga Grifo.
Ndonëse vendasit do ta gjejnë një gol 4 minuta më pas me Suhonenin, por që anulohet për pozicion jashtëloje, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë e 3-fishtë të miqve. Ajo e dyta do të sjellë vetëm një gol dhe atë dy minuta para fundit të kohës së rregullt për vendasit, që ishte më tepër një ngushëllim për Hamburgun.
Frajburgu mund Hamburgun 3-1 dhe siguron vendin në finalen e 21 majit 2022 në mitikun “Olimpiashtadion”, aty ku do të përballet me fituesen e çiftit tjetër, Lajpcig – Union Berlin, që ndeshen të mërkurën në mbrëmjen, në takimin që do të vijë drejtpërdrejt në RTSH Sport, duke nisur nga ora 20:45.