Friday, April 26, 2024

Futboll Amator-Kampionatet e futbollit të FSHF-sw, në 5×5, 9×9, 11×11 dhe Futsall me organizim tw ri pwr sezonin e ri

Lexo

Pas një sezoni të suksesshëm me kampionatet kombëtare të futbollit amator, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur organizimin për një edicion të ri, që pritet të ketë shumë risi në aspektin e pjesëmarrjes dhe cilësisë që do të ofrojnë kompeticionet e futbolli amator.

Shefi i Departamentit të Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, duke analizuar ecurinë e kampionateve të futbollit amator ka shpjeguar për të gjithë të interesuarit edhe kriteret që duhet të plotësojnë për të marrë pjesë në kampionatet e futbollit amator të organizuar nga FSHF, duke nisur nga kampionatit 9×9. Demneri bën me dije se regjistrimet do të nisin më 25 korrik, teksa konfirmon se interesi për të marrë pjesë në këtë kompeticion po vjen gjithnjë e më shumë në rritje.

“Jemi në prag të fillimit të sezonit të ri të futbollit amator, ku këtë vit kemi disa kompeticione dhe shumë risi. Kompeticioni i parë për nga rëndësia do të jetë kampionati i futbollit 9×9 ‘FSHF Sunday League Albania’ me regjistrimet që hapen më datën 25 korrik, ditën e hënë, ku do të marrin pjesë në total një numër prej 32 ekipesh. Për të marrë pjesë në kampionatin FSHF Sunday League Albania mjafton të kesh dëshirën për të luajtur futboll dhe të mos jesh një lojtar profesionist, por të jesh futbollist amator. Lejohen deri në 25 lojtarë për një skuadër dhe skuadrat duhet të jenë gjithmonë amatore, të kenë trajnerin e vet dhe të gjitha kushtet e tjera mundësohen nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ne u japim mundësinë e fushës, arbitra profesionistë, delegatët, mjekët sportivë, pra çdo detaj organizohet nga FSHF-ja në mënyrë që të gjithë futbollistët e përfshirë në këtë kompeticion të kenë mundësi të argëtohen duke luajtur futboll”, – thotë drejtuesit i Departamentit të Futbollit Amator në një intervistë për Fshf.org.

Më tej, Demneri flet edhe për kampionatin 5×5, ku ka pasur një rritje të madhe ekipesh dhe futbollistësh amatorë të interesuar për t’u bërë pjesë vit pas viti, ndërkohë që thekson se FSHF merr përsipër pjesën më të madhe të kostove për zhvillimin e ndeshjeve, që nga pagesat për fushat, zyrtarët, por edhe bazën materiale si uniformat apo topat për çdo ekip.

“Kampionati 5×5 vitin e kaluar ka pasur një numër të konsiderueshëm prej 140 ekipesh në të gjithë Shqipërinë, por në këtë edicion të ri pretendojmë që numri të jetë akoma më i madh, duke qenë se kemi qytete si Shkodra apo Vlora që kanë një rritje goxha të madhe të numrit të ekipeve. Gjithashtu, kemi Lezhën, Durrësin, Tirana që mban rekordin në numër regjistrimesh, dhe ky kampionat është pak a shumë i njëjtë me kompeticionin e 9×9, ku edhe këtu marrin pjesë futbollistët amatorë. Është një kampionat që ndihmon të rinjtë që të dalin nga rutina, nga puna apo për t’u larguar nga streset e përditshme. Sipas rregullores, çdo ekip mund të ketë maksimumi një numër prej 15 lojtarësh, të cilëve u garantohet uniforma e lojës, topat, pagesa e fushës, mjeku sportiv, arbitra profesionistë, delegatë dhe çdo shërbim tjetër. Të gjithë këto lojtarë, si për kampionatin 9×9 ashtu edhe për atë 5×5, regjistrohen në sistemin Comet, që përdoret nga FSHF për të gjitha kampionatet dhe çdo lojtar që merr pjesë në kampionatet amatore, mund të kontrollojë veten e vet në çfarëdolloj momenti për të parë renditjen e ekipit, golat e shënuar, kartonët, pra në aspektin organizativ çdo gjë është në nivel profesionist”, – shton Demneri, duke zbuluar edhe risinë kryesor të këtij edicioni, që është zhvillimi i një kampionati kombëtar amator 11×11.

“Vitin e kaluar në patëm edhe edicionin e parë të FSHF Sunday League Albania 11×11, që u realizua në Korçë, ku pati impakt dhe sukses të madh. Patëm 18 skuadra, që të gjitha nga qyteti i Korçës, ndërkohë që duke parë këtë shembull janë rritur shumë kërkesat nga qytetet e tjera për këtë kompeticion. Sivjet është menduar që të krijohet një kampionat kombëtar në formatin 11×11, që do të luhet në të gjithë Shqipërinë dhe do të ketë ekipe të nivelit amator. Se si do të jetë forma e lojës, mënyra e organizimit ne patjetër do t’i bëjmë me dije në periudhën në vazhdim, por është e sigurt që do të kemi një kampionat kombëtar 11×11”, – thotë ai për Fshf.org.

Në fund, shefi i Departamentit të Futbollit Amator në FSHF flet edhe për kampionatin e futbollit të sallës, që u rikthye sezonin e kaluar pas ndërprerjes së detyruar nga pandemia Covid-19 e që në këtë edicion të ri, do të ketë më shumë ekipe pjesëmarrëse. Sakaq, Demneri shpjegon edhe mënyrat se si të interesuarit mund të regjistrohen në kampionatet e futbollit amator të organizuar nga FSHF.

“Më datë 23 gusht për të dytin vit radhazi FSHF ka marrë përsipër mikpritjen dhe organizimin e ndeshjeve të Grupit G në fazën para-eliminatore të Futsal Champions League. Në këtë grup merr pjesë edhe kampionia e Shqipërisë, Tirana Futsal. Edhe për kampionatin e futsallës do të nisin shumë shpejt regjistrimet dhe aty patjetër që kemi pritshmëri të mëdha, që të rrisim numrin e lojtarëve që luajnë futsall, sepse është një disiplinë pak më ndryshe se 9×9 apo 5×5, por që kemi një dëshirë shumë të madhe që të rrisim numrin e ekipeve pjesëmarrëse në kampionat, pasi kemi parë një interes të madh nga lojtarët për t’u bërë pjesë e futbollit të sallës. Dhe ne patjetër që do të përpiqemi ta masivizojmë sa më shumë. Përveçse synojmë të rrisim numrin e ekipeve, ne duam edhe të rrisim cilësinë e kampionatit, sepse kërkesa për të shtuar numrin e ekipeve janë të shumta, por do të mundohem të jemi sa më të kujdesshëm në pjesën e seleksionimit për të patur një nivel sa më të mirë dhe fair-play. E rëndësishme është që pjesëmarrësit në këtë kampionat të mund të argëtohen sa më shumë. Është shumë e thjeshtë të regjistrohesh në kampionatet e futbollit amator të FSHF-së. Mjafton të hysh në faqen zyrtare në internet të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe aty mund të gjesh mënyrat e kontaktit dhe me një e-mail të thjeshtë ju mund të merrni përgjigje për çdo pyetje apo kërkesë për informacion si mund të regjistrohen në këto kampionate”, – deklaroi Jurgen Demneri në intervistën e tij.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img