Federata Shqiptare e Futbollit kishte planifikuar të zhvillonte një ndeshje miqësore në mes kombëtares shqiptare të futbollit të femrave dhe kombëtares së Kenias. Por, burimet pranë FSHF-së, bëjnë të ditur se kjo miqësore nuk do të zhvillohet, dhe sipas të njëjtit burim, arsyeja e moszhvillimit të kësaj miqësoreje ka të bëjë me mos pajisjen në kohën e duhur të futbollisteve afrikane me vizat shqiptare.
Ndeshja në fjalë, ishte planifikuar të luhej këtë mesjavë në stadiumin “Elbasan Arena”, ku për futbollistet kuqezi të drejtuar nga trajneri shkodran, Armir Grima, do t’i shërbente testimit të skuadrës, ashtu siç bëri edhe pak ditë më parë me miqësoren kundër Maqedonisë së Veriut, të cilin e fitoi me rezultatin, 3-1.