Krahas futbollit të meshkujve, starti i të cilit është me datë 14 janar, një javë më pas do të nis aktivitetin e tij edhe futbolli i femrave. Departamenti i sektorit të futbollit të femrave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka planifikuar që me datë 22 janar të nisin ndeshjet për kompeticionin e Kupës së Shqipërisë.
Nga sa bëhet e ditur, turi i parë do të luhet me dy takime, vajtje dhe ardhje, ndeshjet e para me 22 janar dhe të dytat me 29 janar, ku do të përcaktohen skuadrat e kualifikuara në turin e dytë, ndeshjet e të cilit janë planifikuar pastaj të luhen në muajin shkurt, konkretisht me datë 5 dhe 12 shkurt.
Në garë për turin e parë, janë tetë skuadrat e para të renditura pas javës së parë të kampionatit: Vllaznia kryesuese, për të vijuar me Tiranën, Apoloninë, Partizanin, Kinostudion, Teutën, Laçin dhe Kukësin. Ndërkohë, dy skuadrat e fundit të tabelës së klasifikimit, Skënderbeu dhe Lushnja, janë lënë jashtë skemës së Kupës së Shqipërisë.
Sipas formulës së miratuar nga drejtuesit e sektorit të femrave në FSHF, Vllaznia kryesuese e fazës së parë do të ndeshet me vendin e tetë që aktualisht është Kukësi. Ndeshja e parë e datës 22 janar do të luhet në fushën e Kukësit, ndërkohë që ajo e kthimit që vendos edhe ekipin kualifikues, një javë më pas në Shkodër.
Për Vllazninë, nëntë herë fituese e Kupës së Shqipërisë, po aq sa ka edhe tituj kampion, kundërshtari i turit të parë konsiderohet modest. Megjithatë, në kampin kuqeblu e kanë vlerësuar seriozisht përballjen me verilindorët, por edhe të tjerat në vazhdim, me objektiv për të fituar trofeun, që nëse realizohet është i dhjeti për Vllazninë e femrave.
Pasi kanë mbyllur angazhimin në ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve të Europës, futbollistet kuqeblu për momentin po shijojnë pushimet e ndërrimit të viteve, ndërkohë që përgatitjet zyrtare për ndeshjet e Kupës fillojnë të hënën e ardhshme. Tre çiftet e tjera të turit të parë të Kupës së Shqipërisë në futboll femra, janë: Teuta-Tirana, Laçi-Apolonia dhe Kinostudio-Partizani.