Kampionati Kombëtar i futbollit për femra, luajti këtë fundjavë ndeshjet e javës së 7-të. Asnjë surprizë nga Tirana e Vllaznia, dy ekipet që renditen në vendin e parë dhe të dytë të klasifikimit me të njëjtën kuotë pikësh.
Pas ndeshjes së mesjavës në Paris, kundër francezeve të Paris Saint-Germain, me tu kthyer në Shqipëri Vllaznia udhëtoi drejt Tiranës, ku luajti sfidën e javës së shtatë kundër Kinostudios. Shkodranet morën tre pikëshin e radhës në kampionat, duke triumfuar kundër kryeqytetaseve me shifrat 0-7 falë dopietave të Jehona Shalës, Ersi Lufos dhe Megi Doçit, si dhe një gol tjetër me 16 vjeçaren e talentuar, Klaudja Borçi.
Ndërkohë, rivalja direkte e Vllaznisë, Tirana triumfoi me goleadë kundër Lushnjes duke e mundur ekipin myzeqar me rezultatin 19-0. Një sfidë e lehtë për kryeqytetaset, të cilat këtë sezon e kanë nisur shumë mirë kampionatin, ndërsa Lushnja ende nuk e kanë bërë ‘sefte’ këtë edicion,
Në takimet e tjera, Apolonia mundi Skëndërbeun në shtëpi me shifrat 7-0, në një sfidë ku dominuan totalisht fieraket, të cilat kaluan në avantazh që në minutën e 17-të me Valentina Trokën, e cila e mbylli ndeshjen me 6 gola të shënuar. Për Apoloninë shënoi dhe Kea Hamonikaj duke i dhënë kështu një tre pikësh shumë të rëndësishëm fierakeve, të cilat pas shtatë javësh renditen në vendin e tretë, me 6 fitore dhe një humbje.
Partizani u rikthye te fitorja pas barazimit në shtëpi me Laçin javën e kaluar. Kryeqytetaset mundën Kukësin në transfertë me shifrat 0-6, duke u renditur në vendin e pestë me 10 pikë pas shtatë javësh. Në takimin tjetër të javës, Laçi – Teuta triumfuan vajzat durrsake 1-2 me përmbysje, me Laçin që kishte kaluar në fillim në avantazh me Cakën ndërkohë që Teuta përmbysi falë dopietës së Estrela Habilit.
Rezultatet e javës së 7-të të Kampionatit Kombëtar të femrave
Apolonia 7-0 Skënderbeu
Kukësi 0–6 Partizani
Laçi 1–2 Teuta
Tirana 19–0 Lushnja
Kinostudio 0-7 Vllaznia
Renditja pas javës së shtatë të Kampionatit
Vllaznia 21 pikë
Tirana 21 pikë
Apolonia 18 pikë
Kinostudio 12 pikë
Partizani 10 pikë
Kukësi 6 pikë
Teuta 6 pikë
Skënderbeu 3 pikë
KF Laçi 1 pikë
Lushnja 0 pikë