Friday, April 26, 2024

Futboll Femra-Vllaznia shpallet kampione për U16. Kuqeblutë mundën në finale Teutën me penallti

Lexo

Pas fitimit të dy trofeve radhazi në futboll femra nga ekipi i parë i Vllaznisë, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, Klubi i Futbollit Femra bën të vetin edhe titullin kampion për kategorinë U-16. Sukses ky që konfirmon më së miri dominimin total që Shkodra ka në futbollin e femrave.

Titulli kampion për Vllazninë e femrave të kategorisë së 16 vjeçarëve regjistrohet në të parin edicionin të organizuar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit në kampionatin e grupmoshës U-16, një edicion risi që ngriti siparin në muajin shkurt të këtij viti.

Shkodranet arritën të fitonin titullin e parë kampion për këtë grupmoshë, pasi mundën në finale Teutën e Durrësit, në një ndeshje që nuk prodhoi asnjë gol në kohën e rregullt, duke u mbyllur me porta të paprekura. Disa raste të humbura nga të dyja skuadrat, me nën 16 vjeçaret të cilat përballë një finaleje të tillë ishin edhe nën trysninë e emocioneve të mëdha.

Skuadrat iu drejtuan pikave të bardha të penalltive, me Vllazninë që u tregua më e saktë, duke triumfuar me shifrat 4-3 përmes 11 metërshave.

Ky ka qenë një kampionat mjaft special, në kuadër të mbështetjes për masivizimin e futbollit të femrave, një prioritet absolut i Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka incentivuar jo vetëm financiarisht ekipet e femrave, por edhe materialisht.

Kampionati U-16 për femra ishte i organizuar në dy grupe, A dhe B me 12 skuadra në total. Gara zgjati 10 javë, me ndeshjet që u zhvilluan me sistem vajtje-ardhje dhe në fund, dy ekipet e renditura më mirë në secilin grup kaluan në fazën play-off, duke zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale, për të përcaktuar më tej finalen e madhe, ku Vllaznia ia doli të kurorëzohej kampione e këtij sezoni të parë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img