Kjo javë e Superligës së moshave për ekipet e moshave të Akademisë Vllaznia nuk ka shkuar si duhet. Të dy ekipet, U-17 dhe U-19 kanë luajtur në transfertën e kryeqytetit përballë Shkëndisë së Tiranës dhe janë mundur që të dy. 17 vjeçarët kanë humbur me rezultatin 3 me 1, ndërsa 19 vjeçarët me rezultatin 4 me 0. Për ekipin U-17, i cili në këtë sezon nuk ka qënë në pritshmëritë e duhur edhe mund të jetë pritur një humbje e tillë. Por, ajo që ka bërë më shumë përshtypje është humbja e pësuar me shifra të thella 4-0 nga ekipi U-19, i cili kryeson për javë të tëra kampionatin e kësaj grupmoshe në Grupin A.
Referuar kronikës së ndeshjes së 17 vjeçarëve duhet thënë se skuadra vendase e Shkëndisë së Tiranës ka kaluar shumë shpejt në avantazh, që në minutën e 3-të me autor Selmanin. Më pas nuk ka gol tjetër deri në mbyllje të pjesës së parë, e cila mbyllet kështu me rezultatin 1 me 0 për vendasit. Skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi bën përpjekjet e duhura për të reaguar në kërkim të gjetjes së golit të barazimit, por nuk ka forcën e duhur ta realizojë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, Shkëndija arrin të shënojë edhe dy gola të tjerë në këtë pjesë loje, në të 50-tën me anë të Gjonajt dhe 67-tën me Kasmellarin duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me fitore 3-1.
Pas 17 vjeçarëve, me humbje e kanë mbyllur takimin edhe 19 vjeçarët e Vllaznisë, të cilët pas një seri ndeshjes pozitive ndalen nga rivali direkt për kreun, Shkëndija e Tiranës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani ka pësuar 4 gola duke mos mundur të shënojë asnjë në portën kundërshtare.Pjesa e parë mbyllet me rezultain 1 me 0 për vendasit me gol të shënuar nga Konomi në minutën e 36-të. Ndërkohë, në 45 minutat e pjesës së dytë, Shkëndija shënon edhe tre herë të tjera me anë të Zunës me penallti në minutën e 58-të, Hahitit në të 68-tën si dhe Goga në minutën e 75-të duke vulosur fitoren 4 me 0 në favor të Shkëndisë së Tiranës.
Në takimet e tjera të kësaj jave, për grupmoshat U-17, Shkodra ka barazuar me Tiranën 0-0 dhe po ashtu në barazim, por me gola 1-1 mbyllet ndeshja Partizani-Laçi Ndërsa, për kategorinë U-19 kemi përsëri barazim të KF Shkodra 0-0 me Tiranën, ndeshje këto të luajtura në fushën sportive të Barbullushit. Ndërsa, Partizani mundi Laçin 4-2.