Sunday, December 1, 2024

Futboll moshat-KF Shkodra, 1 fitore dhe 1 barazim në transfertë me Shkëndinë e Durrësit

Lexo

Dy ekipet respektive U-17 dhe U-19 të Klubit të Futbollit Shkodra, të cilat luajnë në kampionatin e kategorisë Superiore të moshave për javën e parë të fazës së dytë ishin mysafirë në Durrës duke u ndeshur me dy ekipet vendase të Shkëndisë së Durrësit. Pas zhvillimit të këtyre ndeshjeve, ekipet në fjalë kthehen në Shkodër me bilanc pozitiv duke fiksuar 1 barazim dhe 1 fitore. Duhet theksuar se kundërshtarët me të cilët u ndeshën ekipet e KF Shkodra përfaqësojnë shkollën e Mjeshtrisë Sportive të Durrësit, që do të thotë se në këtë institucion, ashtu si edhe në shkollën tjetër të Mjeshtrisë Sportive në Tiranë i kushtohet një rëndësi e madhe sportit dhe kryesisht futbollit. Por, nga ana tjetër, edhe kundërshtari i Shkëndisë së Durrësit, KF Shkodra, është një klub tashmë me traditë sidomos në punën me elementin e ri, gjë që e ka dëshmuar me emrat e spikatur që ka nxjerrë në vite nga ekipet zinxhir.

Kategoria e 17 vjeçarëve ishte e para që u ballafaqua në fushën e lojës dhe skuadra e KF Shkodra me trajner Arbion Kopliku bëri një paraqitje shumë të mirë. Barazim 0 me 0 ka përfunduar kjo ndeshje, por nisur nisur nga epërsia dhe rastet e shumta për shënim që u shfaqën gjatë ndeshjes, Shkodra e meritonte fitoren.

Menjëherë pas kësaj ndeshje, në fushë janë paraqitur skuadrat e 19 vjeçarëve, Shkëndia e Durrësit dhe të KF Shkodra. Një ndeshje kjo shumë e dyluftuar nga të dyja skuadrat, ku pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0. Në barazim ka vijuar për shumë minuta edhe pjesa e dytë derisa vijmë në minutën e 82-të kur Preka shënon për Shkodrën golin e avantazhit, i cili qëndron në fuqi deri në mbyllje të të gjithë takimit duke siguruar fitoren me rezultatin 0-1 për KF Shkodra.

Kështu, futbollistët e KF Shkodra U-19 të drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi dhe kolegu i tij Arbion Kopliku, pasi bënë një përfaqësim shumë të mirë në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë duke shkuar deri në çerekfinale, tashmë me këtë fitore i bëjnë një nisje mjaft të mirë fazës së dytë me objektivin për të qënë mes skuadrave më të mira të kampionatit të Superiores së moshave.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img