Nuk ka pushim për Kategorinë Superiore. Futbolli shqiptar rikthehet sërishmi mesjavën e ardhshme me të tjera emocione. Sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka planifikuar që me datë 3 mars të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 22-të. Mes çifteve të kësaj jave spikat dueli që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” në mes Teutës vendase dhe Vllaznisë mysafire. Një përballje pretendentësh, me kuqeblutë kryesues të tabelës së klasifikimit me 41 pikë dhe Teuta e treta me 4 pikë më pak, synimet e së cilës janë për të kapur Vllazninë. Ashtu siç të njëjtin synim ka edhe Partizani i vendit të dytë me 3 pikë më pas se sa shkodranët.
Kukësi-Laçi është një tjetër sfidë për t’u parë. Skuadra e verilindore e drejtuar nga Mirel Josa nuk është dorëzuar akoma dhe ngjitjen në tabelë e kërkon me një rezultat pozitiv pikërisht ndaj Laçit që mban vendin e tretë me pikë të barabarta me durrsakët.
Për bardheblutë mbetet për t’u parë që 3 pikëshi i parë në Shkodër ishte një rastësi, apo do ta përsërisë një gjë të tillë edhe ndaj Bylisit në “Selman Stermasi” duke pasur si synim kapjen e katërshes europiane.
Partizani me ambicjen e shfaqur hapur për në luftën për titull është mysafir në Fier përballë Apolonisë që kërkon pikët e mbijeteses.
Ndërkohë, korçarët presin në shtëpi Kastriotin me synim marrjen e pikëve të plota për t’iu larguar fundit të tabelës së klasifikimit ku janë aktualisht me 13 pikë.
JAVA E 22-TË E KATEGORISË SUPERIORE
TIRANA-BYLIS (ora 13:00)
APOLONIA-PARTIZANI (ora 13:00)
SKËNDERBEU-KASTRIOTI (ora 13:00)
TEUTA-VLLAZNIA (ora 16:00)
KUKËSI-LAÇI (ora 16:00)