Friday, April 19, 2024

Futboll Superiore/Java e 32-të luhet në dy ditë, starton të premten me sfidën Kukësi-Vllaznia dhe vazhdon të shtunën me katër çiftet e tjera

Lexo

Kampionati i 82-të Kombëtar i Futbollit, Kategoria Superiore vazhdon rrugëtimin e tij me javën e 32-të, ndeshjet e të cilit do të luhen në dy ditë, të premten dhe të shtunën. Betejat e kësaj jave nisin me çiftin Kukësi-Vllaznia, sfidë e cila është programuar të luhet pasditen e së premtes në stadiumin “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 18.00. Kjo do të jetë ndeshja e vetme për ditën e premte, ndërkohë që të shtunën do të luhen katër çiftet e tjera të Superiores, të cilat, sipas kalendarit të miratuar nga Federata Shqiptare e Futbollit janë programuar në dy orare. Tirana-Kastrioti dhe Apolonia-Laçi, startojnë në orën 16:00, ndërkohë që dy sfidat e tjera, Teuta-Bylis dhe Skënderbeu-Partizani në orën 19:00.

E parë në kompleks, në varësi të kundërshtarëve që janë përballë njëri tjetrit, ballafaqimi i së premtes, Kukësi-Vllaznia duket  më rivalizuesi, të paktën në letër, kur kemi parasysh potencialin e të dy skuadrave. Edhe pse aktualisht Kukësi nuk është në rolin e liderit duke lëshuar shumë terren në renditje, përsëri skuadra e Josës meriton vemendjen e duhur. E ndërtuar për trofe në fillim të sezonit, përvoja dhe brumi që ka në formacionin e saj i jep mundësinë të godasë në çdo moment, siç e ka bërë edhe brenda në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë.

Është kjo arsyeja që skuadra kuqeblu e ka vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje duke preferuar të fillojë përgatitjet për këtë sfidë që prej ditës së martë, vetëm pak orë pas sfidës të së hënës me durrsakët në “Loro Boriçi”. Tekniku Brdariç së bashku më ndihmësit e tij, Plori, Osja dhe Lekiqi, ka komoditetin e të pasurit në dispocion të të gjithë kontigjentit të futbollistëve. Ndaj, në transfertën e Elbasanit, Vllaznia udhëton me objektiv vetëm marrjen e tre pikëshit, pasi vetem në këtë mënyrë mund të rikuperojë pesë pikët e lëna në dy ndeshjet e fundit, humbjen me Tiranën në transfertë dhe barazimin në shtëpi me Teutën për të vijuar të mbesë në rolin e pretendentes për titull.

Ndërkohë, jo pa interes paraqiten edhe sfidat e tjera, të cilat përballin emra kryesuesish të zonës europiane me ekipe që luftojnë për mbijetesë. Ndër to, më së shumti spikasin dy ballaqimet  e Durrësit dhe të Korçës, Teuta-Bylis dhe Skënderbeu-Partizani.

Java 32-të

Të premten

Kukësi-Vllaznia 18:00

Të shtunën

Tirana-Kastrioti 16:00
Apolonia-Laçi 16:00
Teuta-Bylisi 19:00
Skënderbeu-Partizani 19:00

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img