Saturday, April 20, 2024

Futboll-Superiore U-21/Vllaznia-Bylis 0-5, dy shkodranë, Qardaku-Preka, mundin ish skuadrën e tyre dhe shpallen kampion me ballshiotët

Lexo

Vllaznia-Bylis, ishte ndeshja më e rëndësishme e javës së 25-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për Kategorinë Superiore të 21 vjeçarëve. Ballshiotëve kryesues të tabelës së klasifikimit u mjaftonte edhe barazimi për tu shpallur kampionë. Ndërkohë, një fitore e Vllaznisë i jepte shansin kuqebluve që në javën e fundit të pretendonte të fitimin e titullit. Ishte kjo arsyeja, që kjo supersfidë e 21-vjeçarëve është ndjekur prej së afërmi nga i tërë stafi kuqeblu, duke filluar nga kupola e klubit, sponsori Alban Xhaferi, trajneri Thomas Brdariç me të gjithë kolegët e tij, si dhe thuajse të gjithë titullarët kuqeblu të Vllaznisë së Superiores. Edhe në kampin ballshiot nuk mungonte interesimi, pasi skuadrën e kishte shoqëruar një delegacion i zgjeruar me në krye presidentin Besnik Kapllani. Ndërkohë, për t’u theksuar është se ndeshjen në fjalë e ka ndjekur nga minuta e parë deri në fund edhe trajneri i kombëtares U-19, Armando Cungu duke vëzhguar me laps dhe bllok në dorë disa futbollistë 19 vjeçarë që ishin në fushën e lojës për të dyja skuadrat respektive.

Ndeshja

Ballafaqimi në fushën e lojës ka pasur vetëm një protagonist, skuadrën ballshiote, e cila me dy shkodranë të talentuar në formacionin e saj, si sulmuesi Eridon Qadaku dhe qendërmbrojtësi Marçelino Preka, e domoninoi takimin. Ndeshja fillon me gol për Bylisin, kur që në minutën e dytë shënon me anë të Spahiut, ndërkohë që me golin e shënuar nga shkodrani Eridon Qardaku në të 15-tën minutë avantazhi ballshiot shkon në 0 me 2. Një minutë përpara se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshje, janë miqtë që shënojnë përsëri, këtë radhë me anë të Ujkës duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 0-3.

Kur pritej që në 45 minutat e dyta të kishte një reagim të skuadrës kuqeblu kundrejt një rezultati befasues për to, ndodh e kundërta, pasi janë përsëri miqtë që shënojnë edhe dy herë të tjera me anë të Carkanjit dhe Seminit, përkatësisht në minutat 73-të dhe 84-t duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me rezultatin e thellë 0 me 5 në favor të tyre. Fitore kjo që e shpallë Bylisin një javë përpara mbylljes së sezonit, kampionë të Shqipërisë.

Trajneri i Vllaznisë, Fatjon Hasani, reagon ndaj gjykimit

Në prononcimin e dhënë për mediat menjëherë pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Fatjon Hasani, reagon ndaj gjykimit të ndeshjes, ku sipas tij ndikoi në rezultatin e takimit.

“Ishte një ndeshje që u vendos për mendimin tim nga arbitrat, me gol offside dhe një penallti të padhënë në favorin tonë. Kështu që me dy gola diferencë në humbje, ndërkohë që Ballshi dilte kampion edhe me barazim, ne nuk mund t’i pritnim më dhe do sulmonim duke lënë hapësira mbrapa në kërkim të golit, por arbitrat për mendimin tim vendosën ndeshjen.

Përtej kësaj duhet thënë se futbollistët e mi kishin përballë bashkëmoshatarët e tyre që luajnë edhe ato në Superiore dhe ishte dita e tyre të përballeshin njëri me tjetrin  dhe t’i kërkojnë gjërat në fushë dhe jo jasht saj. Gjithsesi, edhe pse jemi të mërzitur nga rezultati, ne e kemi arritur objektivin tonë, sepse kemi disa lojtarë që janë interesant, por do të presim në ditët në vazhdim”, theksoi trajneri i Vllaznisë, U-21, Fatjon Hasani.

Në ndeshjet e tjera të ditës së sotme në kuadrin e javës së 25-të u arritën këto rezultate: Tirana-Turbina 5:0, Dinamo-Kukësi 1:2, Futboll Republik-Laçi 5:7.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img