Saturday, April 27, 2024

Gentian Selmani, modeli i përkushtimit sportiv për të rinjtë

Lexo

Prof.dr. Xhevdet Zekaj

Gentian Selmani është një nga pak portierët elitarë që ka nxjerrë futbolli shqiptar në dekadën e fundit. “Latimin” final në këtë rol e mori te Laçi, ku ishte edhe kapiten, para se të provonte eksperiencën e huaj në Turqi. Falë mbështetjes së madhe të babait dhe familjes, që ka në aktivitet sportiv tre fëmijë (vëllezër), Selmani i portës i mahniti të gjithë me paraqitjet dhe pritjet e tij.

Me meritë të plotë ai ishte “gardiani” i Shpresave për disa vite, ku garantoi vazhdimësinë edhe në kombëtaren e madhe.

Nuk kishte si ndodhte ndryshe me aftësitë e treguara prej tij në “kuadrat”. Fk. Laçi ia pa hajrin më shumë se kushdo tjetër, duke e pasur lider të padiskutueshëm në Superiore, në fitimin e Kupës së Shqipërisë, por edhe kualifikimet e rregullta në Kupat e Europës.

Presidenti Pashk Laska mbetet avangard i promovimit të elemetëve të rinj, por dhe një mjeshtër i merkatos e shitjeve të suksesshme.

Genti Selmani një  “xhevahir” të cilin Pashk Laska e gradoi si lider të klubit të tij, duke njohur mirë vetitë jo vetëm sportive, por edhe njerëzore të Gentianit. Një portier që ia la të gjitha dyert hapur vetes te kurbinasit, të cilët krenohen me të si emblemë.

Për pasojë, sipas parimit të njohur “guri i rëndë peshon në vendin e vet”, Selmani nuk u tundua nga askush tjetër në Superiore, por vendosi të bashkohet sërish me Laçin merkaton e dimrit ashtu si dhe gjigandi i sulmit Bekim Balaj tek Vllaznia.

Kthimi nga Turqia për të pasur aktivizim të rregullt, në funksion të ambicies kuqezi, në kontekstin kur Strakosha dhe Berisha po kalojnë momente aspak të mira me klubet e tyre, dëshmojnë karakterin e fortë sportiv të këtij futbollisti.

Pra, Genti vendos mbi paratë (siç bëjnë shumica e kolegëve) aspektin sportiv, të karrierës, çka e bën të veçantë vërtet. Ka yje të mëdhenj që ngrohin stolat, vetëm që të mos heqin dorë nga pagat e majme, ndërsa Selmani ka një “yll polar”: karrierën, aktivizimin e rregullt, ruajtjen e vendit në kombëtaren e madhe kuqezi.

Ambicie më stoike për kohën nuk mund të kishte, ndaj kthimi i tij në Superiore dhe te Laçi duhet përshëndetur. Tifozët kurbinas, por jo vetëm, do të kenë mundësinë të shijojnë sërish nga afër aftësitë e një portieri shumë cilësor, të kalitur përmes vështirësish, modestisë, ndihmës së pakursyer të babait por dhe nënës fisnike që përkujdeset për të Gentin, Adolfin dhe Brajan që mos tu mongoj asnjë gjë.

Të bëhesh sot futbollist nuk është aspak e lehtë. Stërvitja e përditshme, regjimi, shkolla, sakrificat e familjes… Ndaj kthimi i Selmanit në futbollin shqiptar është një festë e madhe. Është cilësi e krijuar me punë, është talent, është përkushtim në fushë, ndaj duhet marrë si model për brezin e ri.

Gent Selmani  nuk zgjodhi rrugën, veset e këqija të saj, të rrinte shtrirë dhe me celular në dorë tërë ditën, sepse kushtet për të jetuar mirë i kishte. Ai mund të bëhej sipërmarrës i suksesshëm si babai, por zgjodhi punën e palodhur, ndoqi pasionin e madh dhe u bë portier i kombëtares.

Një trajektore që duhet të fusë në mendime gjithë të rinjtë tanë, të cilët ose kalojnë ditët kafeneve, ose ikin fare nga ky vend. Gentiani është një shembull për pushtetet vendore në Laç dhe Krujë, se talentet janë kudo, por duhen evidentuar, mbështetur dhe kthyer në modele suksesi. Çfarë imazhi më të mirë se Gentian Selmani mund të jetë më i mirë për to? Asnjë tjetër.

Me kthimin e tij te fanella bardhezi, Laçit i janë hapur të gjitha mundësitë për të shkuar sërish në Kupat e Europës. Një “dhuratë nag qielli” për Pashk Laskën. Nuk është pak kjo gjë, që t’i fillosh ndeshjet me një portier të sigurt, që oriention dhe frymëzon gjithë skuadrën.

Një model për të rinjtë, një produkt i “bekuar” nga legjenda Perlat Musta, i cili e ka këshilluar rregullisht, por edhe krenari e babait, që e ka ndjekur hap pas hapi, e ka mbështetur fuqimisht, por pa ndërhyrë si shumë prindër të tjerë te trajneri, presidenti etj.

Fundja, Gentiani është meritë e talentit dhe punës së vet të admirueshme, ndaj po i themi “mirë se u ktheve në Superiore”!

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img