Sunday, May 19, 2024

Gjiganti Arben Dervishaj dhe lili(m)putët mediatikë-Nga Prof. Dr. Xhevdet Zekaj

Lexo

Ishte ngritur një artileri e rëndë ndaj Arben Dervishajt. Gazetarë, opinionistë, portale, gazeta, televizione; gjithfarë pseudo-investiguesish kishin vjell vrerë ndaj tij. Të gjithë sajuan e sajuan si te pëlhura e Penelopës, e anatemuan si të korruptuar, nuk lanë epitete pa përdorur për ta përkufizuar sipas “gjyqeve popullore” të kohës së dikurshme, kur në fakt ai ishte, sikurse rezultoi edhe nga vendimi i gjykatës, krejt i pafajshëm. Thjesht u përdor nga një pjesë e drejtësisë së re, ajo e akuzës, për të thënë se po bën drejtësi për inceratorët. Pra, ishte “kokë turku” propagandistike e drejtësisë që nuk merret dot me “peshqit e mëdhenj”, por bën “kurbanë” të pafajshëm, edhe profesorë të nderuar si Arben Dervishaj.

Ne si “Xhoda Sport” e kemi nënvizuar qysh ditën e parë të arrestimit, por edhe pasi kemi konsultuar dosjen e prokurorisë speciale, se Dervishaj ishte i pafajshëm, se nuk kishte asnjë provë që e lidhte me atë që akuzohej. Na vjen shumë mirë që gjykata ka konstatuar pafajësinë e inxhinierit të spikatur Arben Dervishaj në gjykimin për incenerarorin e Fierit.

Lirimi i tij në sallën e gjyqit ishte i duhuri. Në fakt duhej të ishte liruar që kur e arrestuan. Ishte gabim trashanik arresti ndaj tij, ende më trashanike akuza për një krim që lidhet me detyrën publike, që ai nuk e kishte.

Zoti Dervishaj doli i pafajshëm, pa asnjë përgjegjësi për çfarë akuzohej “majë krahu” nga prokurorët përkatës të çështjes. Pavarësisht muajve të kaluar në burg pa asnjë faj, kthehet mes nesh si qytetar i lirë, i pakorruptuar, profesor i nderuar dhe i respektuar, familjar i shkëlqyer, babai dhe prindi i devotshëm. Të gjithë llapaqenët, që nuk lanë akuzë pa e lidhur me të, duhet t’i ulen në gjunjë tashmë dhe t’i kërkojnë falje. Nëse baltoset kështu një profesor i nderuar, një inxhinier i zoti, një sipërmarrës i suksesshëm, imagjiononi se çfarë i bëjnë lili(m)putët mediatikë, gjithollogët që shëtisin ekraneve si dikur estrada e cirkut nëpër Shqipëri, një qytetari tjetër të zakonshëm. Përtej asaj që do të kërkojë Dervishaj me të drejtën e zotit, të ligjit dhe imazhit që duhen pastruar për burgosjen e padrejtë, e tërë shpura e atyre që bëjnë edhe hetuesin, edhe prokurorin, edhe gjykatësin duhet t’i kërkojnë falje publike. Ata që bëjnë investiguesin “majë krahu”, gjithollogun, që e sulmuan edhe për postin që mbante në futbollin shqiptar, si zv.president i FSHF-së, le të ndjehen sot të turpëruar, mëkatarë pa din e iman. Se çfarë lidhjeje kishte inceratori i Fierit me futbollin, postin që mbante Dervishaj në FSHF, hajde e merre vesh. E drejta vonon, por triumfon. Kauza e së vërtetës në këtë rast pa dritën në fundin e tunelit, ku Dervishaj përfundoi në mënyrën më të pamerituar. E megjithatë, ai nuk u qa, nuk u ankua, nuk angazhoi portale, gazeta apo televizione për të vërtetuar publikisht se nuk kishte asnjë lidhje me çfarë akluzohej, por priti me stoicizëm vendimin e asaj që bën realisht drejtësi: gjykata. Natyrisht, hoqi të zitë e ullirit nëpër paraburgime, kur duhej të ishte duke mësuar studentët e tij në universitet, kur duhet të ishte pranë gruas dhe fëmijëve, familjes së ngushtë dhe të gjerë, shokëve, miqve e të dashurve. Pagoi një çmim jo të vogël psikologjik, por edhe fizik tërë këto muaj në izolim, por luftoi me drejtësi dhe për drejtësinë. Nuk pranoi as gjykim të shkurtuar, nuk bëri sikur ishte i sëmurë që të përfitonte diçka me metodat tipike të pushtetarëve VIP-a që përfundojnë pas hekurave, por mëtoi drejtësinë shterruese dhe dinjitoze. Dhe e mori aty ku jepet ajo, në gjykatë. Lili(m)putërit mediatikë tashmë duhet të ndihen të turpëruar për baltën që i hodhën mbi fytyrë profesorit të nderuar, më së paku të kërkojnë falje. Natyrisht, beteja për nderin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur sapo ka filluar. Ky triumf i Dervishajt ishte një shuplakë e fortë për të gjithë ato pseudo-investigues, opinionistë, gazetarë kronike që bëjnë sikur dinë gjithçka, që ta neverisin kur thonë ekraneve “sipas burimeve të mia”, a thua janë Bibla apo Kurani. Mos i merrni më njerëzit nëpër gojë ekraneve, sepse çdokush ka dinjitetin e vet. Drejtësinë e bëjnë gjykatat, jo “gjyqet popullore” tuajat. Shqipëria është e mbytur në korrupsion, nga kontrabandistë, mafiozë, banda, politikanë të zhytur deri në fut me vjedhje, merruni me to, jo me qytetarët model, profesorë të nderuar, profesionistë të zotë në zanatin e tyre. Bëni target ata pushtetarë zuzarë që vjedhin taksat tuaja, të qytetarëve shjqiptarë. Me to le të merret edhe drejtësia, jo të bëjë “koka turku” për demagogji, sikur po punon. Merruni me peshqit e mëdhenj, që taksat e shqiptarëve i bëjnë rrush e kumbulla. Për të akuzuar duhen fakte. Nëse i keni ato, publikojini, por jo të përgojoni si t’ju vijë për mbarë me thashetheme kafenesh. Bota është e rrumbullakët, ndaj shumë shpejt gjëma, sikurse e përjetoi për disa muaj zoti Dervishaj, mund të trokasë një ditë edhe në familjen tuaj. Atëherë do ta kuptoni sa e rëndë është përbaltja e një njeriu të pafajshëm, që përfundon pas hekurave pa bërë asnjë shkelje ligjore. Rasti i Arben Dervishajt le t’ju hapë sytë e mendjen, le t’ju shërbejë edhe si një Jezu Krisht për të larë mëkatet tuaja si gjithollogë, për t’i vënë fre asaj balte të zezë në gojën tuaj. Sidoqoftë, e rëndësishme është se një nga qytetarët më fisnikë dhe model, një nga profesorët e ditur, inxhinierët e zotë të këtij vendi i kthehet jetës normale. Rikthehet me gjithë mirësinë e tij mes nesh, gati për të rikuperuar ditët e kaluara padrejtësisht aty ku e meritojnë pushtetarët që kanë në dorë dhe vjedhin taksat tona, jo ai dhe soji i tij I nderuar. Lajm i madh për familjen dhe shokët, miqtë, kolegët, të dashurit dhe ata që e njohin nga afër ishte pafajësia e tij. Lajm i mirë edhe për futbollin shqiptar, sepse realisht pas Armando Dukës është pikërisht Dervishaj, njeriu më meritor për revolucionin e bërë në infrastrukturën sportive, në ndërtimin dhe rikonstruksionin e stadiumeve. Nëse nuk do të ishte dora e tij në infrastrukturën sportive, edhe kombëtarja kuqezi nuk do të kishte këto rezultate kaq mbresëlënëse, sa jemi gati për të shkuar në finalet e “Euro 2024”. Sepse kot nuk thonë, sipas vendit (stadiumit) bëhet edhe kuvendi (rezultati sportiv).

Edhe një herë, ta gëzosh pafajësinë Arben Dervishaj! Mirë se kthehesh pranë familjes, pranë biznesit tënd privat, pranë FSHF-së. Të gjithë kanë nevojë për kontributin tënd profesional, pafajësia jote është një fitore për të gjithë. Edhe për ato pseudo-investigatorë të mëdhenj, që thonin ekraneve se po të hapet celulari i Arben Dervishajt dhe Armando Dukës do të dëgjoni çudira. Por ja që as SPAK-u, as gjykata, as llapaqenët nuk gjetën asgjë të paligjshme për Dervishajn. Ndaj sot fitoi lirinë në sallën e gjyqit.

Vetëm “Xhoda Sport” dhe drejtuesi i saj Xhevdet Zekaj ka qenë konseguentë në pafajësinë e tij, sepse kishin parë dhe lexuar dosjen e tij. Tashmë kjo bindje e jona është realitet i certifikuar nga gjykata, ndaj edhe ne e mirëpresim me krahë hapur zotin Dervishaj në familjen e madhe të futbollit, ku për asnjë moment nuk dyshuan mbi pastërtinë tënde të figurës qytetare, morale, profesionale dhe ligjore.

Nga Prof. dr. Xhevdet Zekaj

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img