Saturday, April 20, 2024

Grima: Kjo Vllazni po na bën të lumtur, fitojmë edhe në Durrës

Lexo

Teuta-Vllaznia, takim që do të luhet në 16.45 të së mërkurës së 25 nëntorit në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, është padyshim sfida më interesante për javën e katërt së Superiores së futbollit shqiptar. Me tre fitore radhazi dhe nëntë pikë të plota, kuqeblutë kryesojnë me plot meritë tabelen e klasifikimit. Një start ky kaq pozitiv që ka entuziasmuar një qytet të tërë si Shkodra, i cili pas një rënkimi disa vjeçar duke notuar në zonën e mbjetesës, duket se ka dhënë sinjalet e para të një skuadre pretendente për fitimin e titullit kampion. Natyrisht që me emocionet e kësaj Vllaznie dinjitoze të këtij sezoni po jetojnë edhe ish futbollistët e kësaj skuadre, ato që në vite i kanë dhënë lavdi ngjyrave kuqeblu. Njëri prej tyre është edhe ish portjeri dhe ish kapiteni i famshëm i Vllaznisë, Armir Grima, i cili pas largimit nga fusha e lojës provoi të ushtrojë edhe postin e tajnerit të Vllaznisë, si dhe detyra të larta në klubin shkodran. Në një prononcim ekskluziv për Veriu Sport, ish kapiteni kuqeblu shprehet i kënaqur për fitoren e fundit shumë emocionuese me Tiranën në “Loro Boriçi”, por edhe gjendjen e mirë që po kalon Vllaznia e tij, ndërkohë që nuk nguron të përcjellë edhe vlerësime, jo vetëm për furtbollistët por kryesisht edhe për trajnerin gjerman Thomas Brdariç.

“Është e vertetë që ishte një fitore emocionuese, është e vërtetë që kishte një adrenalinë kjo fitore, aq më tepër që luhej kundra një ekipi rival të përhershëm siç është Tirana. Por, ajo që më pëlqen shumë tek Vllaznia dhe më kënaq këtë sezon është loja mjaft e mirë që po zhvillon skuadra. Përgëzoj trajnerin Brdariç për mënyrën e lojës që zgjedhe, dhe normalisht pjesë kryesore e ekipit më duket harmonia brenda skuadrës që është për t’u lavdëru, nota dhjetë. Një Vllazni e bukur që po na kënaq, po na kthehen emocionet, po ndihemi të lumtur me këtë skuadër. Shpresojmë ta mbajmë këtë ritëm dhe të ecim me këto rezultate.”, shprehet Grima.

Vllaznia ka vite që nuk fiton trofe për të gëzuar fansat e vet. Madje vetë Grima është kapiteni i fundit që ka ngritur trofeun e Kupës së Shqipërisë në vitin 2008 pas asaj fitoreje 2 me 0 ndaj Tiranës, finale kjo e luajtur në stadiumin e Elbasanit. Kujtime dhe emocione që për Grimen janë akoma të freskëta, por që sipas tij, tashmë ka ardhur koha që fotot dhe imazhet e asaj Vllaznie që vazhdojnë të qarkullojnë në media, të zëvëndësohen me brezin e sotëm, me këto djem të rinjë që besojnë tek suksesi.

“Unë me shpirt besoj që Vllaznia duhet të jetë kampione e këtij sezoni, të paktën me këto që ka treguar deri më tani. Gjithsesi, mendoj se futbollistët janë djem të zgjuar, dhe e kuptojnë se ky është fillimi dhe duhet të kenë përqëndrimin maksimal. Ne duhet t’i ruhemi shpërqëndrimit, sepse një gjë të tillë e kemi treguar edhe vitet e tjera, ku pavaraësisht se kemi pasur ekipin për të mbërritë në sukses nuk kemi mbërritur ta marrim trofeun, pikërisht nga një shpërqëndrim apo eurori e momentit. Por të luftojmë, dhe po të kemi këtë dëshirë, dhe këtë harmoni që ka skuadra brenda jam i bindur tek suksesi. Mendoj se ka ardhur koha që tashmë mos të dalin më fotot tona të suksesit të fundit, por të rinovohen me këto djem që po luajnë kaq mirë, të pakën në këto momente.”, thekson Grima.

Sfida e së mërkurës Teuta-Vllaznia ka edhe një të veçantë tjetër, pasi në kampin durrsak, janë edhe dy shkodranë si trajneri Edi Martini dhe sulmuesi Rubin Hebaj që do të përballen me skuadrën e qytetit të tyre të lindjes.

“Të them të drejtën unë jam tifoz  i Vllaznisë dhe dëshira dhe shpirti ma don që të fitojë Vllaznia, pamvarësisht se aty kemi një mik shumë të mirë, një djalë shumë të mirë që është trajneri i Teutes, Edi Martini dhe që po punon mjaft mirë me këtë ekip, edhe me rezultate pozitive. Por përpos kësaj, që unë Edin e kam shok, vëlla, e du shumë, shpirti ma don që të fitojë Vllaznia për ta mbajmë këtë ritëm që kemi deri më tani. Dhe, për këtë jam i bindur se do të realizohet për të ecur më pas edhe në fitore të tjera drejt realizimit të objektivit, fitimit të titullit kampion.”, përfundon prononcimin e tij për Veriu Sport, ish kapiteni kuqeblu Armir Grima, që sot është në cilësinë e trajnerit të kombëtares kuqezi në futboll për femra.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img