Kukësi ka bërë një hap shumë të gabuar me humbjen e pësuar sot në stadiumin “Niko Dovana” përballë Teutës. Humbje, që ia vështirëson seriozisht pozitat e renditjes, duke qënë me dy skuadrat e fundit të renditjes. Megjithëatë, trajneri i verilindorëve, rraman Hallaçi nuk dorëzohet, as si individë dhe as si skuadër, duke pasur besim në kthesen e shumë pritur gjatë javëve të ardhshme të kampionatit.
“Skuadra prodhoi futboll të mirë, më vjen keq për golin duhet të kishim shfrytëzuar rastet. U afruam nga krahët, mendoj që skuadra qëndroi në ekuilibër. Barbosa luajti mirë. Donte të shënonte gol sepse ka qenë i ngarkuar, mu bë qejfi që e mori ai për ta gjuajtur, por është rënduar gjatë ndeshjes dhe është normale për një futbollist. Kemi bërë një hap mbrapa, duhet të ecnim përpara dhe vështirësia është edhe më e madhe, nuk jemi dorëzuar, sot kemi bërë një gabim të madh, është e pafalshme që dolëm pa pikë. Shpresoj të rikthehemi tek fitorja, tani është një punë e madhe për mua dhe stafin, duhet të dalim nga kjo situatë, duhet të ulim kokën dhe të punojmë. Nuk dua të flas për arbitrat, unë u tensionova një moment nga ndeshja dhe kërkoj falje sepse unë nuk jam i tillë por këto i ka loja. Barbosa është shtatlartë, na ka ndihmuar ka krijuar hapësira, nuk do tja tërheq veshin atij pse humbi penalltinë,sepse shumë futbollistë të mëdhenj e kanë bërë. Ai është profesionist dhe shumë i rëndësishëm për ne. Loja funksionoi por s’morëm pikët, kam besim që do rikthehem tek fitorja ndeshjet e ardhshme”, tha ndër të tjera, trajneri kuksian, Rraman Hallaçi.