Wednesday, April 24, 2024

Histori Sportive-Hasan Hasa, futbollisti shkodran që humbi syrin në ndeshjen, Traktori-Vllaznia!

Lexo

Hasan Hasa, është një nga emrat e njohur të futbollit shkodran në vite. Pjesë e Vllaznisë së viteve 60-të, ai spikaste, jo vetëm për lojën e tij plot mjeshtri në formacionin kuqeblu, por më së shumtmi edhe për fizikun dhe hijëshinë që përcillte si portret në fushën e lojës dhe jashtë saj.

Por, ndër të tjera, ajo që e ka bërë të veçantë karrieren e tij, ka të bëjë me një rast shumë prekës që shkodranët e më gjërë e kujtojnë me respekt duke e konsideruar “hero” në fushën e lojës. Fjala është për një ndeshje të vitit 1962 që Vllaznia me Hasan Hasën në formacion, luante në transfertë me Traktorin e Lushnjes. Ndeshje, të cilën, Hasan Hasa, në një ndërhyrje duke shpëtuar një gol të sigurtë në portën e Vllaznisë, humbi njërin sy. Ishte vetëm 26 vjeç, dhe që prej asaj dite nuk mundi të vazhdonte më futbollin e luajtur, por edhe pse në cilësinë e invalidit, vijoi të kontribuoi me shumë pasion në detyrën e trajnerit duke nxjerrë nga duart e tij futbollistë të njohur.

Historinë e rastit në fjalë, e sjellë për Veriu Sport, një qytetar i nderuar shkodran, Sokol Parruca, i cili pati fatin që të ishte pjesë e ekipit të moshave të Vllaznisë nën drejtimin e trajnerit Hasan Hasa.

………..

Ky në foto, është prof. Hasan Hasa, futbollist i Vllaznisë në fillim viteve 60-të. Në vitin 1962, teksa Vllaznia luante në Lushnje, në çastin kur lojtari i Lushnjes Gogoni ishte gati të godiste topin, për të shënuar golin në portën e Vllaznisë, rrufeshem fut kokën Hasan Hasa dhe e largon topin, shpëton portën Shkodrane nga një gol i sigurtë, por …ah, la syrin e ballit…

Gogoni Lushnjes, nuk arriti të godiste topin, por goditi syrin e Hasanit, i cili që nga ajo ditë mbeti pa njërin sy. Unë nuk di, që në historinë e futbollit Shqiptar, në ndeshje zyrtare të Kampionatit Kombëtar, të jetë dëmtuar kaq rëndë ndonjë lojtar, si Hasan Hasa.

Çfarë sakrifice, guximi e përkushtimi për fanelen e Vllaznisë. U largua nga futbolli, mbeti invalid me njërin sy. Dhe ishte vetem 26 vjeç. Pas disa viteve iu kthye pasionit të hershëm, tashma si tranjer i moshave.

Në këtë foto janë disa fëmijë të trajnuar nga prof. Hasani, si Seit Çanga, Fatmir Paçrami, Teodor Todhe,Viktor Pali, Gzim Piraniqi, Fatmir Hysa, Bardh Boriçi, Mehdi Dragovo, e tjerë.

Se, sa me seriozitet i kushtohej trajnimit të fëmijve, po ju tregoj vetëm një fakt. Unë nuk kisha ndonjë të dhënë për futboll e kështu nuk shkoja rregullisht në stervitje. Kur mungoja unë, mungonte dhe Fatmir Paçrami, të cilin e kisha shumë shok dhe në një lagje. Më kërkonte, gjersa më gjente prof. Hasani e më thoshte troç, me shumë sinqeritet – nuk e kam hallin se më mungon ti, por kur nuk vjen ti nuk vjen as Fatmiri, po te ai djalë unë shohe të dhëna. Mu desh mua të shkoja në stervitje, ca për hater të prof. Hasanit e ca për hater të Fatmirit. Koha i dha të drejtë prof, Hasanit, Fatmiri u bë një futbollist i shkëlqyer i Vllaznisë.

Para disa vitesh, më thanë, se prof. Hasani ishte shumë sëmurë. Shkova ta shoh, diku nga vjeshta e vitit 2016. Ishte i shtrirë e nuk lëvizte nga krevati. I ishte verbuar dhe syri tjeter, kështu që nuk shihte. Krejtësisht i verbuar, i thanë për mua që kisha ardhë për ta takuar.  Ato dy sy që e kishin humbur funksionin e të parit, nuk kishin humbur ndjeshmërinë.

Ca pika loti i rrëshkiten në faqe, më përqafoi.  Kam mbete në shtrat, kam mall për shokët që kam lujt …kam mall për djemt që i mësova me lujt, më tha. Me këtë merak ndrroi jetë një nga më të sakrifikuarit e futbollit Shqiptar. Nuk e di, të jetë kujtuar e nderuar sa ishte gjallë, të pakten t’i bëhen nderet tani…

Sokol Parruca

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img