Ish-trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ka bërë një skaner të kuqebluve, ku sipas tij, ekipi aktual është më i dobët se në edicionin e kaluar, duke u bazuar te cilësia e lojtarëve. Trajneri maqedonas e konsideron pozitiv faktin që tani Vllaznia është në dorën e privatit, pasi dihen peripecitë që ai ka kaluar kur ka drejtuar ekipin.
Sipas trajnerit Jonuz, drejtuesit duhet të kishin bërë më tepër për të mbajtur një bërthamë të lojtarëve për të krijuar stabilitet në skuadër. Ish-trajneri nuk e shikon skuadrën aktuale për titull, pasi i duhen të paktën edhe dy afrime cilësore.
Profesor, a e keni ndjekur Vllazninë gjatë kësaj periudhe?
Unë e ndjek Vlazninë, por jo edhe aq shumë. E pashë që ata dolën keq në garat Europiane. Kam shumë miq në Shkodër dhe kam pasur një marrëdhënie veçanërisht të mirë me tifozët. Nisur nga kjo nuk kam se si të mos e ndjek Vllazninë.
Sa i informuar jeni në lidhje me përgatitjet për këtë sezon të ri?
I kam ndjekur përgatitjet, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se ata do të jenë të mirë në kampionat. Varet gjithashtu se çfarë lojtarësh kanë sjellë, në mënyrë që ata të futen shpejt në sistemin e lojës që do të zbatojë trajneri.
Si e shikoni skuadrën aktuale në krahasim me atë të sezonit të shkuar?
Mendoj se ky ekip është më i dobët se sezonin e kaluar. Shumë lojtarë cilësorë janë larguar nga ata që kanë qenë në sezonin e kaluar.
Çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo nga kjo Vllazni?
Më pëlqen fakti që klubi është i privatizuar, por duhet kohë për të rregulluar gjithçka dhe për të punuar profesionalisht. Mungon një ambient ku skuadra do të kishte kushtet normale për të punuar.
Ku duhet të ishte bërë më shumë?
Duhet të ishte bërë më shumë për të mbajtur lojtarët që do të luanin disa sezone së bashku. Kjo do të ishte teje pozitive për vazhdimësinë.
A është ndërtuar kjo skuadër për kampion?
Nëse u hedhim një sy gjithë skuadrave që janë në këtë kampionat, për mua Vllaznia aktuale mund të fitojë një vend për Kupat e Europës. Çdo gjë është e mundur. Kampionati është i gjatë. Vllaznia tani ka një pronar që mendon vetëm për të dhe për më tepër një tifozëri shumë të zjarrtë. Vetë lojtarët tani duhet të besojnë në sukses.
Në kaq pak ditë të mbetura nga merkatoja, a duhet të fuqizohet më shumë kjo skuadër dhe në çfarë pozicioni?
Për mendimi tim Vllaznia ka nevojë për dy lojtarë të tjerë që të jetë edhe më e fortë. Por kjo është puna e trajnerit dhe pronarit të klubit për të shikuar për afrime të mëtejshme.
Vllaznia e nis sezonin e ri me humbjen ndaj Erzenit…
Fillimi i kampionatit është gjithmonë i rëndësishëm. Kjo disfatë shpresoj që të mos ndikojë negativisht në skuadër. Megjithatë, është vetëm fillimi. Duhet që të fitohet menjëherë ndeshja tjetër. Një fitore ndryshon direkt gjendjen psikologjike dhe atmosferën në ekip.
Si ju duk skuadra shkodrane në këtë ndeshje?
Rezultati ishte shumë i keq. Megjithatë, loja është e rëndësishme, kjo mendoj se la shumë për të dëshiruar. Kanë pasur shumë momente të mira. Mendoj se gjithmonë duhet të rrezikosh dhe pastaj gjithçka ndryshon. Gjithsesi, duhet shikuar përpara. I uroj shumë suksese në ndeshjet e radhës. Le të tregohen këmbëngulës dhe të besojnë në cilësitë e tyre.
Admir Uruçi