Thursday, March 28, 2024

(Intervista) Çesk Ndoja, simpatiku i Vllaznisë kampione të viteve ’70-të. Një karrierë e mbushur me suksese, por edhe me probleme, sidomos ato të pengesës për ndeshjet ndërkombëtare jashtë vendit!

Lexo

Çesk Ndoja, është një ndër ato futbollistët e spikatur të viteve 70-të, atëherë kur Vllaznia bënte “ligjin” në futbollin shqiptar. Brezi i atëhershëm e mban mend mirë simpatikun e Vllaznisë, jo vetëm si një ndër djemtë king të futbollit, por edhe në komunitetin shkodran e më gjërë.

Prej vitesh, Çesku, jeton me familjen e tij në Gjermani, dhe në një farë mënyre, ka qënë edhe larg vëmendjes së opinionit sportiv. Një titull, “Mjeshtër Sporti” që sipas kritereve në FSHF i takonte ta merrte si fitues i tre trofeve, nuk ia dhanë në kohën e duhur, por disa vite më pas, gjë që nuk la shije të mirë te Çesku. Ndërkohë, në vazhdimësi, kur në kuadrin e përvjetorëve të ndryshëm sportiv, Klubi Vllaznia dhe Bashkia Shkodër, nuk u kujtuan për Çeskun, futbollistin e suksesshëm të viteve ’70-të. Gjë, të cilën edhe pse është larg në Gjermani, e pret nga strukturat përkatëse.

Ndaj, është kjo arsyeja që Veriu Sport, vendosi që përmes një interviste me kingun shkodran të futbollit, të risjellë në vëmendje, momentet më kryesore të karrierës sportive, e cila është mjaft e pasur, me fitimin e trofeve dhe ngjarjeve të shumta sportive të viteve 70-të. Intervistë, kjo që ndër të tjera, krahas gëzimeve dhe sukseseve, ka edhe kujtime jo të këndshme, sidomos kur titullari i formacionit, Çesk Ndoja, nuk lejohej të udhëtonte me skuadrën në ndeshjet ndërkombëtare jashtë vendit.

Çesk, është kënaqësi që unë personalisht, realizoj këtë intervistë me ju, aq më tepër që kam pasur fatin t’ju ndjek edhe në fushën e lojës në vitet e arta të Vllaznisë.

Kënaqësia është e imja, dhe ju falenderoj që më jepni mundësinë të shprehem për lexuesit tuaj. Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes tifozërinë e zjarrtë shkodrane, e cila më ka mbështetur dhe duartrokitur në fushën e lojës. Por, në të njëjtën kohë, edhe tifozërinë e sotme, e cila është një mbështetëse e fuqishme e skuadrës kuqeblu.

Në të tilla intervista, si gjithnjë, pyetja e parë është e pashmangshme. Si e nisi Çesk  Ndoja, futbollin?

Në moshen 11 vjeçare kam filluar stërvitjen në Shtëpinë e Pionierit, aso kohe ku trajner ishte një ish futbollist i madh dhe një njeri i përsosur, mësuesi i pa harruar, Ernes Halepjani që ka dhënë një kontribut tepër të madh duke luajtur me ekipin Vllaznisë për një kohë të gjatë. Kam marrë pjesë tre vjet  në Spartakiaden e Pionierit në Durrës. Por, herën e parë, nana nuk donte me më lanë me shku me ekipin në Durrës, pasi kishte frikë se vritesha (djalë i vetëm me dy vajza). Ndërsa Baba, ishte plotësisht dakort me shku. Trajneri kishte ardhë në shtëpi një javë para se me u nis, por nuk e kaloj klasën. Ekipi ishte nisur për Durrës. Të nesërmen dergojnë Njac Lacukun (Instruktor në Kom. e Fiskulturës dhe të njohur familjarisht). Njaci, kishte marrë me vehte disa shokë të Lagjes, ku i kishte dhënë një Top peshqesh. Ato, iu luten nanës të më linte me shku. Dhe, nana i thotë me nerva: Hajt, merreni pra! Atëherë, më nisen urgjent për në Durrës, ku krahas futbollit, kam marrë pjesë edhe në volejboll.

Pjesëmarrja në Spartakiadë, ishte një nxitje edhe më e madhe për ju, si vijoi më pas?

Në moshën 11, 12, 13 vjeçare, duke qënë një ndër futbollistët më të mirë të brezit tim, trajneri më trajtonte me shumë dashamirësi në stërvitje. Mundet, që të jem  i vetmi që kam marrë pjesë 3 vjet rrjesht në Spartakiadat e pionierëve në Durrës. Kuriozitet: Trajneri (Ernesti) kishte një problem me mu, se unë dribloja pak si shumë. Ai kishte një bilbil me rryp. Sa her dribloja në ndeshjet e kontrollit, më ndiqte me rryp në dorë me më godit. Por, nuk më kapte asnjë herë.

Shumë shpejt, largoheni nga Shkodra, për të ndjekur studimet në Tiranë.

Po, në vitin 1963 – 67 kam vazhdu shkollën në Teknikumin Teknologjik në Tiranë. Gjatë 4 viteve nuk jam aktivizu me futbollin. Kishim vetëm një kampionat ndërmjet shkollave. Në vitin e 3-të, vjen mësues fiskulturë në shkollën tonë, Fatmir Frasheri, futbollist i njohur me 17 Nandorin e Tiranës e me Kombëtaren. Kishim një fushë futbolli, direkt para shkollës. Me Fatmirin u njoftëm, i cili më trajtoi si shok. Kur kishte ndonjë orë pushim, vinte në klasën time me më marrë me lujt Pingpong. Por, nuk fitonte asnjëherë kundra meje. Ai bisedoj me trajnerin e tij Myslim Alla me më aktivizu me të Rinjt e 17 Nentorit, duke i folur për talentin tim. Përgjigja e Lym Allës: Nuk jam dakort me e marrë. Arsyeja? Ne, po ja përgatisim dy vite Vllaznisë dhe shkon i gatshëm në Shkodër. Por, nuk na lejohet ta mbajmë në Tiranë, d.m.th: Do ta kemi kundërshtarë, dhe ashtu ndodhi. Mentalitet i bukur……?

Me mbarimin e shkollës së mesme, u kthyet në Shkodër?

Po, pasi mora diplomën u ktheva në Shkodër. Unë isha kuadër i Ministrisë, ku më emëruan në Pukë. Sahbah Bizi, me të cilin pata rastin të luaja në Spartakiadën e Pionierit, shkon tek Klubi Vllaznia, ku i tregon për talentin tim duke i vënë në dukje që kam mbaru shkollën në Tiranë dhe se duhej që unë të bëhesha pjesë e Vllaznisë. Përsëri, gjendet i njëjti person, Injac Lacuku, një figurë e nderuar e sportit shkodran, por edhe mik i familjes tonë, i cili vjen në shtëpinë tonë duke më thëne se nesër duhej të isha në stadium të filloj stërvitjen me ekipin e parë. Para se të nis stërviten, trajneri Xhevdet Shaqiri më prezantoi me ekipin e më tha: Ti je pa stërvitje, prandaj merr topin e xhonglo vetë në qoshen e fushës. Un nuk e dija se në tribunë kishin ardhur trajnerë të më shikonin mua në këtë stërvitje të parë me ekipin. Kuptohet se topin e përdorja me këmbë njësoj si me dorë. Mbeten shumë të kënaqur dhe kështu më mbajtën në Shkoder. D.m.th., nuk shkova në Pukë. Unë kisha moshën të luaj edhe me të Rinjtë. Kampionati i ekipeve të para nuk kishte filluar akoma. Ekipi i parë kishte një të shtunë ndeshje miqësore me Partizanin në Shkodër, ku të Rijntë do të luanin të dielen në Durrës kundër Lokomotives. Ditën e premte mbas stervitjes, trajneri Xhevdet Shaqiri, më thotë se ti do luash neser (shtunden) me ekipin e parë kundër Partzanit, dhe pas ndeshjes do të udhëtosh me ekipin e Partizanit për në Durrës, ku do të luhej ndeshja e  fundit për Kupën e Repuplikës për të Rinjtë, që u donte fituar me 8 gola diferencë për të dalë në finale që do të luhej në Fier.

Si e përjetuat vendimin për të luajtur me ekipin e parë?

Ndeshja e parë për mua, 17-18 vjeç me ekipin e te rriturve. E kur më tregojnë se do të luash kundër të madhit Lin Shllaku, etj, emocionet ishin të mëdha. Më mirë, nuk po jua tregoj situaten time. Por, kur kam hyrë në fushë, më janë ngritur të gjithë flokët lart. Kam lujtur fort e mirë. Gjatë ndeshjes, patrioti im Lin Shllaku, u detyru të më thojë  “MISTREC”, sepse unë nuk ja lirova asnjë herë rrugën si ishte mësuar me të tjerët.  Fituam 1- 0, me penallti, ku për habinë time më thanë ta gjuaj unë. Pas ndeshjes udhëtova me ekipin e Partizanit për në Durrës. Të nesërmen fituam 12-0, nuk më kujtohet tamam sa gola shënova unë. Më shumë se 6-të, kanë qënë. Finalja në Fier, ku fituam 1- 0, me gol të shënuar me kokë nga unë. Si përfundim, fituam Kupën e Republikës, me trajnerin e njeriun më të mrekullueshëm për mua, Xhelal Juka, i cili pas pak kohe erdhi trajner i dytë me  ekipin e parë. Nuk do ta harroj kurrë kujtimin e tij.  Kjo ishte  medalja ime e parë me 18 vjeçarët.

Të tjera histori suksesi vijojnë edhe me ekipin e parë, cilat janë kujtimet e ndeshjeve të para me Vllazninë e të rriturve?

Fillon Kampinati i të rriturve. Pas disa ndeshjeve, do luanim kundër 17 Nandorit në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku kundërshtari im do ishte profesori dhe miku im në Teknikumin Teknologjik Tiranë, Fatmir Frashëri. Por për fat të mirë luajta si kundër Lin Shllakut. Pas ndeshjes Fatmiri më dha doren duke më thënë: Bravo! Pas pak kohe në Shkodër vjen një ekip Kinez,  Kishin ardhur shumë nga Federata për ta ndjekur këtë ndeshje. Kuptohet edhe Prof. Loro Boriçi. Pasi mbaroi ndeshja, unë isha duke ecur drejt kabinës së skuadrës tonë, kur shikoj Prof. Boriçin duke ecur në fushë në drejtimin tim. Kur papritur, u ndalua para mejet, duke zgjatur dorën e duke me thënë:  Ndoja,Bravo! Kështu luhet futbolli. Për çudi, nuk më pyeti asnjë njeri se çfarë më tha. E nuk u komentua nga asnjë gazetarë e komentator. Nuk ishte aspak e pa rëndësishme të vij një personaliteti më i madh e më i rëndësishëm i të gjithe kohrave të Futbollit Shqiptar dhe të më përgëzojë personalisht për lojën e mirë.

Një tjetër ndarje e përkohshme me Shkodrën ishte shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Po, si e kujton Çesku këtë periudhë?                         

Një ditë, mbasi mbaruam stërvitjen, trajneri Shaqiri, më ndaloi duke më thënë: Ndoja, kemi vendosë për ty, të kryesh Sherbimin Ushtarak. Ne mundemi ta shtyejmë për ma vonë, por është më mirë tani. Se, po të shkosh mbas dy vitesh nuk të lëshojnë dhe do të mbajnë në Tiranë. Do të shkosh tek Partizani e atje do të kontrollojnë dhëmbët.( duke qeshur). Më dërguan në Tiranë. Mbas disa ditësh, me urdhër nga lart duhej të nisesha nga Tirana për në Qytetin Stalin, i cili luante në Kategorin e Parë. Atje më pritën shumë mirë ku vazhdova stërvitjen deri dy ditë, para se me fillu Kampionati. Ishte e Premte, në mëngjes herët vjen Shefi i Shtabit (Ylli quhesh), shumë i merzitur duke më thënë, se duhet sa më shpejt me u nisë për Gjirokastër, direkt me urdhër të Petrit Dumes. Më përcolli deri në Fier. Për fat pashë një makinë me targa Gjirokastër që ishte gati për tu nisur. Kishte një pasagjer, unë i tregova se me duhet patjetër të shkoj në Gjirokastër. U detyrova t’i tregoj emrin. Ai, sapo dëgjoi emrin, i thotë pasagjerit, zbrit poshtë. Ishte tifoz i çmendur. Ai quhej Petrit. Ndër të tjera tregon se e dinte gjithë Girokastra se do të luaja me Luftëtarin. I kishin marrë masat. Pas pak u takova me Kryetarin e Komitetit të Fiskulturës dhe trajnerin e ekipit. Gjatë darkës më thonë se neser në mëngjes do të jesh para deres së Turizmit me të gjitha rrobat që ke me vehte. Në mëngjes u ula poshtë, pak më larg ishte i ndalur autobusi i ekipit të Luftëtarit që do të udhëtonte drejt Shkodrës, ku të nesermen do të luanin kundër Vllaznisë.  E pata të lehte udhëtimin, se kisha Ismet Hoxhën që kishte shkuar para mejet ushtar në Gjirokatër. Unë luajta mesfushor kundër Rauf Çangës. Traineri më tha: Kujdes, se ke pak stërvitje ! Pergjigjia ime. Ok, do të kujdesem vetëm për kundërshtarin tim. Pjesën e dytë e zëvendesoj trajneri, Raufin. Ne humbëm, por mu nuk më lejuan të qëndroj një natë me prindërit. Më thane se duhet të përgatitem për ndeshjen tjeter. E kam kaluar shumë, shumë bukur. Respekt për gjirokastritët!

Duke lënë pas Gjirokastrën, siç thoni ju, me mbresat më të mira, riktheheni përsëri në Shkodër, ku ju pret një karrierë në kulmin tuaj, apo jo?

Patjetër, që ashtu është. Janë vitet më të bukura të karrierës time sportive, pasi në të njëjtën kohë, edhe Vllaznia pati kulmet e saj në futbollin shqiptar. Me t’u kthyer në Shkodër, më përfshijnë në formacionin e parë duke qënë pjesë e suksesit të sezonit                                                                                                                                       1971- 72 ku fituam Kupën e Republikë dhe Kampionatin Kombëtar.   Kupa e Republikës, shumë emocione në dy finalet me Besën e Kavajës. Po flas për kontributin tim deri në Finale me dy takime kundër Beses së Kavajës. Ndeshja e parë në Kavajë, ku humbëm 2 – 0.   E dyta e kthimit, në Shkodër (Tragjedi) me 7 Penallti.  Pjesa parë. Unë, i jap një pas të gjatë brenda zonës 16 m në drejtim të Ismet Hoxhes, ku kundërshtari i bën një ndërhymje të rëndë. Arbitri, me të drejtë e dënon me penallti. Zan Rragami e kthen ne gol. Pjesa parë përfundon 1- 0 për Vllazninë. Pjesa e dytë. Një krosim nga krahu i djathtë brenda 16 m. ku portjeri kavajas del jashtë zonës rreptësisë, por nuk arrin me e kap topin. Unë me kokë e drejtoj për në rrjete, ku para porte ishte Besnik Dyla(qëndërmrojtesi) i cili nuk e arrin ta kap me kokë, por e kap me të dyja duart. Kuptohet Penallti, ku Rragami e kthen ne Gol. 90 minutat, përfunduan 2- 0 për Vllazninë. Të dy penalltitë e kohës së rregullt i përgatita unë.Të dyja ndeshjet, në Kavajë e në Shkodër përfunduan barazim, prandaj u luajtën edhe dy pjese shtesë nga 15 minuta, që u mbyllën në barazim. Vjen radha e penalltive. Për Vllazninë, Rragami e për Besen, Merhori. Në atë kohë ishte rregulli të gjuaj vetem një lojtar. Zan Rragami i shënon që të pesta, ndërkohë që Paulin Ndoja, pret të tretën e gjuajtur nga Merhori. Përfundimi  5 – 4 për Vllazninë. Kështu, Vllaznia fiton Kupën e Republikës. Entuziasmi i pa përshkruar nga tifozëria shkodrane.

Krahas Kupës së Republikës, po këtë vitë, 1972-shin, Vllaznia fiton edhe titullin kampion, ku përsëri kontributi i Çesk Ndojës është përcaktues në arritjen e suksesit.

Pas fitimit të Kupës vjen edhe Medalja e dytë, ajo e Kampionatit po në vitin 1972, ku kontributi im ka qënë shumë, shumë i madh në arritjen e suksesit.  Jam ftuar për një intervistë me Ramazan Rragamin në Rubriken Sportive të televizionit shqiptar në Tiranë, ku u bënte për çdo të Hënë. Të dielën kishim fituar 1- 0 kundër Partizanit në stadiumin “Qemal Stafa”. Ndër të tjera, ishte vlerësuar përgatitja e golit nga ana e ime. Në mesin fushes, nga ana tribunës, ku bashkohet vija anësore me vijen e mesit të fushës, i jap një pas të gjatë diagonal në drejtim të Lek Koçobashit, sulmues anësor i djathtë. Kundërshtari Astrit Ziu, nuk e besoj se mund të realizohej ky pas, prandaj u nis me vonesë. Safet Berisha, ishte disa metra para 16 metërshit dhe nuk e arriti topin me kokë, por me floke po. Por drejtimi nuk ndryshoj. Kështu që Koçobashi doli 10 metër para portjerit. Interesant, golin e realizon duke e goditur topin në mes të këmbëve të portjerit, në një kohë ku porta ishte bosh. Ndeshja e fundit në Tiranë kundër Studentit.  17 Nandori luante në Kavajë. Vllaznisë për të dalë Kampione i duhej pa tjeter fitorja. Stadiumi “Qemal Stafa”, i mbushur plot e përplot. Fillon ndeshja. Në minutin e 6-të shënon gol studenti 1- 0. U mendu se mbaroj çdo gja. Por më von, unë në një distancë, afërsisht 25-30 metra, shënova golin  e barazimit 1-1. Mbas disa minutash, me një gjuatje nga larg godas shtyllën vertikale. Më pas, shënohen edhe 3 gola të tjerë nga Sabah Bizi,  Ismet Hoxha e Viktor Plumbini. Për çudi, të 3 golat i përgatita unë. Ndeshja përfundoj 4 – 1. Komente, komente e komente. Një fitore e sukseshme, e pa harrueshme dhe historike për të gjithë tifozët e mrekullueshem shkodran. Një gëzim i pa përshkruar duke marrë Kupën e Kampjonatit të Shqipërise mbas 26 viteve që kishte mbetur në Tiranë, të cilen e sollëm në Shkodër, tek Djepi i Futbollit Shqiptar. Një koriozitet timin: Arbitër ishte Shazivar Gruda. Gjatë ndeshjes në pjesën e dytë,  më afrohet e më thotë: Ndoja, ke ba mjaft, pusho tani, çfar don me ba ma tepër! Nuk mendoj t’i ketë ndodhur ndonjë tjetri. Bukur, respekt arbitrit Gruda!

Sukseset vijojnë të jenë prezente në karrieren sportive të Çesk Ndojës, kur kemi parasysh fitimin e Kupës së Republikës në sezonin, 1973-1974, si dhe ato të Spartakiadave Kombëtare, ku Ndoja ishte përsëri protagonist.

Meqë dolëm Kampion, do të merrnim pjesë në Kupën e Kampioneve, ku ndeshja e parë ishte kundër Dinamos së Moskës. Por, për probleme politike me Bashkimin Sovjetik, nuk na lejuan të udhëtojmë. Për këtë arsye na dënuan dy vite, mos me marrë pjesë në ndeshjet ndërkombetare. Prandaj Federata, me na ba pak qejfin, na dërgoj 15 ditë në Rumani, ku luajtëm dy ndeshje miqësore. Isha edhe unë me ekipin (hera e parë dhe fatkeqësisht e fundit, pasi më herët u penalizova disa herë të mos udhëtoja me skuadrën jashtë vendit).

Më herët thatë, se keni mbetur i zhgënjyer për mospërfshirjen me skuadrën në ndeshjet jashtë Shqipërisë. Çfarë ndodhi?

Po e nisi nga një rast ku mua më grumbudhojnë me Kombëtaren (Shpresa) në Tiranë tek Klubi i Partizanit, me trajnerë Loro Boriçin dhe Sabri Peqinin. Të premten duhej të ishim pranë ekipeve tona për të luajtur të dielen. Por, të hënën duhej me qënë në Tiranë  për t’u stërvitur deri të premten. Keshtu vazhdoj disa javë. Te premten e fundit na thojnë se do ju lajmërojmë se kush do te vijn në Tiranë me u nis për jasht. Unë isha në listë me shku. Klubi Vllaznia dërgon Rifat Uruçin(Gazetar) në shtëpinë time në Shkodër për t’i thënë prindërve, me përgatitë rrobat e nevojshme për Çeskun se do te niset jashtë Shtetit me futbollin. Në Gjirokastër më tregojnë se në vendin tim kishin marre Dhori Kallucin. Ishte i ri në ekip e shumë djalë i mirë. Më thane se xhaxhai i tij ishte Sekretar i një Antari shumë të rëndësishëm në Byronë Politike Komitet Qëndror. Në një kohë që Kalluci nuk ishte i grumulluar me ne. Nuk është hera e parë që më ndodhe kështu. Kam edhe raste tjera  në Shkodër me Vllazninë. Pak kohë, para se me mbaru shërbimin ushtarak, Klubi Vllaznia më kërkon me shku në Shkodër me u përgatitë me lujtë kundër Dinamos së Moskës në Bashkimin Sovjetik. Pak dite para nisjes vjen në Velipojë ku stërviteshim një përfaqësues i Komitetit të Partisë duke na  thënë, se nuk na lejohet me shku, kuptohet, për arsye politike. Për këtë arsy, UEFA dënon Klubin Vllaznia mos me marrë pjesë 2 Vjet në asnjë Kupë Ndërkombëtare.

 Të tilla raste, keni pasur edhe kur Vllaznia kishte për të luajtur jashtë vendit, dhe ju, përsëri në shtëpi.

Kishim dy ndeshje për Kupën e Kupave, e para në Podgoricë me Buduçnostin(Jugosllavi), dhe e dyta kundër Panathinajkos Athinë (Greqi). Na grumulluan në Shirokë. Një të shtunë mba dite kishim me u nisë për në Jugosllavi se ndeshjen e kishim afër në Kufi kundër Budoçnostit. Edhe unë, si të tjerët isha i përgatitur me u nis. Me autobus nisemi për Shkodër(Klubi Vllaznia) ku do të lexohej lista se kush do t’u niste për Jugosllavi. Kishte ardhë shoku Adem Tukiqi(Përfaqësues i Komitetit të Partisë). Nuk ishim në liste, Fatmir Lelaj, portjer i parë, Enver Hafizi dhe unë. Oborri i Klubit ishte plot me tifozë që kishin ardhë të na përcjellë.  Koleget e mi hynë brenda në autobus, e unë me valigje e i veshun me kostum e kravate duhej të kthehesha në shtëpi Por, për fat të mirë pash baxhanakun që kishte ardhë me biçiklete dyshe, përer dy persona, i cili  me pyeti. Çfar ka ndodhë? Pergjigjia: Hop, hop për shpi. Kurrë nuk do t’i harroj shikimet e tifozëve ndaj mejet, ku tregonin keqardhjen e tyre. Gjendje katastrofale: I shkatërruar, moralisht e shpirtnisht, i turpërum, i diskriminum etj, etj. Nuk mora asnjë përrgjigje, pse ? Por, për fat të keq nuk ka mbaru me kaq. Ndeshja e dyte Athinë (Greqi). Ishim të grumulluar në Shirokë. Një paradite rrija i mbështetur vetem, tek muri i balkonit( Hotelit). Mas pak vjen Zan Rragami. Më thotë: Nadjamirë Çesk. Du me të tregu se çfarë më ka thanë Foto Çami(Sekretari i parë i Komitetit të Partisë Shkodër), se ti do të përgatitesh me udhëtu me ekipin për Greqi.Të dielën kishim ndeshje në Tiranë kundër Dinamos, e të Hënen do të shkonim tek Federata ku do të lexohej lista se kush do niset për Greqi, pa u kthy në Shkodër. Emri im nuk ishte persëri…..? Si heren tjetër. Unë, Fatmiri e Enveri, të nesermen në mëngjez, shkuam te shtëpija e Adil Çarçanit. Shoqëruesi i tij, na pyeti se çfar kërkoni këtu. Unë u përgjigja duke i tregu se kush jena, e për se dona me u taku me shokun Adil. Ai u përgjigj, jo, normal. Unë prita ma larg(me provu me e taku) se ai po shkonte në këmbë në punë. Mendova me e pritë para deres të Kryeministrisë, se ishte afër me Vilen tij. Mas pak minutash hapet dera kryesore e hyrjes, kur shoh se ishte shoqëruesi. Për fat të keq(shoku Adil) kishte hyrë nga mbrapa Kryeministrisë. Unë bisedova gjatë me shoqëruesit, u tregu normal në fakt. Ai, më njifte shumë mirë se Adili ishte tifoz, e vinte gjithmonë në stadium kur luante Vllaznia. I tregova arsyne duke i thane: Të lutem më lejo me e taku. Pergjigja: Më vjen keq, por nuk më lejohet. Ateherë u ktheva me autobus si Neger në Shkodër. Në atë kohe ishte Agjensia e Autobuzave. Vazhdova normal me ekipin. Mas disa kohësh na thojnë se neser kena diçka me bisedu. Biseda ishte me komuniku, vendimin e lënies të lirë të një kolegut tonë. (Njeri dhe futbollist shumë i mire. Unë isha ulur në një karrige afer Sait Çanges.U fol shumë edhe për kontributin e madh që kishte dhëne për Vllaznin etj. S. Çanga u ngrit duke dhëne një propozim të para pëegatitun: Se x kolegu ka hi në nji Loto e nuk ka mundësi me pagu për çdo muaj leket, prandaj jam i mendimit që X  të vazhdojnë me lujtë, e te lihet i lirë Çesk Ndoja.(Perfect). Për fat të keq nuk ju realizu. Kam pas lexu një liber,(i fundit i Mohikanve). Në atë kohë kam kenë i vetmi Mohikan në ekip. Kam vazhdu deri në vitin 77-78.

Po, momenti i largimit tuaj nga futbolli, si erdhi?

Është viti 1977, kur isha vetëm 28 vjeç. Kishim me lujtë në Tiranë (Stadiumin Dinamo), kundër Kombinatit S.  Para nisjes, takoj Mendu Dedjen. I thashe, se n.q.s. nuk jam në formacion, do ta la Futbollin. Trajneri futi Fatmir Axhanin. Në pjesën e dytë lujta unë në vendin e tij. Katër ditë nuk dola në stërvitje, pa e lajmëru trajnerin. Mbas 4 ditëve shkova në zyren e trajnerit, ku i thashë se kam vendosë me u largu nga futbolli.  Përgjigja. Jo, më tha, se kam nevoj për ty.  Unë, futbollin e kam fillu me ju e po e përfundoj po me ju. Ju falnderoj shumë për të gjitha, e ju uroj suksese, i thashë. Mas 2-3 ditesh sekretari i Komitetit Ekzekutiv (Angjelin Kola) më ndalon në rrrugë duke më thanë se Xhevdet Shaqiri ka thanë me bisedu me ty, me ardhe se i duhesh. Unë qesha pak duke i thane f.l.m. për rrespektin që keni ndaj mejet Z.Kola. Duke me m´taku rastësisht në rrugë.(Perfect). Keqardhja për trajtimin jo si duhet të figurës time ishte edhe në lidhje me ceremoninë e lënies së futbollit. Vllaznia do të luante me Skënderbeun e Korçës në Shkodër. Kur unë u ktheva mbas dite vonë në shtëpi, prindërit më treguan nji Mashtrim të rradhës(si përhere) nga Klubi Vllaznia. Të dielen, një ose dy orë para  fillimit të ndeshjes, klubi dërgon në shtëpin time Gjon Simonin(Inspektor) pranë K.Vllaznia për me më ftu në stadium se para fillimit të ndeshjes kishin organizu me më ba Ceremoninë e lënjes së futbollit (Perfect). Deri sot që po shkruaj, nuk kan reagu.Turp, turp e turp. Pa pasë, asnji arsyë gjate gjithë karieres time. Duke pasë para sysh kontributin tim shumë të madh për rezultatet që ka arrite Klubi Vllaznia, e për korrektesen time me të gjithë njerëzi. E në veçanti për TIFOZAT ma të mrekullushmit SHKODRAN.

Dhe, në mbyllje, edhe diçka për traditën e sportit në familjen tuaj?

Njëra prej motrave të mia, Rexhina, është marrë me atletikë nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur, Feti Dizdari, dhe ka dalë dy herë Kampione e Shqipnisë në garën 400 metra dhe në hedhjen e Diskut. Ndërkohë, gjatë periudhës që jetojmë në Gjermani, djali im është aktizuar me futbollin duke pasur disa suksese me ekipe të ndryshme. Edhe mbesa ime, është pjesë e sportit të tenisit. Është 15 vjeçe dhe jetojn në Dubaj. Si Profi që është, ditët e fundit ka pasë një Turne të rëndësishëm me profit për herë të pare. Pas aktivitetit, ka pasë 7 intervista me gazetarë të ndryshëm duke i bërë jehonë suksesit të saj. U gëzova edhe më shumë, kur pashë të jatin e saj(Gjerman) duke festuar me Flamurin Shqiptar.

Intervistoi: Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img