Friday, April 26, 2024

Volejboll Meshkuj-Vllaznia sfidon Skënderbeun, e mund në transfertë 2-3. Spikat kapiteni Qafarena me shënimin e 34 pikëve, më i miri i ndeshjes!

Lexo

Skënderbeu-Vllaznia 2-3

(26-24, 25-22, 22-25, 14-25, 11-15)

Formacioni i Vllaznisë: Qafarena, Jukni, Curraj, Rrashketa, Jula, Çekini , Lleshi, Peraj, Daniku, Pepaj. Trajner: Artan Kalaja

Një fitore të merituar dhe shumë të rëndësishme ka realizuar sot Vllaznia në volejboll për meshkuj, teksa ka mundur në transfertë Skënderbeun e Korçës me rezultatin e ngushtë 2-3. Sfida në fjalë e luajtur në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” të Korçës, e vlefshme për javën e dytë të Kampionatit Kombëtar, ishte e një rëndësie të veçantë për të dyja skuadrat, të cilat janë konkurente për vendin e katërt të fazës Play-Off. Dhe, fitorja e Vllaznisë bën që ajo të marrë vendin e katërt me 14 pikë ndaj 11-të të Skënderbeut, gjë të cilën me të gjitha gjasat do të arrijë ta mbajë edhe në pesë javët e mbetura të kampionatit.

Sfida në fjalë është karakterizuar nga një rivalitet, ku në setin e parë janë dashur pikët shtesë për të fiksuar fituesin, ndërkohë që edhe për fituesin e gjithë ndeshjes është dashur të luhet seti final.

Korçarët, në gjirin e të cilëve luajnë edhe tre volejbollistët e njohur shkodranë, Dibra, Drinazi dhe Preka, kanë fituar me rezultatin 26-24. Vendasit, e shikojnë veten fitues edhe në setin e dytë, të cilin e mbyllin me rezultatin 25-22.

Ndonëse në disavantazh me sete, 2-0, kuqeblutë e drejtuar në stol nga trajneri Artan Kalaja, dhe me një lidër në fushën e lojës si Nikolin Qafarena, dhurojnë spektakël, teksa arrijnë ta kthejnë ndeshjen në fitimin e tyre.

Pasi fitojnë setin e tretë 22-25 dhe të katërtin 14-25 e çojnë ndeshjen me set final. Korçarët vendas këmbëngulin ta marrin këtë set, por entuziasmi i Vllaznisë nuk ka të ndalur. Duke fituar edhe setin final, 11-15, fitojnë të gjithë ndeshjen 2-3.

Fitore kjo e merituar e Vllaznisë duke cilësuar si më të mirin e kësaj ndeshje, kapitenin Nikolin Qafarena, i cili arrin të shënojë 34 pikë në këtë ndeshje, ndërkohë që vlerësime kanë marrë edhe Jukni, Curaj, Rrashketa, përkatësisht me nga 14, 11 dhe 8 pikë, si dhe Jula e Çekini me nga 7 dhe 5 pikë të shënuara në këtë ndeshje.

Java e ardhshme ka në kalendar dy ndeshje të tjera rëndësishme për Vllazninë. Të mërkuren, kuqeblutë luajnë në Shijak përballë Erzenit vendas, gjysëfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë, kur sfidën e parë në “Qazim Dervishi” e kanë humbur 0-3. Ndërkohë, të premten, Vllaznia pret Tiranën për kampionat në Shkodër.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img