Për Elvin Beqirin, ish kapitenin e Vllaznisë, i cili aktualisht drejton skuadrën e Tërbunit, largimi i trajnerit Tomas Brdariç kaz qënë i parakohshëm. Në intervistën dhënë gazetarit Admir Uruçi, thekson se nëse Vllaznia nuk arrin të marrë pjesë në Kupat e Europës, është një dështim total i KF Vllaznia.
Profesor, si e shikoni situatën që po kalon Vllaznia?
Më vjen keq për situatën që po kalon Vllaznia. Gjatë një sezoni çdo skuadër mund të kalojë situata të tilla, por ajo që është më e rëndësishmja është që ekipi të mos futet në presion, sepse do të gabojnë përsëri.
Çfarë ndikoi në këtë degradim të situatës?
Nuk është fjala e duhur të thuash për situatën në fjalë, “degradim”. E përmenda më lart se mund t’i ndodhë çdo skuadre një situatë e tillë. Mendoj që nuk është menaxhuar si duhet ekipi në periudhën e fundit dhe këtu e kam fjalën për largimin e trajnerit Brdariç.
Pas humbjes me Tiranën, drejtuesit larguan trajnerin Brdariç. Si e komentoni këtë vendim?
Me është dukur vendim i nxituar. Nuk ishte koha e përshtatshme për të marrë një vendim të tillë dhe kjo po shihet te problemet që ka ekipi.
A ka ndikuar kjo te përkeqësimi i situatës?
Pa diskutim që po. Ana psikologjike për një ekip është shumë e rëndësishme që të jetë mirë, sidomos në këtë pikë ku ndodhet sezoni. Lojtarët e Vllaznisë i shikoj shumë të rënduar nga ana psikologjike dhe duhet një punë e madhe nga stafi në këtë aspekt që të kalohet sa më shpejt kjo situatë.
Për Vllazninë janë shprehur se po vuan në sulm, por ju e keni vënë theksin që në fillim se po çalon loja e ekipit në mbrojtje…
Ekipi nuk ka pasur stabilitet si në lojë po ashtu edhe në rezultate. Këtu ka ndikuar largimi dhe afrimi i shumtë i lojtarëve, të cilët kanë pasur vështirësi harmonizimi me pjesën tjetër të skuadrës. Lojtarët e afruar nuk kanë shfaqur vazhdimësi, e cila është shumë e rëndësishme në një kampionat. Po ashtu, edhe lojtarët që kanë qenë edhe në sezonin e kaluar nuk kanë pasur stabilitet në paraqitje. Problemet janë shfaqur në çdo repart dhe kjo vjen nga çekuilibri i ekipit gjatë 90 minutave.
A e shikoni Vllazninë në fund të sezonit në Kupat e Europës?
E rëndësishme është që të mendohet pozitivisht dhe gjërat të merren me sportivitet. Nuk duhet të mendohet më për gjërat që kanë kaluar. Ekipi ka elementë cilësorë dhe atyre duhet t’u merret maksimumi në ndeshjet e mbetura. Në momentet e vështira duhen liderët e ekipit që të rikthehet besimi.
Mund të quhet një dështim sezonal nëse Vllaznia nuk kap Europën?
Sigurisht që do të jetë një dështim, sepse objektivat në fillim të kampionatit kanë qenë madhorë.
Sipas jush, çfarë duhet që të bëjë Vllaznia për të ndryshuar situatën?
Duhet të jenë të bashkuar dhe të impenjohen maksimalisht në çdo ndeshje. Uroj dhe shpresoj që në fund Vllaznia të arrijë objektivin minimal të këtij kampionati, siç është pjesëmarrja në Kupat e Europës, sepse kjo do të ishte edhe një plotësim dëshirë për tifozët e zjarrtë.