Monday, April 29, 2024

(Intervista) Flet, Emanuela Rusta, arbitrja e parë shqiptarja në FIFA: Kam një engjëll që më mbron, ju tregoj momentin më të vështirë

Lexo

Nga UVIL ZAJMI

Shkëlqeu në një turne të rëndësishëm, siç ishte faza finale europiane U-17 e vajzave, zhvilluar në maj, në Talin, Estoni: “E para herë që merrja pjesë në një veprimtari të tillë. Ishim 16 arbitre dhe aty si kryesore kam drejtuar ndeshjet e grupeve, Estoni Zvicër 0-4 dhe Suedi-Angli 1-3. Në total kam qenë pjese e ekipit të arbitrimit në 6 ndeshje. Në finalen Spanjë-Francë u caktova si e katërt”, thotë për “Panorama Sport” femra e parë me stemën e FIFA-s në historinë e arbitrimit kombëtar. Ish-basketbolliste, startoi si arbitre futbolli, fillimet, vështirësitë, ndarja e papritur e njeriut më të rëndësishëm në jetë dhe vendimi për të vazhduar. Mësuese e edukimit fizik me model francezen Frappart, një karrierë e Rustës gjithmonë në ngjitje, femër e një vërshëllime autoritare, e respektuar nga tifozë, futbollistë e drejtues. Një emër, një garanci, një nxitje, shpresë më shumë edhe për arbitrimin shqiptar të vajzave.

Znj. Emanuela, çfarë ju nxiti për të nisur diçka të panjohur?

Ka qenë viti 2014, dhjetor. Ishte një rastësi. Ishte ora e edukimit fizik, viti i fundit. Në Universitetin e Sporteve këtu në Elbasan po zhvillonim orën e futbollit te fusha sportive kompleksi “Shefqet Lamçja” dhe aty po stërvitej arbitri Enea Jorgji. Ai foli me një shokun tim që e kam pasur në klasë dhe që ai e njihte, duke i treguar që federata e futbollit në mbështetje të FIFA-s, UEFA-s, kërkonte afrimin e vajzave dhe nëse ka ndonjë prej tyre që vërtet është e interesuar, pra që të angazhohet dhe të mund të vijë të marrë pjesë në kolegjiumin e Elbasanit me dëshirën për t’u bërë arbitre futbolli. Ai më tha mua, bashkë me dy shoqet e mia.

Rusta, sa njohuri dhe sa informacion kishit për arbitrimin?

Nuk isha ndjekëse e ndeshjeve të futbollit, aq më shumë të një arbitri. Kisha shtatë vite që luaja basketboll me ekipin e parë të Elbasanit dhe kur më folën për të qenë pjesë e arbitrimit, kjo më ngacmoi. Thjesht me idenë e parë, që ta shoh, ta provoj njëherë, çfarë bëhet në këtë fushë, si funksionon dhe nëse kishte arbitre futbolli Shqipëria.

Në mbledhjen e parë mbeteni e befasuar, pse?

Pra, ishte Enea Jorgji, që pasi e takova, më foli mbi arbitrimin. Kujtoj se më tha që janë edhe 2 vajza të tjera që po afrohen, dëshirojnë të bëhen arbitre. Biseduam rreth idesë së përgjithshme për këtë profesion. “Është interesante, pse nuk vini që ta shihni vetë, pastaj, gjykoni e vendosni”, më thotë. Kurioze, ashtu veprova. Të premten shkoj te kolegjiumi me idenë të ndjek, të shoh çfarë bëhet, çfarë bisedojnë, çfarë do të thotë që të jesh arbitre? Mendova që do të gjeja edhe femra të tjera, por pikërisht atë ditë nuk kishte ardhur asnjëra prej tyre. E vetmja isha unë. Dhe mendimi i parë, që më erdhi: “Po ky Enea pse më tha që ka edhe vajza të tjera? Ndoshta nga fakti se ishte një fushë që unë nuk kisha asnjë informacion?”

Dhe vijmë në hapin vendimtar tuajin…

Sidoqoftë, qëndrova. Aty flitej rreth ndeshjeve të javës. Dëgjova arbitrat, asistentët, që kishin drejtuar takimet duke trajtuar rastet, momentet, qoftë edhe duke diskutuar me njëri-tjetrin, “pse duhet të ndodhte ky gabim, duhet të kisha qenë më afër aksionit, mungoi bashkëpunimi”, etj.

M’u duk shumë interesante, kur flisnin për kriteret, pse është faull, sa ndikoi, apo nuk ndikoi një lojtar në pozicion “offside”, sigurisht pa kuptuar për çfarë bëhej fjalë. Ajo që më intrigoi më shumë ishte pjesa e liderit dhe çfarë përgjegjësie ishte të qenit arbitër, të marrësh vendime në aq pak kohë të shkurtër që të ofron momenti, çasti, fusha. Ishte vërtet shumë, shumë tërheqëse. Dhe në atë moment, thashë “ok do të vij, do ta provoj!”

Sa vend kishte sporti apo trashëgonit ju si traditë familjare?

Mami, babi dhe dy motrat, nga të cilat njëra më e madhe, tjetra më e vogël se unë, pa shumë lidhje në të kaluarën me sportin. Babai, dikur ish-futbollist, e kishte pasion sportin, sigurisht më shumë futbollin, më tregonte gjithmonë se kishte qenë tejet i shpejtë dhe i saktë. Kur luaja basketboll, familja më ndiqte, por duke iu lutur, iu thosha “mos ejani shpesh në ndeshje”, vetëm kur i shihja ulur në shkallë.

U shprehët dëshirën për t’u bërë arbitre futbolli, cili ishte reagimi i tyre?

Falë Zotit kam një familje shumë mbështetëse dhe besimplotë mbi vendimet që ne marrim në jetë. Bisedoj, u them që më kanë folur për arbitrimin, më pëlqen ta provoj si sfidë, dua të bëhem arbitre futbolli. Nuk harroj reagimin e prindërve, duke buzëqeshur: “Po tani nga na doli kjo ide? Por, fakti që isha aktive me çdo sport, “ok – më thonë provoje, – nëse të pëlqen ne do të mbështesim”. Isha vetëm 20 vjeçe. Motrave nuk u pëlqente shumë sporti, por e kundërta unë, sepse e adhuroja. Duke ditur këtë pasion timin për sportin, edhe pse nuk kishin asnjë ide çfarë ishte arbitrimi, u treguan entuziaste.

Keni një tjetër pengesë, jeni ende basketbolliste, si e mendonit ndarjen me koshin?

Vazhdoja njëkohësisht edhe basketbollin, luaja në sulm e mbrojtje, shumë e prirur për organizimin e sulmit të shpejtë. Kisha të dhëna fizike të mira, rezistencë, shpejtësi. Ishte i vetmi ekip në Elbasan me vajza, me trajnere të mirënjohurën Elvira Xhyra, që për mua ka qenë udhërrëfyese në mënyrën ekselente mbi disiplinën dhe punën në sport. Më pas i tregoj trajneres sime mbi këtë ide edhe që do të vazhdoja t’i bëja të dyja. Ajo u habit, priste që të isha bërë ose të doja të bëhesha një arbitre basketbolli. “Ku shkove te futbolli dhe jo basketbolli, se vitet, eksperiencën i ke, dhe si lojtare kalon menjëherë si arbitre e vajzave në basketboll”, më thotë.

Përfundimisht jeni pjesë e kolegjiumit të arbitrave të futbollit të Elbasanit…

Për herë të parë që u stërvita me arbitrat, ishte pas mbledhjes së kolegjiumit, pas së cilës vendosa që do të dilja me ta, që kishin një orar të caktuar në mesditë. Ishte koha që unë bëja disa angazhime njëkohësisht. Dita ime ishte gjithçka rreth sportit, në mëngjes në universitet se ende nuk e kisha përfunduar, punoja në një shkollë private si mësuese e edukimit fizik, gjithashtu edhe instruktore në një palestër. Gjeja kohën të shkëputesha për t’u stërvitur me djemtë e kolegjiumit, pa harruar basketbollin, ndonëse fillova t’i reduktoj, duke shkuar më shumë te pjesa e arbitrimit.

Kërkohet përgatitje fizike, aq më shumë për një vajzë?

Kontakti me sportin më ndihmoi, sidomos përgatitja fizike, të isha thuajse gati. Kisha rreth shtatë vite që ushtrohesha në basketboll, që ishte ndihmë e madhe për mua. Nga basketbolli kisha përgatitjen fizike, njihja mjedisin sportiv, por në fushën e futbollit isha krejtësisht e paorientuar. Nuk e kisha problem ngarkesën fizike, për të cilën arbitrat stërviteshin, por sidoqoftë punën e nisa me ta, duke koordinuar, alternuar programet me Enean, Astrit Mahmutin, Emigres Gancin, Rudin Precën, Eduard Sinanajn, Uran Korrën.

Nuk jeni e vetme në atë kolegjium, apo jo?

Po, e vërtetë, aty ishte edhe Erinda Kume. Ndërsa unë dhe Mirjeta Salla e kemi filluar njëkohësisht, kjo ka qenë edhe treshja e parë elbasanase e arbitrave vajza. Por, më duhet të nënvizoj, me sa jam informuar, e para vajzë që ka arbitruar një ndeshje, ka qenë Anila Musai, 25-vjeçare, nga Tirana, viti 2001, në Ligën Amatore meshkuj, Partizani A-Vllaznia B, por vetëm një pjesë loje. Pastaj nga femrat, të parat e arbitrimit të një takimi zyrtar kanë qenë Fatjona Borova nga Shkodra dhe Klesta Gjyli nga Durrësi, si asistente në ndeshjen e Superiores, Skënderbeu-Luftëtari. Abitër kryesor, Edvin Hoxha, nga Lezha. Ky takim i referohet vitit 2013.

Kur e keni sinjalizuar për herë të parë?

Nga dita kur nisa të stërvitem, janar 2015, deri në maj, 2015, merrja pjesë në Ligën amatore rajonale si asistente e arbitrave djem, por aktivizohesha edhe si kryesore. “Takimi im i parë zyrtar si asistente, ka qenë në Elbasan në shkurt, ndeshje kupe, tek ish-stadiumi i vjetër, midis skuadrave të femrave VllazniaApolonia. Kryesore Fatjona Borova e Shkodrës, asistente unë dhe Erinda Kume. Kujtoj se pas meje, qëndronte asistenti Mahmutaj, që na fliste, këshillonte si të mbanim flamurin, si të vepronim, sinjalizonim për rivënien anësore, atë fundore e këndore.

Si dhe kur do të regjistrohet starti juaj, ai me bilbil?

Në Fier, midis femrave të Apolonisë dhe Teutës, në tetor të vitit 2015, takim hapës i kampionatit. Kemi udhëtuar me automjetin e një anëtari të kolegjiumit që ishte gjyqtar i katërt. Ka qenë një arbitrim skandaloz kur e mendoj tani atë ndeshje, të jem e sinqertë. Sapo kisha marrë disa baza fillestare mbi arbitrimin, nuk e kisha idenë pse dhe kur duhej ndëshkuar një lojtare me karton të verdhë.

Çfarë kujtoni nga ajo paraqitje dhe ai prezantim?

Nga mungesa e eksperiencës në atë takim kam nxjerrë pa fund kartonë të verdhë, 18 të tillë. Nuk e dija, nuk e kuptoja kur duhej ndëshkuar një lojtare dhe kushdo që vinte e më pyeste, më fliste, pse e dhe këtë faull, unë i nxirrja kartonin e verdhë. Pata protesta me të drejtë. Fitoi Apolonia. Asistente kisha Kumen dhe Sallën. Kjo është ndeshja e parë edhe për një treshe nga Elbasani që gjykohej me arbitre femra në një takim zyrtar nga ky kolegjium. Kur u ktheva në shtëpi nuk e kuptoja tamam peshën e vendimeve të mia, ndonëse e kuptoja se nuk duhet të kisha vepruar ashtu. Duke u konsultuar në mbledhjen e radhës në kolegjium, më thonë që nuk duhet të japësh kaq shumë kartonë, më mirë zgjidh të jesh më e rezervuar. Sot, kur e kujtoj dhe e mendoj sa gabim kam vepruar. Dhe kur më pyesin, u flas vajzave të reja për startin tim, lidhur edhe me atë ndeshje, mos e bëni si unë, i këshilloj…

… Më folët edhe për një takim tjetër, që nuk e harroni edhe për një fakt… Mund të na e saktësoni?

Në një ndeshje të rëndësishme për mua, një takim moshash në 2017, e pranishme në shkallët e stadiumit për herë të parë ishte familja, donin të dinin ecurinë time prej 2 vitesh përpjekjesh si arbitre. Jam emocionuar shumë kur i dallova gjatë rreshtimit dhe pas ndeshjes më treguan se sa të lumtur ishin që më shikonin mua në fushë dhe shumë e sigurt mbi atë që kisha nisur. Mbaj mend që babi im gjithmonë më thoshte, “se po vazhdon ëndrrën time që kisha mbi sportin”.

Sa kujdes tregonte familja për vajzën si arbitre futbolli?

Kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë kujdes maksimal për mua. Jo vetëm në ato takimet e para, por edhe në të tjerat më vonë. Familja më ka ndjekur sistematikisht, pasi edhe për ata ishte e çuditshme: “Vazhdimisht më pyesnin, je e sigurt që do ta bësh këtë punë?” Në fillimet e mia, mami që është shoqja ime më e mirë dhe shumë e shtrenjtë për mua, vinte fshehurazi për të më ndjekur në normat fizike bashkë me motrën, sepse unë gjithmonë u thosha “jo, mos ejani, kam emocione kur ju shoh”. Ndërsa çdo darkë me babin na u kthye në rutinë të shihnim ndeshjet bashkë dhe diskutonim mbi vendimet e arbitrave.

Keni pasur një çast kur jeni lëkundur?

Po, kam pasur një situatë delikate që vendosi pikëpyetje mbi vazhdimësinë, për gjithçka që kishte lidhje asokohe në jetën time. Fatkeqësia e rëndë që na goditi në familje në qershor të vitit 2017, me humbjen e madhe të njeriut më të shtrenjtë, që papritur në moshë shumë të re, babai im u nda nga jeta. Ai ka qenë momenti, në të cilin vërtet jam lëkundur dhe ishte një vit e gjysmë para se të merrja stemën e FIFA-s. Ndeshja që kam përmendur më lart, e zhvilluar në Elbasan, do të ishte e fundit ku familja ime ishte e plotë për të më parë.

Kërkohet të merrni një vendim që sigurisht nuk është i lehtë, apo jo?

Kjo periudhë është pjesa më e trishtuar e jetës sime, por që më ka dhënë forcën të përballoj çdo sfidë të vështirë. Nuk isha e sigurt, nuk po gjeja forca në veten time, që vërtet mundet ta bëj këtë apo jo? Familja ime vetëm me femra dhe normalisht jo e lehtë të gjesh dalje në këto rrethana, se duhet të isha shtyllë e fortë, për nënën, motrat, kështu më duhet të gjeja forca aty ku nuk ka.

Dhe as vetë nuk e di, as sot nuk mundem ta shpjegoj që nga ajo situatë e rëndë, dëshpërimi ekstrem, në një çast kam thënë: “Duhet të bëjmë diçka, nuk duhet të shkatërrojmë gjithçka, duhet të dalim nga kjo situatë, të shpëtojmë familjen”. I vetmi vendim ishte të vazhdonim jetën me një qëllim: të bënim krenar babanë më shumë seç e kishim bërë dhe të mbanim familjen e bashkuar, siç ai donte dhe përpiqej gjithmonë me mirësinë dhe dashurinë e pakushtëzuar. Jam e bindur që na ndjek në çdo hap tonin dhe na bekon për çdo gjë në jetë.

Një moment delikat edhe për vazhdimin e karrierës?

Pas kësaj periudhe u propozova nga federata në UEFA si arbitre ndërkombëtare, ndonëse nuk e ndieja ende gati veten. Të gjithë prisnin shumë nga unë, kjo edhe nga fakti që më caktuan të isha arbitre e parë ndërkombëtare, të përfaqësoja Shqipërinë, një përgjegjësi shumë, shumë e madhe, jo vetëm për mua, por për ata që më përzgjodhën dhe më besuan.

Merrni pjesë në testimet fizike, cilat janë rezultatet, si është përfaqësimi juaj?

Titulli, stema, ndonëse u aprovua në dhjetor të 2018, konfirmimi erdhi në janar të 2019-ës, kur u nisa në një seminar në Portugali. Fillimisht bëra një testim të anglishtes dhe nëse e kaloja atë, do të shkoja në seminarin fizik, ku natyrisht trajtohen situata të ndryshme të ndodhura gjatë ndeshjeve. Aty flitet edhe mbi rregulloren e futbollit. Dola shumë mirë, duke kaluar me sukses rregulloren e lojës dhe normave fizike. Një moment shumë i lumtur për mua, pasi puna dhe vendimi im, po merrnin një drejtim ndryshe.

Kur ndodhi debutimi ndërkombëtar me stemën e FIFA-s për Emanuela Rustën?

Ndeshja e parë ndërkombëtare ka qenë në Firence, Itali, një turne në mars të 2019- ës, unë dhe Erinda Kume, pasi ne shkojmë bashkë me një asistente nga vendi ynë në të tilla aktivitete. Arbitrova Danimarkë- Slloveni dhe Slloveni-Islandë. Ndeshje me emocion të veçantë, si të parat në një turne ndërkombëtar, jashtë vendit tim, dhe paraqitja duhet të ishte dinjitoze për ne.

Sa e lehtë apo e vështirë, apo jo, është të qenit arbitre femër?

E para si një risi dhe askush nuk ishte mësuar, aq më shumë në Shqipëri, një vend i vogël, të shihje një arbitre femër, ku ende kemi pak paragjykime në lidhje me figurën e saj, kur ne i veçojmë, si sporte që janë vetëm për femra dhe ato për meshkuj. Pra, ka qenë e vështirë pa diskutim, se je në një fushë, ku përveç anës profesionale, ke edhe pjesën e tifozëve, se si do të shikohesh, komentohesh, pranohesh. Por gjëja që më ka mbajtur më shumë, është se na kanë mbështetur. Jo vetëm federata, drejtuesit e saj, sektori i arbitrimit, por edhe mjedisi. Kur shikonin femra në fushë na kanë duartrokitur, janë treguar dashamirës. Por, kemi pasur edhe nga ata që kalonin në ekstrem, si p.sh. “femrat nuk dinë rreth futbollit, këto nuk mundet ta ushtrojnë këtë profesion”, duke shfaqur mungesë të theksuar besimi te ne.

Cila ka qenë përgjigjja juaj, vetëm ajo nëpërmjet një vërshëllime?

Me punë, paraqitje dinjitoze, profesionale, u kemi treguar që edhe këta persona që janë shprehur jo mirë, kur kanë parë ecurinë tonë, janë shprehur optimistë, kanë ndryshuar mendim dhe besojnë te drejtësia e paanshme jona në vendime, interpretime teknike dhe disiplinore. Madje, duke na kanë thënë “bravo ju qoftë për vendimin e palëkundur që mbani, nuk jeni stepur nga paragjykimet”. Për diçka jam e ndërgjegjshme: Ne nuk mund t’i bindim të gjithë, ose t’i bëjmë që ta pranojnë faktin se edhe femrat duhet dhe mund ta bëjnë “arbitren”. Por, mendoj që vit pas viti, do të vijë duke u zbehur gjinia në sporte dhe fakti se kush është në fushë, arbitër mashkull apo femër.

Jeni arbitre edhe në Superligën shqiptare, befasi, por edhe besim i madh?

Po, jam e para arbitre femër në Superiore. Ndeshjet e mia në Superiore kanë qenë sfiduese për mua, sidomos e para. Ka qenë ndeshja Vllaznia-Kastrioti, kam qenë tejet e fokusuar për gjithçka, shoqëruar me shumë emocion, për sa i përket arbitrimit, se si do të shkojë dhe sa vështirë është të arbitrosh e të jesh në fushë në Superiore. Mijëra… …mendime para ndeshjes. Aty kam parë se vërtet që për trajnerët, lojtarët, është e rëndësishme ndeshja, rezultati dhe nuk ka tolerime, për faktin se mund të kalojmë më lehtë ndonjë vendim të nxituar nga emocionet se është femër. Për ta nuk ka ndryshim dhe dallim kush është në fushë, kush arbitron. Kjo edhe për spektatorin, organizatorët.

Pastaj Vllaznia-Erzeni, një tjetër sfidë delikate, me një fund përcaktues jo të lehtë?

Ndeshja ime e dytë, sërish në Shkodër, një stadium me spektatorë mirëpritës. Kam qenë me qetë dhe normalisht e kam shijuar më shumë. Këtë herë emocionet po i administroja më mirë. Edhe në këtë takim asistentët ishin meshkuj dhe me ta pata një komunikim shumë njerëzor. “Ju lutemi nuk duhet të ndërhyni në çdo gjë. Këtu jam unë dhe më mirë le të gaboj unë vetë nga mënyra se si e vlerësoj rastin. Kini besim tek unë.

Ndonëse duke dashur të më mbroni apo ndihmoni që unë të mos gaboj, e ndikuar nga ju, do të shkoj drejt gabimit”, i kam thënë para ndeshjes. Dhe gjatë 90 minutave kam parë e marrë pjesë në aprovimin e vendimeve të mia prej tyre dhe publikut. Para dhe gjatë ndeshjes e ndieja se kisha besim, duke thënë se këtë herë do ta bëj më mirë dhe të tregoj që vërtet jam gati ta bëj këtë profesion sa më mirë të jetë e mundur. Pastaj minutat e fundit të takimit, kur ti sheh orën, gati të vërshëllesh përfundimin, ndodh ajo që asnjë arbitër nuk e dëshiron…

Keni drejtuar edhe ndeshje të kampionatit të femrave, sa dhe ku ndryshojnë me ato të djemve?

Ndeshjet e femrave janë njëkohësisht të veçanta, por edhe të vështira t’i menaxhosh. Kjo nga fakti se ende ka skuadra, që nuk e kanë kuptuar akoma pjesën e disiplinës, respektit reciprok. Të qenit lojtare ke disa të drejta, por edhe kufij, si dhe unë që jam arbitre, kam një rregullore që duhet ta zbatoj. E teprojnë ndonjëherë edhe me kundërshtaret. Te femrat, kur jep një ndëshkim disiplinor, e marrin pak personale, duke menduar se ke ndonjë gjë me të, e jep qëllimisht. Ndryshe djemtë, ata duan të luajnë futboll, nuk kapen pas vogëlsirave. Sigurisht që ka momente kur e kuptojnë se e ke dhënë gabim, të mbështesin, nuk kundërshtojnë, dhe në rastet kur u kërkoj ndjesë, e pashë gabim, ma aprovojnë. Ndërsa te femrat, ky komunikim në mjaft raste është i pakuptimtë, veçanërisht kjo pjesë që t’i thuash, të pranosh se e ke bërë gabim.

Emanuela Rusta para një takimi, cili është riti juaj, nëse keni?

Në çdo moment të jetës sime, sidomos para ndeshjeve, kam një çast që lutem. Besoj shumë në Zot dhe sytë e mi janë gjithmonë nga qielli për shumë arsye të forta. Kam një engjëll që më sheh nga atje lart dhe që më jep forcë. Një ritual që më shoqëron si energji pozitive dhe më shumë se kurrë e kam ndier në Portugali te normat. Kisha pak kohë nga fatkeqësia, që kisha humbur babin dhe besimi im shumë më i madh qëndronte tek ai atje lart. Mbaj gjithmonë me vete gur të çmuar, byzylykë në dorë, edhe si fatsjellës, por besimi mbi çdo arritje i takon punës, guximit dhe sigurisht të qenit i drejtë.

Keni ndonjë arbitre modele, cila ju pëlqen më shumë ta imitoni?

Modele arbitre kam francezen Stefani Frapart, por jo ta imitoj, thjesht është frymëzim për arbitret femra për arritjet e saj maksimale në botën e futbollit. Jo vetëm te femrat, por edhe te meshkujt. Deri tani nuk kam mundur ta takoj, nuk kam pasur rast në turne apo seminare që kam qenë jashtë shtetit, organizuar nga FIFA, UEFA, ku të ishte edhe ajo. Shpresoj ta kem një mundësi të tillë në të ardhmen. Nga arbitrat shqiptarë më pëlqejnë disa, kemi një grup të mirë, me eksperiencë, perspektivë për të ardhmen. Po kështu edhe për vajzat arbitre, dita-ditës po krijohet tradita edhe në këtë sektor.

Sa e njohur jeni, si i keni raportet ditore me qytetarët elbasanas?

Në qytet më njohin dhe më vjen mirë. Më bën krenare që kam hyrë në historinë e futbollit si arbitre femër dhe për tabunë që kam thyer si e para dhe që dua të vazhdoj këtë traditë. Është e vërtetë që shumë njerëz më ndalojnë, më flasin, më respektojnë, kudo, në rrugë, në shkollë: “Arbitre – më thonë – të kemi parë në ndeshje, në televizor…” Më pyesin rreth tyre. Shoh vlerësim dhe nga tifozë, por edhe nga jo të interesuar futbolli. Ka kuriozitet të komunikojnë.

Cilat janë angazhimet nga Emanuela mësuese te Rusta arbitre?

Një bashkëjetesë në një sektor të mbizotëruar nga meshkujt. Kjo më nxit që duhet të jem e kujdesshme në çdo hap timin. E gjithë kjo shpesh më kthehet në kompleks, si do të vazhdojë jeta ime. E mendoj sigurisht. Më përpara isha shumë e lirshme, shkoja ku të doja, e qetë, tani, nuk e di, kam filluar të përqendrohem rreth shembullit që unë dua të jap, rreth figurës sime që kam krijuar dhe nuk dua që ajo të cenohet për asgjë dhe nga askush. Jam e përmbajtur në shumë veprime të miat. Aktualisht punoj si mësuese e edukimit fizik në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan.

Diçka për jetën tuaj private?

Nga jeta ime private nuk kam asgjë të veçantë për t’u përmendur momentalisht. Koha do të flasë. Është e vështirë të zgjedhësh një person që vërtet të të mbështesë, pra duhet një njeri që të të kuptojë. Edhe kur një ditë do të bëhesh nënë. Adhuroj të kem familje dhe fëmijë. Por, tani edhe për pak vite ende nuk e mendoj. Fokusi është vetëm te karriera, nuk do të mund të toleroj, ose të pranoj dikë që të më thotë, se duhet të heqësh dorë nga arbitrimi. Nuk mundem se kam një punë që vërtetë kam hedhur baza të forta dhe jam munduar maksimalisht. Vetëm unë, vetja ime, mund të vendosë fatin tim. Sigurisht për ndonjë arsye, motiv shumë të fortë i marrë nga unë, që ta ndërprisja, për tjetër gjë, absolutisht jo!

Keni preferenca, pasione, për të tjera profesione?

Janë dy që më pëlqejnë: aktrimi ose të studioja për diplomaci. Por, jam shumë edhe te televizioni, të jem pjesë e një programi produktiv-edukativ mbi sportin. Admiroj aktoren Angelina Jolie e arrirë si femër, që paraqet shumë pozitivitet. Më pëlqen të dëgjoj muzikë të ndryshme, nuk jam e përqendruar në gjëra fikse apo këngëtarë të veçantë. Gjithmonë varet edhe nga gjendja shpirtërore që mund të ndodhem në situata të caktuara.

Jeni edhe në VAR, si do ta vlerësonit për një arbitre femër?

Të qenit në VAR është një pozicion tejet i vështirë, madje ndonjëherë me shumë se të jesh në fushë, pasi një tresheje gjatë lojës, mundet t’i humbasë një situatë, për të cilën në VAR duhet të jesh shumë vigjilent, sepse ke mundësi dhe kohë më të gjatë për ta parë e trajtuar rastin, sesa arbitri në fushë. Disa ndeshje në Superiore që kam qenë edhe në këtë funksion, si te SK Tirana-Egnatia, Teuta-Partizani, Kastrioti-SK Tirana. Në mjaft takime jam angazhuar edhe në rolin si arbitre e katërt.

Cili ka qenë vendimi juaj më i vështirë?

E preka pak më sipër, në takimin Vllaznia-Erzeni, kur në minutën e 100-të, në një rast të dyshimtë për prekje të topit me dorë në zonën e Vllaznisë, por absolutisht e pamundur për mua ta konstatoja, pati reagim nga shijakasit. Pasi u konsultova me sistemin VAR, vajta në monitor, e pashë dhe sinjalizova për 11-metërsh. Një moment vërtet i vështirë, një stadium në ankth, në pritje, aq më shumë në ato minuta të fundit të lojës dhe që solli edhe barazimin 2-2. Pati reagime të ndryshme, pasi për ekipin vendës nuk ishte vendim shumë i duhur, por ata ishin të përfshirë emocionalisht, po kështu edhe tifozëria. Normale gjykoj, kur rezultati përcaktohet me një vendimmarrje të tillë, por që janë pjesë të lojës, pavarësisht se janë minutat e para apo të fundit të saj.

Më folët për një detaj, lidhur me interesimin e një kompanie televizive franceze?

Në fakt, nisja ka qenë një intervistë që unë kam dhënë me një gazetar francez, në kohën e pandemisë rreth arbitrimit, ndërsa këtë vit një gazetare që punonte pranë “AFP” kishte shprehur dëshirën, “se dua ta takoj këtë vajzë”. Folën me federatën dhe donin që patjetër të bënin këtë reklamim në shtete të ndryshme, që kanë fenomene të tilla e kanë bërë suksese, le të themi në profesione shumë të vështira. I intervistojnë, i pyesin, flasin për përditshmërinë, si e kanë atë.

Midis tyre më kishin zgjedhur edhe mua. Erdhën në shkollën time, xhiruan, panë nga afër si punoja, ndoqën një orë mësimi. Dua të bëj një pasaportë për ty, më tha, çfarë atë ti bën në një ditë. Pastaj shkuam në shtëpi, kapën disa detaje, më pas erdhëm në stadium, panë, ndoqën stërvitjen time. Një emision tek “AFP”, jo vetëm në gjuhën franceze, e kanë publikuar në shumë shtete dhe televizione të rëndësishme të huaja, për t’u dhënë vlerësim dhe peshë profesioneve dhe tabuve që femrat dita-ditës, po thyejnë tavanin e qelqtë, i cili është një pengesë e padukshme e suksesit.

Elbasani, me traditë në arbitrim, tashmë me vajza të njohura edhe jashtë Shqipërisë?

Po, një traditë e madhe, e krijuar dhe e trashëguar ndër vite. Duke u interesuar për historinë e këtij kolegjiumi, jam informuar për disa arbitra të shquar në elitën e arbitrimit shqiptar, nga Sefedin Allkja, Kristaq Peqini, Ëngjëll Suvaria, Myrteza Allkja, Vigan Guranjaku, etj. Jo vetëm këta, por edhe mjaft të tjerë. Ajo që sot është pak e veçantë, që lidhet me faktin se në Elbasan jemi tre arbitra që mbajmë stemën e FIFA-s: Enea Jorgji, unë dhe Mirjeta Salla. Një rast i rrallë për qytetin, historinë e kolegjiumit.

Çfarë mbani në arkivin tuaj sekret?

Ruaj uniformën, kartonët, bilbilin e parë. M’i patën dhuruar djemtë e kolegjiumit, në momentin kur u vendos që unë do të merrja drejtimin si arbitre kryesore. Nga dita kur nisa gjykimin si arbitre e FIFA-s, arkivoj stemat e çdo viti dhe çdo detaj, spila me flamurë të çdo shteti që shkoj e arbitroj. Kam edhe një ditar të vogël, të nisur me ndeshjen e parë, e plotësoj kur kthehem në shtëpi, pas çdo takimi që arbitroj. Falënderoj të gjithë që kanë kontribuar, nga sektori i arbitrimit, drejtuesit e FSHF-së, shoqatën e arbitrave, veçanërisht djemtë e kolegjiumit, kur në ato fillime, vinin për të më parë mua, Erindën dhe Mirjetën. U bëmë, dhe tashmë jemi si një familje.

Për të ardhur te një 90-minutësh i rrallë për Emanuela Rustën… Cili është ai?

Janë ato, ku pak kohë më parë, unë me dy asistentet e mia, Mirjeta Sallën dhe Paola Shylen, arbitruam në Tiranë, në stadiumin “Arena e Demave”, ndeshjen Partizani-AS Roma. Një ndeshje, ku skuadra italiane u paraqit me vajza, U-19. Ndonëse miqësore, ai mbetet një takim i rëndësishëm, së pari nga vlerësimi i sektorit të arbitrimit në FSHF, njëkohësisht edhe për karrierën time.

Dhe e fundit, njoftimi që ju befason?

Sapo jam njoftuar që bashkë me Juxhin Xhajën, UEFA më ka ngjitur në Kategorinë e Parë (“First Group”) të saj. Një vlerësim për mua, federatën tonë, shoqatën e arbitrave, sukses për arbitrimin shqiptar, në këtë rast të vajzave. Tashmë kam të drejtën të arbitroj ndeshjet e UEFA Champions League, UEFA Europa League, UEFA Conference League. Një angazhim i madh për mua. Duke pretenduar edhe për “Elite Group”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img