Thursday, May 30, 2024

(Intervista) Goli i dytë këtë sezon në transfertën rrogozhinase. Flet Geralb Smajli, protagonisti i fitores së Vllaznisë ndaj Egnatias: Duam titullin kampion!

Lexo

Vllaznia bëri kthesën që në ndeshjen e parë të trajnerit Tomas Brdariç. Me një gol të Smajlit ajo fitoi në Rrogozhinë, duke ruajtur vendin e dytë dhe duke shkuar 5 pikë pas rrogozhinasve kryesues. Mbrojtësi Geralb Smajli, ai që i dha 3 pikët Vllaznisë në Rrogozhinë, në një intervistë për “Panorana Sport”, ka theksuar se skuadra e tij tregoi forcën. Ai është shprehur se shkodranët do të provojnë me të gjitha mënyrat të fitojnë titullin kampion këtë sezon, ndërsa rival kryesor sheh Partizanin dhe Egnatian.

Smajli, sa e vështirë ishte për Vllazninë të merrte 3 pikët në fushën e Egnatias?

Treguam se Vllaznia është “gjallë”. Nuk patëm rezultate pozitive javët e fundit dhe e përjetuam keq eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Nuk e meritonim atë që ndodhi, u ndëshkuam nga një gabim i yni. Duhej të reagonim për të dëshmuar se jemi një ekip që meriton respekt. Tri pikët me Egnatian janë shumë të vlefshme, mundëm një rival për titull në fushën e tij dhe nuk është pak.

Keni luajtur si mesfushor i djathtë, një ndryshim roli nga trajneri Brdariç…?

U ndjeva mirë, pasi më pëlqen të avancoj përpara. Arrita edhe të shënoj dhe jam i lumtur për 3 pikët. Jam këtu për të luajtur aty ku dëshiron trajneri dhe dua ta shfrytëzoj këtë moment të mirë fizik. Dua të vazhdoj kështu, ta ndihmoj Vllazninë me gola dhe asiste për të mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë.

Ju ka sjellë fat “Arena Egnatia”, ku keni shënuar 2 gola këtë sezon. Frymëzoheni në Rrogozhinë?

Po, kam shënuar kundër Erzenit në Kupë dhe realizova edhe kundër Egnatias. Është rastësi. Edhe pse i kam shijuar golat në Rrogozhinë, do të doja të shënoja në “Loro Boriçi”. Është momenti për ta festuar fitoren me Egnatian dhe më pas të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Çfarë ndikimi pati ardhja e trajnerit Tomas Brdariç te futbollistët?

Brdariç është një trajner që e njeh ambientin, ka bërë mirë me Vllazninë. U mundua të sjellë grintë që ne ta harrojmë eliminim për të qenë konkretë në kampionat. Një punë të shkëlqyer bëri edhe profesori Qatip Osmani dhe natyrisht ka meritën e tij që Vllaznia është në vendin e dytë.

Sa shanse ka Vllaznia të shpallet kampione?

Jemi një ekip që ka cilësi dhe ka treguar se mund këdo këtë sezon. Ne i kemi mundësitë për të fituar titullin dhe do bëjmë gjithçka për të marrë trofeun në Shkodër pas 23 vitesh. Ai qytet e meriton të festojë, sepse e dashuron futbollin. Klubi është i vendosur për ta bërë këtë sezon të suksesshëm.

Cili është rivali kryesor në luftën për titull?

Mendoj që dy ekipet që kanë treguar forcë janë Partizani dhe Egnatia. Dy skuadra me cilësi, pretendente për të fituar titullin. Do të jetë një garë e fortë në fund, ku ekipi që do të gabojë më pak, do të kurorëzohet kampion.

A është ky sezoni i fundit në Superiore për Smajlin?

Nuk e mendoj të ardhmen tani, jam i fokusuar tek aventura me Vllazninë. Dua të fitoj titullin me ekipin e vendlindjes dhe më pas të shikojmë. Kam pasur disa oferta nga jashtë në merkaton e janarit. Do t’i shqyrtoj kur të vijë momenti.

Isa HALILI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img