Vllaznia është një temë që prek këdo në Shkodër dhe mësë shumti ata që e kanë mbajtur veshur fanellën kuqeblu.Një ndër ta është edhe mesfushori virtuoz i viteve ’80-’90, Ilir Kepa. Prej vitesh i zhvendosur në Bel- gjikë, ku jeton me familjen e tij, 58-vjeçari në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” komenton ecurinë e kuqebluve. Kepa ndalet te ndeshja e fundit e humbur ndaj Dinamos, të cilën thek- son se nuk duhet bërë dramë. E po ashtu ish-mesfushori analizon edhe Superioren dhe ndan një mendim edhe për ndeshjet e radhës të kombëtares shqiptare.
Profesor Kepa, thuajse fundi i fazës së parë në Superiore. Si e keni parë nivelin dhe ndeshjet e zhvilluara deri më tani?
Të them të drejtën nuk është se kam pasur mundësi të ndjek çdo ndeshje të Superligës. Veçanërisht kam parë Vllazninë, por mund të them se skuadrat që kanë bërë mirë sezonin e shkuar, do të bëjnë mirë edhe këtë edicion. E kam fjalën për Vllazninë, Egnatian dhe Partizanin, por nuk përjashtoj as ndonjë surprizë si Elbasani.
Ndalemi pak te Vllaznia, humbje kundër Dinamos. Ndikoi kartoni i kuq i marrë që në fillimin e pjesës së dytë?
Ndeshja e fundit me Dinamon besoj se pa një ndeshje me dy fytyra. Pjesa e parë ishte brilante për kuqeblutë, që kaluan në avantazh dhe dominuan. Edhe Balaj kishte një mundësi të mirë për ta dërguar në 2-0. Por futbolli është i çuditshëm dhe i papritur. Kartoni i kuq i hershëm i marrë nga Sala patjetër ndikoi në rezultatin përfundimtar. Po ashtu edhe një nga dy golat e Dinamos në mendimin tim ishte i dyshimtë.
Vllaznia humbi minimalisht 1 pikë në këtë ndeshje. Ishin të sakta zgjedhjet dhe mënyra se si vendosi Brdariç t’i përballonte blutë?
Unë kam shumë besim te Brdariç, sepse bën një punë për tu duartrokitur nga ana artistike në futboll. Ai është një trajner që duhet të lihet i qetë në zgjedhjet e tij. Trajneri e di më mirë se kushdo se çfarë bën. Nuk besoj se është momenti i duhur për të gjykuar trajnerin. Trajneri Brdariç është i duhuri për Vllazninë dhe duhet të ketë besimin total të klubit dhe gjithë ambientit të futbollit
E shikoni Vllazninë si një skuadër që mund ta bëjë hapin e madh këtë sezon? Pra, titullin kampion?
Vllazninë e këtij sezoni në syrin tim e shoh shumë kompakte dhe me grintë. Besoj se janë të qartë edhe nga ana taktike dhe e dinë mirë çfarë bëjnë. Kjo skuadër ka mundësi 99% të dalë kampion, 1% e rezervoj për euforinë shkodrane. Këtu ndikon eksperienca jo aq pozitive e disa sezoneve më parë.
Çfarë mund të presim në javët e ardhshme nga ekipi i juaj i zemrës?
E thashë që kjo skuadër garanton për të ardhmen. Nuk mund të bëhet dramë për një humbje me Dinamon, ku ndikuan edhe disa episode që ndodhin në futboll. Besoj se skuadra do të gjejë sërish ekuilibrat për fitoren. Pastaj ekipi është ende në krye të tabelës, çfarë mund të themi më tepër.
Nga sezoni i ardhshëm numri i të huajve do të jetë pa limit. Mund të ndikojë kjo në zhvillimin e futbollit tonë, te brezat e ardhshëm?
Sistemi i kampionatit me të huaj pa limit është një shkatërrim i brezave të ardhshëm të futbollit. “Viktima” e parë do të jetë Kombëtarja shqiptare dhe e ardhmja e saj. Ekipet e kampionatit tonë e kanë humbur prej disa vitesh identitetin e tyre. Dhe tifozëria duhet të mësohet me këtë, patjetër ky fakt shihet që reflekton, pasi stadiumet tona janë më të boshatisura nga sezoni në sezon.
Në fund edhe Kombëtarja, kuqezinjtë do të kenë dy ndeshje të radhës në tetor kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë. Si i shihni këta kundërshtarë?
Ndeshjet e ardhshme të ekipit kombëtar janë shumë serioze, si me çekët, ashtu edhe me gjeorgjianët, që i shikoj ekipe me goxha nivel dhe të vështira për tu kaluar. Silvinjo besoj se duhet të përmirësojë nivelin teknik të kombëtares. Jemi akoma larg kombëtareve të tjera dhe kjo më bën habi, pasi lojtarët e kombëtares sonë luajnë në mbarë Europën. Po ashtu do të preferoja të luhej me dy sulmues, pasi me një jemi të izoluar dhe të varfër në sulm. Por këto janë vendime që i merr trajneri dhe unë patjetër i uroj suksese skuadrës dhe të marrë 6 pikë.
Endri ÇINARI