Friday, April 19, 2024

(Intervista) Ish futbollisti kuqeblu Alsid Tafili, flet për përvojën e re tek Besa dhe pragsfidën e klasikes, Vllaznia-Tirana

Lexo

Alsid Tafili ish futbollist i Vllaznisë me një kontribut të çmuar tek skuadra kuq e blu, këtë sezon luan për Besën e Kavajës. Një përvojë e re për ju Tafili!  

Është një përvojë e re tek një klub me traditë, me një emër të madh në kampionatin shqiptar ku shpresoj që deri në fund të na eci sa më mbarë edhe pse deri tani nuk kemi qenë në pritshmëritë e duhura siç është vendi i parë, por shpresoj ta realizojmë deri në fund.  

Së bashku me ju luajnë dhe shkodranë të tjerë. Si duket performanca?  

Po, kemi edhe Armenis Kukën, një lojtar që ka dalur nga Vllaznia. Kemi edhe Egzon Shimën një tjetër lojtar shumë i talentuar nga Shkodra, por siç thashë deri tani situata me ndeshje ka qenë shumë e mirë por me rezultate jo dhe aq të mira.  

Ndërkohë Tafili, padyshim, edhe pse për momentin përqendrimi është tek Besa e Kavajës, mendjen e keni tek Vllaznia në Shkodër ku jeni rritur me këtë skuadër. Vllaznia po kalon një sezon fantastik, një opinion i juaji për këtë fakt?  

Askush nuk e ka menduar që Vllaznia do të jetë për kampion, të paktën deri tani po flitet që ka shumë mundësi që të dali kampion, dhe shpresojmë shumë. Normalish,t mobilizimi duhet të jetë si nga lojtarët edhe nga drejtuesit që janë shumë afër këtë vit që të dalin kampion, mos ta lëshojnë vendin e parë sepse është për tu ardhur keq. Kanë realizuar ndeshje shumë të mira, kanë marrur fitore në ndeshje direkte me ekipet kundërshtare ku kanë dhënë shumë motivim për vendin e parë.  

Ka një presion nga tre-katër skuadra që e ndjekin pas me nga 4-5 pikë. Mendoni që mund t’i krijojnë probleme për objektivin e titullit?  

Po shikojmë qe gjithë kundërshtarët po kthehen kundër Vllaznisë sepse nuk e kanë pritur të jetë ekipi që mund të dalë kampion, por një nga problemet që ka Vllaznia është tek finalizimi që po vuan shumë si dhe tek stoli. Nuk po shikojmë lojtarë që kur i jepet mundësia ndryshojnë lojën ose bëjnë diferencën. Por shpresojmë që ashtu siç trajneri ka marrur maksimumin në fazën e parë dhe të dytë, ta bëjë edhe në këtë fazë finale.  

Të flasim konkretisht për fundjavën ku në Loro Boriçi do të luhet klasikja e futbollit shqiptar Vllaznia-Tirana. Një klasike që ju keni pasur rastin ta përjetoni jo pak herë.  

Është një emocion i veçantë normalisht kur luhet kundër Tiranës. Lojtarët motivohen vetvetiu, nganjëherë nuk ka nevojë as për analizë për taktika. Shpresoj që lojtarët e dijnë rëndësinë e ndeshjes, përveç pikëve është edhe për moral kjo ndeshje, por besoj që ato do japin maksimumin sepse kundër Tiranës çdo lojtarë ka dëshirë të jetë më i miri në fushë.  

Do të ishte me interes një parashikim i rezultatit nga Tafili.  

Mendoj që Vllaznia do ta kalojë me sukses për arsyen se i duhen pikët por edhe siç kemi vënë re në ndeshjet e fundit, nuk po shikojmë një Tiranë që është në gjendjen optimale. Besoj në suksesin e Vllaznisë sepse agresiviteti i ekipit është në maksimum.  

Tafili faleminderit për intervistën dhe suksese në ekipin e Kavajës me rikithimin në Superiore dhe pse jo në të ardhmen një ribashkim me Vllazninë!  

Shpresoj dhe i uroj Vllaznisë suksese. Shpresoj dhe ekipi i Besës të bëjë maksimumin këtë vit.  

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img