Thursday, May 30, 2024

(Intervista) Kompleksi modern, zhvillimi i vrullshëm i futbollit deri te Shqipëria në Europian / Presidenti Duka rrëfen evolucionin e FSHF-së

Lexo

Kur ka mbetur më pak se një muaj nga Kampionati Europian “Gjermani 2024”, emisioni “Opinion” në Tv Klan që drejtohet nga Blendi Fevziu, i ka kushtuar një hapsirë të veçantë Federatës Shqiptare të Futbollit e në veçanti Presidentit Armand Duka.

Emisioni i titulluar “Armand Duka, Shqipëria në Europian!” prek një sërë temash, ku Blendi Fevziu i shoqëruar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njihet nga afër me investimin madhor të FSHF-së, kompleksi modern sportiv që ofron të gjitha kushtet për ekipet Kombëtare dhe jo vetëm. Gjithashtu gjatë intervistës Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur për disa tema të ndryshme, vështirësitë e të kaluarës në krye të FSHF-së dhe transformimin që ka pësuar institucioni i futbollit në vend.

“Zyrat janë inauguruar në vitin 2022, por ne kemi filluar punë gjatë pandemisë Covid-19, megjithatë inagurimin e kemi bërë gjatë vitit 2022. Zyra e FSHF-së dikur ka qenë në stadiumin e vjetër “Qemal Stafa”, një zyrë nën 100 metra katror, sot kemi një godinë me katër kate dhe magazinën me katin nëntokë dhe të gjitha facilitetet që i duhen. Federata ka një lloj kompleksiteti, duket sikur është thjesht një lojë, por është menaxhim futbolli. Ka të gjitha departamentet. Nëse nuk ke kushtet e stërvitjes, nuk ke administrim, organizim dhe çdo gjë të mirë, pastaj është e vështirë të arrish rezultat. I gjithë kompleksi është pronë e FSHF-së. Është investuar dhe zhvilluar nga FSHF, ka kompleksin e zyrave, fushën me bar artificial dhe dy fusha të tjera me bar natyral. Këtu stërviten të gjithë ekipet Kombëtare të moshave dhe ekipi i parë. Kombëtarja A stërvitet vetëm në fushat e tjera me bar natyral. Gjithë stërvitjet bëhen këtu, fushat kanë edhe dy tribunat të cilat kanë një kapacitet prej 500 vendesh. Këtu bëhen stërvitjet e ekipeve Kombëtare dhe organizohen edhe shumë turne moshash ndërkombëtar, vetëm vitin e kaluar kemi organizuar rreth 11 turne. Ne kemi edhe ekipin Kombëtar të veteranëve, kemi ekipet Kombëtare të djemve që luajnë në kompeticionet ndërkombëtare, U-15, U-17, U-19, U-21 dhe ekipin A. Të njëjtën gjë edhe te vajzat, por nuk kemi vetëm ekip Kombëtar U-21, pasi nuk ka aktivitet. Të gjitha ekipet Kombëtare luajnë futboll në kompeticionet ndërkombëtare, në kualifikueset për Europianin dhe Botërorin. Kampionati Europian i grupmoshës U-17 në vitin 2025 do të organizohet në Shqipëri. Ekip organizator kualifikohet direkt dhe ne do të marrim pjesë në finale. Janë dy mini-stadiume që plotësojnë çdo kriter për të organizuar qoftë edhe një ndeshje ndërkombëtare.

Ekipi Kombëtar do të fillojë grumbullimin në “Shtëpinë e Futbollit” nga 22 maj deri më datë 31 maj, pastaj do të udhëtojë drejt Austrisë ku do të qëndrojë për rreth një javë. Do të zhvillojmë edhe dy ndeshje miqësore atje, me datë 3 qershor ndaj Lihtenshtejnit dhe me datë 7 qershor kundër Azerbajxhanit. Ekipi do të stërvitet në një kompleks sportiv shumë të mirë, aty afër kemi qenë edhe në vitin 2016 para Europianit. Dy ndeshjet miqësore do të zhvillohen në Hungari por që është shumë afër me hotelin ku ne jemi, në një stadium që quhet Haladás Sportkomplexum”, me rreth 8 mijë vende, i ri dhe shumë i mirë.

Stërvitjet e ekipit Kombëtar në përgjithësi zhvillohen me dyer të mbyllura, në përgjithësi 15 minutat e para janë të hapur për mediat. Ka raste kur bëhen stërvitje të hapura dhe në këtë rast bëhet njoftim dhe mund të vijnë spektatorët dhe media. Në Kaiserau është qendra sportive që do të akomodohet ekipi Kombëtar në Europian.

Buxheti i FSHF-së varet nga rezultatet sepse nëse shkon në Europian ke të ardhura më shumë. Me gjithë të ardhurat e Europianit, sepse vetëm të ardhurat nga Europiani arkëtohen 9 milion e 250 mijë euro, kështu që buxheti shkon rreth 25 milion euro. Kur e mora Federatën buxheti ishte afërsisht 200 mijë euro. Kur kam filluar unë President, kontrollin e Federatës e kishte shteti, paguante një listë pagash me 12-të persona, ku paga më e lartë ishte e Sekretarit të Përgjithshëm me 200 mijë lek të vjetra. Një arbitër merrte 2 mijë lek të vjetra. Që nga ajo kohë kemi filluar menaxhimin vetëfinancues dhe nuk kemi asnjë gjë nga shteti”.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli edhe për stadiumin “Air Albania” që menaxhohet nga FSHF.

“Stadiumi administrohet nga ne, pjesa sportive. Menaxhimi i stadiumit kushton dhe gjëja që kushton më shumë është energjia elektrike në stadium. Panelet diellore do i vendosim tani. Nuk ka qenë e lehtë për arsye të legjislacionit shqiptar, tani është koha e përshtatshme që duhet t’i vendosim dhe këtë vit besoj se do t’i vëmë.

Makina që është me ndriçues për rritjen e barit edhe me ventilator për ta ajrosur, bari ka kushtuar vërtetë shumë, por kosto më e madhe është shpenzimi i energjisë elektrike për të, sepse duke qenë stadium i mbyllur, sidomos kjo pjesa jugore nuk merr dritë dhe do ta mbash barin me dritë artificiale dhe ajo na kushton. Ka muaj që shpenzojmë dhe 40 mijë euro energji elektrike”.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për punën që bëhet në afrimin e futbollistëve në ekipet Kombëtare.

“Tashmë ne jemi 34 vjet nga viti 90’ dhe flasim për fëmijë 12-13-14 vjeç që padiskutim janë të lindur andej, fillojnë natyrshëm futbollin atje, fillojnë me ekipet përfaqësuese rajonale dhe shkojnë në ekipe kombëtare atje dhe nëse ka një ftesë nga këto ekipet e mëdha, preferojnë të luajnë atje, por ka edhe plot që zgjedhin Shqipërinë. Në të gjitha rastet vendos familja. Kemi futbollistë dhe në ekip të parë dhe kanë zgjedhur Shqipërinë, siç është Kumbulla që në fakt ka pasur ofertë nga Federata Italiane dhe unë kam biseduar dhe me Federatën Italiane, kemi dhe vëllezërit Shpendi që kanë pasur realisht ofertë nga Federata Italiane që kanë zgjedhur Shqipërinë. Kam përshtypjen se futbollistët që kanë luajtur në Shqipëri kanë pasur një karrierë më të gjatë me ekipin e Shqipërisë. Të njëjtën gjë e them dhe në biseda miqësore. Unë po të isha, do të kisha zgjedhur Shqipërinë jo vetëm se jam patriot apo se jam nacionalist, por qoftë edhe për interesa sportive, ke më shumë mundësi. Nëse do të them historinë e atyre që kanë zgjedhur ekipe të tjera, përveç atyre që kanë zgjedhur Zvicrën që vërtetë kanë bërë karrierë, të tjerë nuk është se kanë bërë një karrierë. Kemi rastin e Shkodran Mustafit që ishte një super talent, zgjodhi Gjermaninë, vajti dhe në një kampionat botëror, 1 herë dhe nuk luajti më. Unë besoj se ka marrë më shumë kënaqësi Lorik Cana sesa Shkodran Mustafi. Ka edhe raste të tjera që kanë zgjedhur ekipe të tjera. Megjithatë është zgjedhja e tyre, po të isha unë do të kisha zgjedhur Shqipërinë”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka treguar më shumë detaje për fillimet e tij në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ndër të tjera ai foli edhe për kushtet në të cilat e gjeti Federatën.

“Jo futboll të luajtur kurrë si gjithë fëmijët vetëm futboll amator. Padyshim që kam qenë shumë tifoz, jo vetëm i Kombëtares shqiptare, por edhe i klubeve. Kam qenë tifoz në qytetin tim ku kam lindur dhe jam rritur në Shijak. Aty kam filluar edhe kontaktin e parë le të themi me sportin në përgjithësi dhe me futbollin, pjesë e komuniteteve të futbollit gjatë gjithë viteve 90 të paktën dhe duke qenë se kisha miqësi me komunitetin e futbollit, realisht duket e pabesueshme, por s’kisha ide dhe asnjë lloj ambicie për të qenë pjesë e Federatës së Futbollit dhe as nuk e dija se çfarë bën kjo Federatë.

Kam qenë shumë pjesë e komunitetit të futbollit dhe kam pasur shumë lidhje me ta dhe ish-presidenti i Vllaznisë në atë kohë më tha që pse nuk kandidon për president se kemi zgjedhje në Federatë. I thashë ç’lidhje kam me Federatën se mua nuk më del koha për punët e mia jo më për Federatën. Më tha nuk ke shumë punë, se i bën administrata punët.

Që ditën e parë që hyra zbulova që nuk ishte kot. Ishte një sfidë e vështirë në atë që gjeta. Jo vetëm presidenti i Vllaznisë, por edhe drejtuesit e tjerë të klubeve menduan që le të jetë një drejtim ndryshe, një menaxher që ka bërë sukses në biznes, apo në menaxhime të tjera dhe siç edhe dihet apo e kemi rrëfyer në fillim që Federata kishte një zyrë poshtë shkallëve të stadiumit dhe m’u duk sikur bëra një revolucion. Binte uji brenda. Morëm një zyrë me qira dhe m’u duk se kaluam në luks, por sot kur jemi këtu po kuptoj që paskemi qenë edhe atje në ferr”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tregoi edhe njëherë si u bë e mundur arritja e marrëveshjes me trajnerin Gianni De Biasi, i cili shkruajti historinë me Kombëtaren kuqezi, duke u kualifikuar për herë të parë në Europian.

“De Biasi bëri sukses historik sepse për herë të parë shkuam në Europian dhe nëse ka interes mund të ta them historinë e marrëdhënies së parë me De Biasi-n. Ne shkuam për të intervistuar disa kandidatura të rekomanduara nga lidhje të ndryshme dhe shkuam në Milano, e kishim vendosur që do të ishte trajner italian dhe unë, zëvendëspresidenti i Federatës në atë kohë, Bujar Kasmi, Sekretari i Përgjithshëm dhe drejtori teknik, shkuam në Milano dhe intervistuam 4 ose 5 kandidatura. Një nga ato ishte De Biasi. E pashë që kur erdhi në takim, erdhi kot, sepse nuk kishte në mend të vinte në Shqipëri, tha “okej, do ta mendoj, do ta them”. Më vonë mora vesh që De Biasi priste që të ikte trajner me Getafe, sepse Getafe kishte humbur 5 ndeshje radhazi, takimi që bëmë ne ishte ditën e diel, ditën e hënë Getafe luante me Barcelonën që normalisht do humbte dhe ato do të shkarkonin trajnerin dhe do ikte te Getafe. Ditën e hënë Getafe fitoi me Barcelonën 3-0 kështu që ky nuk shkoi atje dhe na tha neve “po” edhe erdhi në Shqipëri. Edhe vetë tani e thotë që “Zoti më ka ndihmuar”.

Kur e takoj De Biasi-n sot, më thotë: si në Shqipëri nuk ndihem në asnjë vend tjetër, punova në Azerbajxhan trajner i ekipit kombëtar, dilja në rrugë, nuk më njihte njeri. Edhe sot vij në Shqipëri dhe më ndalojnë të gjithë për fotografi, kështu që shqiptarët e duan”.

Gjatë intervistës, Presidenti Duka, tregon se si u zgjodh Zv.President i UEFA-s.

“Po të kthehem në vitet e para, 2002 kur unë jam zgjedhur President i Federatës së Futbollit, unë as që e mendoja se do të kandidoja ose do të pretendoja për të qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv apo Zv.President i UEFA-s. Më vonë, vit pas viti fillova të mendoja se ne edhe mund të përfaqësohemi pak më mirë. Pas një mbledhje që kishim në Zvicër isha me Fadil Vokrri dhe ai më tha që “pse nuk kandidon për Komitet Ekzekutiv” dhe aty fillova duke e menduar këtë gjë. Takova 2-3 kolegë dhe i pyeta. Pastaj kandidova për Komitet Ekzekutiv, në zgjedhjet e fundit isha dhe kjo është në përgjithësi tradita në UEFA, ai që votohet më shumë, bëhet Zv.President i UEFA-s dhe unë isha më i votuari në Kongres dhe u zgjodha”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli edhe për projektet e reja që synohen të realizohen në të ardhmen.

“Aktivitet i rëndësishëm shumë është edhe kampionati i 17-vjeçarëve në 2025 në Shqipëri dhe tani ne kemi aplikuar për të pasur Kampionatin Europian të 21-vjeçarëve në 2027 në bashkëpunim Shqipëri, Serbi. Do të jemi kandidatë të përbashkët. Është edhe Turqia një prej kandidatëve.

Duhen minimumi tetë stadiume për të organizuar një kampionat europian. Ne i kemi katër stadiume aktualisht, kemi “Air Albania”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçin” dhe “Kukës Arena” që është në të njëjtën kategori, kategoria e katërt ku mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare. Dhe kemi për të ndërtuar edhe tre stadiume të tjera në Vlorë, Korçë edhe Durrës.

Në synojmë të organizojmë një kampionat futbolli që është sportiv, por në fund të fundit edhe në këndvështrimin politik është një gjë sportive. Në fund të fundit, duhet të jetojmë në paqe me njëri – tjetrin”.  

Europiani “Gjermani 2024”, Presidenti Duka, tha se Shqipëria do të luajë me skuadrat më të forta të botës në Europian. Gjithashtu kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh se është bërë gjithçka gati për Europianin dhe se beson se ekipi Kombëtar do të jetë në nivelet e perfeksionit në “EURO 2024”.

“Unë nuk e kam parë si një grup ferri, unë e kam parë si një grup vërtetë simpatik. Do të luajmë kundër ekipeve të mira të botës dhe ne ato do të kemi në grup. Është bukur të sfidosh dhe të ndeshesh kundër ekipeve të tilla. Nuk janë më të dobët të tjerët. Ndeshjet e futbollit janë të gjitha të vështira. Nuk ka diferenca të mëdha. Ne mund të arrijmë. Nëse ne do të bëjmë atë që kemi bërë gjatë ndeshjeve eliminatore, ne padyshim që do të bëjmë një performancë pozitive. Uroj që ne ta kemi. E rëndësishme që t’i kemi futbollistët mirë. Kemi bërë gjithçka gati, besoj se do të jemi në nivelet e perfeksionit që futbollistët të mendojnë vetëm për të luajtur dhe për të arritur një rezultat pozitiv. Nuk kemi gjë për të humbur në Europian. Unë kam besim tek Silvinjo dhe çunat, presionin le të ja lëmë atyre dhe ne të kënaqemi me atë që kemi arritur”.

Ndeshja e parë e Shqipërisë në Euro 2024 që do të jetë kundër Italisë dhe kuqezinjtë do të kenë edhe mbështetjen e të gjithë ish-futbollistëve të ekipit kombëtar që kanë luajtur qoftë edhe një minutë të vetme me fanellën shqiptare.

“Unë besoj se nuk janë penduar që kanë luajtur me Shqipërinë, madje janë edhe të lumtur sepse ne ia demonstrojmë mirënjohjen që kanë kontribuar për futbollin shqiptar të gjithë futbollistëve dhe fakti që ne në çdo aktivitet padyshim, që të gjithë kush ka luajtur për Kombëtaren shqiptare është prezent, madje edhe në kampionatin Europian 2016 të gjithë kanë qenë të ftuar në ndeshjen hapëse kundër Zvicrës, e njëjta gjë do të ndodhë edhe tani, në ndeshjen hapëse kundër Italisë, të gjithë, kush ka luajtur për Kombëtaren shqiptare, në të gjithë historinë e saj, është i ftuar. Po janë mbi 200 futbollistë që janë të ftuar, që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ndeshjen me Italinë”.

E ardhmja e trajnerit Silvinjo? Presidenti Duka, tha se teknikut brazilian i është ofruar rinovimin i kontratës edhe për dy vite të tjera.

“Ne jemi të kënaqur me atë çfarë ka bërë trajneri Silvinjo dhe i kemi ofruar rinovimin e kontratës për dy vite të tjera, synimi kryesor është kualifikimi në Botëror”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img