Saturday, July 27, 2024

(Intervista) Nga: Martin DEDAJ-Trajneri Dritan Smajli: Bësëlidhja do të jetë patjetër në kategorinë e parë…

Lexo

Besëlidhja në sezonin e ardhshëm futbollistik, do të jetë patjetër në kategorinë e parë. Këtë e deklaron në një intervistë ekluzive trajneri i Besëlidhjes Dritan Smalji, teksa komplimenton lojtarët e tij për atë çfarë dhanë në ndeshjen me Ilirinë, ku pavarësisht mungesave dhe vendosjes së disa prej tyre në pozicionet jo natyrale, ata dhanë maksimalen në fushë. Barazimin 0-0 e konsideron të drejtë, dhe vlerëson albitrimin, njëherësh apelon për drejtësi gjykimi deri në fund të garës. Ekipin që ai drejton e sheh në kategorinë e parë, teksa deklaron se: “Besëlidhja do ti fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura dhe do ta arrijmë objektivin, me të gjitha mënyrat, duke patur kundërshtar edhe albitrimin”.

Smajli, dy pikë të humbura përballë Ilirisë?

– Po të shohësh ndeshjen mendoj që rezultati i saj është i drejtë, duke u bazuar në atë çfarë skuadrat dhanë në fushën e lojës. Kuptohet që ne kërkonim fitoren, pa mundur ta arrinim atë. Por duhet të pranojmë se në këtë ndeshje kishim me të vërtetë mungesa të disa lojtarëve në skuadër. Në këto kushte më është dashur, që të bëja disa lëvizje dhe lojtarë të caktuar të mos i kisha në pozicionet e tyre natyrale. Gjë e cila bëri që, edhe interpretimi i lojës të mos ishte në nivelin më maksimal, pikërisht aty ku unë e kërkoj skuadrën. Megjithatë post të gjitha këtyre, mendoj që skuadra dha gjithçka në fushë për të shkuar tek fitorja, por vështirësitë u hasën gjatë lojës, sepse edhe forca goditëse e jona nuk ishte në nivelin e duhur.

Përpos mungesave, a ndikoi terreni rrëshqitës i fushës në skemat e lojës që ju kishit përgatitur?

– Kuptohet që edhe terreni rrëshqitës ndikoi dhe ishte një ndër shkaqet e mos shfaqjes së ekipit ashtu siç duhej në fushë, sepse gjatë gjithë javës ne jemi stërvitur në një terren jo të lagësht dhe në ditën e ndeshjes u përballëm me një terren krejt ndryshe. Por kjo duhet pranuar se është pjesë e futbollit, dhe ndikimi ishte njëlloj për të dyja skuadrat. Por e thashë dhe e ritheksoj edhe një herë se lojtarët që nuk luajtën në pozicionet jo natyrale të tyre, pavarësisht impenjimit dhe angazhimit maksimal të tyre, bënë që ne të mos kishim një interpretim të drejtë të lojës ashtu siç e kishim përgatitur skuadrën gjatë javës. Megjithatë edhe kjo është pjesë e futbollit, pasi gjatë garës do të kesh edhe mungesa për arsye të ndryshme dhe duhet të jesh i parapërgatitur për çdo situatë, por ajo që duhet të theksoj është fakti se çunat për këtë ndeshje meritojnë notën dhjetë për atë çfarë dhanë në fushën e lojës dhe për këtë i komplimentoj.

Diçka për gjykimin?

– Për gjykimin i takon dikujt tjetër ta bëj një gjë të tillë, dhe nuk dua të merrem fare me këtë pjesë dhe shpresoj që i tillë gjykim të jetë në çdo ndeshje, sepse gjygjtari në këtë takim mbajti më drejt sesa ç’duhej. Kështu që unë shpresoj, që të tilla ndeshje dhe të gjitha ndeshjet e tjera deri në fund të garës, të jenë me një albitrim të tillë.

Iliria merr një pikë të vlefshme në Lezhë, por ju keni fituar në Fushë Kruje përballë saj, komenti juaj?

– Vërtetë që ne lamë dy pikë të çmuara në Lezhë, por ky është futbolli dhe duhet pranuar çdo rezultat. Por ndryshe nga Lezha, më duhet të evidentoj faktin se ne kemi fituar në Fushë-Krujë, përballë një vështirësie dhe trysnie jashtëzakonisht të madhe të ardhur në dy drejtime; Tensioni apo dhe presioni po themi i ushtruar prej vendasve në fushë dhe stadium, si dhe një gjykim tërësisht i njëanshëm. Dhe pavarësisht këtyre ne kemi fituar. Por të mos harrojmë se atëherë skuadrën e kam patur të plotë.

Për sa kohë matematika e lejon, pretendon edhe Iliria, skuadra që ju drejtoni vazhdon të jetë në llogoret e saja për të dale në kategorinë e parë?

– Kjo as që nuk duhet vënë në diskutim. Se pavarësisht pretendimeve të skuadrave të tjera, ne bëjmë llogaritë tona dhe jemi të motivuar për të fituar ti gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund dhe realizuar objektivin. Mendoj që Iliria e ka të vështirë daljen në kategorinë e parë, pasi Valbona ka fituar në transfertë përballë Tërbunit dhe është barazuar me pikë me ne, dhe Iliria është e shkëputur katër pikë prej nesh. Kështu që rivale direkte ne do të kemi Valbonën e Tropojës, pavarësiht se në futboll ndodh gjithçka dhe brenda kësaj gjithëçkaje ka shumë factor, që mund të ndikojnë. Për tu kthyer tek Besëlidhja, e ritheksoj, se ne jemi të vendosur në objektivin tonë, për arritjen e të cilit na duhet të fitojmë shtatë ndeshjet e mbetura deri në përfundim të kampionatit. Një gjë e tillë mendoj se është plotësisht e mundshme, sepse skuadrën e kam të mirë, përkrahja dhe mbështetja është e plotë, prandaj mendoj dhe besoj se, ne do ta arrijmë objektivin me të gjitha mënyrat, duke patur kundërshtar edhe albitrimin.

Suksese

– Suksese dhe faleminderit dhe juve.

____________________

* Realizuar pas ndeshjes; Besëlidhja-Iliria, zhvilluar në Lezhë më, 24.02.2024. Fotoja: Agostin Cin MARINI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img