Monday, November 11, 2024

(Intervista) Optimizmi i Presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferi: “Mund të bëjmë edhe më mirë se kaq. Me final 4, titulli është i mundshëm për t’u fituar”

Lexo

Fitorja kundër Erzenit e ka lumturuar pa masë presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi. Ai festoi me lojtarët dhe stafin teknik në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes së fundit në stadiumin e Rrogozhinës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i klubit shkodran theksoi se skuadra është në rrugën e duhur për të arritur objektivat. Sipas tij, primare për Vllazninë është sigurimi i pjesëmarrjes në Europë. Megjithatë, Xhaferi ka bindjen se me formulën e re për ekipin kampion, edhe skuadra e tij ka shanse të mëdha për titullin në “Final 4”.

Alban, një triumf që u arrit në fund kundër Erzenit, por Vllaznia vijon të marshojë. Si ndihesh pas këtyre 5 fitoreve njëra pas tjetrës?

Jam i kënaqur me skuadrën, pasi morëm 3 pikë kundër një ekipi të fortë si Erzeni. Të shijon edhe më shumë kur fiton me vështirësi, por për ne rëndësi ka që ia dolëm kundër një kundërshtari të motivuar në fushën e lojës. Jemi futur në një ritëm të admirueshëm, pasi të gjithë në klub po punojnë mirë. Natyrisht që me punën e tyre kanë ardhur edhe rezultatet pozitive. I kemi mundësitë të vazhdojmë kështu pas atij fillimsezoni të tmerrshëm. Shikoj te futbollistët dëshirë dhe grintë për të bërë mirë. Kjo atmosferë më kënaq për vazhdimësinë.

Ndryshimi i trajnerit dhe drejtorit sportiv duket se ka dhënë frytet e veta. Cila është forca e kësaj Vllaznie?

Forca jonë është grupi. Këtu janë pafund njerëzit që punojnë për këtë skuadër dhe në këtë moment gjej rastin t’i falënderoj. Trajneri dhe drejtori po bëjnë mirë, por mund të bëjnë edhe më mirë, pasi mundësitë dhe shanset janë aty. Rëndësi ka që jemi në një moment pozitiv dhe duhet ta gëzojmë, por duke u fokusuar te ndeshja e radhës. Asgjë nuk kemi arritur, kështu që të rikuperojmë sa mundemi nga e shkuara, në mënyrë që e ardhmja të mos na rezervojë surpriza të pakëndshme.

Cili është objektivi real i Vllaznisë?

E kam thënë në fillim të sezonit dhe po e riktheksoj që ne duam Kupat e Europës. Momentalisht jemi brenda objektivave, por kjo nuk do të thotë që mund të shkojmë edhe më larg. Me formulën e aplikuar këtë sezon, mund të arrihet gjithçka, që do të thotë se edhe titullit do t’i bëhet hyzmeti. Kemi edhe 16 javë deri në fazën e “Final 4”. Pra, është një rrugë e gjatë dhe tejet e vështirë, jo vetëm për Vllazninë, por për këdo që e ka këtë objektiv. Duhet t’i marim ndeshjet një e nga një dhe më pas të shohim se ku mund të shkojmë. Skuadrës nuk i mungon gjë për të tentuar maksimumin.

Në këndvështrimin tuaj, cilin shikoni si rivalin më të fortë në luftën për titullin?

Gjykoj që nuk ka diferenca mes skuadrave të ashtuquajtura favorite për titull dhe këtë e dëshmojnë rezultatet. Të gjitha ekipet kanë ulje-ngritjet e veta, si dhe pikat e dobëta ku mund t’i bësh keq. Titulli vendoset me ndeshje teke dhe në këtë pikëpamje mendoj që nuk ka as parashikime dhe as favoritë. Ne humbëm në Kukës me Tiranën dhe fituam në ndjeshjen në “Selman Stërmasi”. Në futboll, ashtu si kudo në jetë, për të fituar duhen shumë komponentë, të bërë bashkë.

Merkatoja e janarit do edhe 9 ditë që të mbyllet. Do të ketë afrime të tjera te kuqeblutë?

Merkatoja e janarit, në këndvështrimin tim, është thikë me dy presa, pasi të paktën kështu na ka rezultuar gjatë viteve të fundit. Përjashto afrimin e Bekim Balajt, nuk kemi goditur në shenjë me afrimet e tjera. Lojtarët në merkaton e dimrit vijnë pa fazë përgatitore, nuk njohin ekipin dhe atyre u duhet kohë për t’u ambjentuar. Janë drejtuesit e stafit teknik ata që bëjnë llogaritë dhe nëse do të duhet ndonjë ndërhyrje, do ta bëjmë, por gjithmonë duke qenë të kujdesshëm.

Isa HALILI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img