Uliks Kotrri, ish-kampioni i S qipërisë me Vllazninë, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Në intervistën e tij, ai ka analizuar ndeshjen e Kupës, Vllaznia-Dinamo. Sipas ish-mbrojtësit, gjithçka ishte e drejtë për sa i përket rezultatit bazuar në lojën e zhvilluar.
E ndërsa thekson se shanset për kualifikimin në finale janë 50 me 50 mes dy skuadrave. Ndër të tjera, ai ka besimin se kuqeblutë mund të arrijnë suksesin përfundimtar, si në kupë edhe në kampionat në përfundimin e edicionit.
Kotrri, një barazim 0-0 i Vllaznisë në ndeshjen e parë kundër Dinamos, i drejtë?
Po, besoj për nga mënyra se si shkoi ndeshja, ishte shumë e barabartë. Pak episode për t’u përmendur nga ana e të dy kampeve, ku m’u duk se ishin të “kënaqura” me një barazim. Për të zgjidhur gjithçka në ndeshjen e kthimit. Patjetër, të dyja ekipet kanë cilësi dhe ndoshta ishte disi “zhgënjyese”, që nuk pamë një lojë të hapur apo të bukur.
Mund të bënte diçka ndryshe ekipi?
Vllaznia u tregua e kujdesshme, kjo për të mos pësuar gol në ndeshjen e parë. Sepse vështirësitë do ishin më të mëdha në duelin e kthimit. Tashmë është “llogari” gjithçka dhe një hap i gabuar, të nxjerrë jashtë objektivave dhe rrezikon të mos fitosh asgjë. Ekipi ndoshta duhej të shfaqte më shumë agresivitet dhe të ishte më i “ashpër” në aspektin sportiv me kundërshtarin.
Si i shikoni shanset e kualifikimit në finale mes dy skuadrave?
Për mua, gjithçka është e hapur dhe shanset janë 50 me 50. Do luhet në Elbasan, që teorikisht është një fushë asnjanëse, pavarësisht se pritës është Dinamo. Vllaznia ka shanse totalisht po aq sa ka edhe Dinamo për të arritur finalen. Me dy trajnerë që dinë të zgjidhin ndeshje të tilla dhe që do të jenë edhe një herë përballë njëri-tjetrit.
Pse Vllaznisë po i “çalon” loja sulmuese?
Sepse titullari i zakonshëm, Balaj, mungoi në këto ndeshje të fundit. Po ashtu, edhe Mensah që është zëvendësuesi i tij nuk ishte i gatshëm ndaj Dinamos. Lojtarë si Gruda, Dodaj apo Mala janë futbollistë cilësorë, por që nuk i kanë tiparet e qendërsulmuesve tipikë. Prandaj, besoj se pamë edhe pak goditje në portë në ndeshjet e fundit që ka zhvilluar Vllaznia.
Sa ka peshë mungesa e një personazhi si Balaj?
Jashtëzakonisht shumë, ai është sulmuesi më i mirë i kampionatit. Trajneri është munduar ta çlodhë 2-3 herë duke aktivizuar Mensah. Por ganezi, pavarësisht se vrapon dhe ka shpirt gare, i mungon cilësia te goli. Dhe e shoh problematik në këtë aspekt. Uroj që Bekimi (Balaj) të kthehet i gatshëm në 100% të formës, në momentin kur i duhet skuadrës më tepër. Në ndeshjet e “Final 4” që vendosin gjithçka në fundin e edicionit për fitimin e kampionatit.
Mundet Vllaznia të triumfojë në të dyja kompeticionet?
Kam totalisht besim se Vllaznia i ka aftësitë dhe mundësitë për të arritur tek suksesi. Skuadra ka cilësi, ka një trajner të mirë dhe një ambient që e mbështet. Besoj se kushtet janë ideale për të arritur suksesin në fund. Shto këtu edhe faktin se ekipi në ndeshjet me të mëdhatë e ka treguar shpesh veten gjatë këtij edicioni, duke treguar që i ka cilësitë për triumfin final.
Po ashtu, dua që publikisht të përmend një emër që po mbështet fuqishëm Vllazninë këtë sezon. Ai është Ardit Kraja, një biznesmen shkodran që i ka qëndruar shumë afër ekipit këtë edicioni, por edhe më përpara. Ku së bashku edhe me presidencën e kuqebluve po plotësojnë kushtet maksimale për futbollistët.
Kush mund të jenë kundërshtarët e Vllaznisë deri në fund?
Besoj se gjithçka do vendoset në fund mes tri skuadrave, Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo. Këto 3 ekipe besoj se do jenë edhe fituesit e trofeve në fund të edicionit. Partizanin e shikoj më pas, për shkak të revolucionit që bëri në ekip gjatë janarit. Dhe nuk i shikoj aq të fortë sa janë 3 ekipet e sipër përmendura.
Endri ÇINARI