Wednesday, April 24, 2024

(Intervista) Pragndeshja, Vllaznia-Kastrioti. Josa: Ndeshje me shumë nerva, fiton skuadra që do të ketë nervat më të forta

Lexo

Nesër, ora 17:45, Vllaznia pret në stadiumin “Loro Boriçi” Kastriotin e Krujës. Pas asaj humbje zhgënjyese të javës së kaluar në transfertën rrogozhinase duke u mundur nga Egnatia me rezultatin 3-0, tifozëria shkodrane kërkon patjetër fitoren tre pikëshe. Një synim të tillë edhe edhe vetë skuadra me në krye trajnerin Mirel Josa, por për t’ia arritur këtij qëllimit nuk do të jetë e lehtë, pasi krutanët kanë një skuadër të mirë, gjë që e kanë treguar duke mundur Kukësin në transfertë dhe barazuar me Tiranën kampione në Kamëz. Në konferencën për shtyp të pragndeshjes me Kastriotin, njëshi i pankinës kuqeblu Mirel Josa, vlerëson kundërshtarin ndërkohë që flet edhe për rikthimet, dëmtimet, të rinjtë si dhe tifozërinë kuqeblu.

Profesor, nesër momenti për tre pikëshin ndaj krutanëve, për të bërë kthesen e duhur pas asaj humbje zhgënjyese  me Egnatian javën e kaluar?

Nuk është problem se nesër duhet kthesa, më mërzisin shumë oshilacionet që ka skuadra. Mënyra sesi shfaqen këto, nuk është problem se nesër do të luajmë me Kastriotin. E kanë treguar cilët janë, kanë fituar në Kukës dhe kanë barazuar ndaj Tiranës. Duhet karakter dhe duhet të rrisim personalitetin tonë si ekip.

E keni lënë pas humbjen me Egnatian?

Nuk duhet t’i futem analizës që është bërë në ndeshjen me Egnatian, që më ka mërzitur më shumë se Erzeni. Një skuadër pëson gol, bën edhe gabime. Ne kemi treguar se kur bëjmë gabimin e parë, jemi gati të bëjmë edhe të dytin radhazi. Nuk ka problem, gabime bëhen. 75% e golave bëhen nga gabime, qoftë individuale ashtu edhe kolektive. Kundërshtarët nuk falin nëse gabon, nesër do jetë ndeshje me nerv. Ajo skuadër që do ketë më shumë nerva, fiton.

Thuajse në të gjitha skuadrat e Superiores ballafaqoheni me futbollistë shkodranës që luajnë me ekipet e tjera. Nesër në fushë npër Kastriotin janë edhe dyshja e mirënjohur, Edon Hasani-Abaz Karakaçi.

Janë ekip që i njoh, ka futbollistë që i kam stërvitur. Dy lojtarët në fjalë kanë gjetur veten te Kastrioti dhe kanë. Unë nuk do t’i quajë lojtarë shkodranë, por lojtarë të Kastrioit që kontribuojnë për Krujën.

Në këto pesë javët e para, formacioni nuk ka qënë i plotë, dhe përsëri ka mungesa. Sa ndikon kjo në fushën e lojës?

Kemi dëmtime dhe kartona. Kemi punuar që ata që janë të gatshëm, të bëjnë më të mirën. Lojtarë nuk janë ata që nisin lojën, janë edhe ata që futen në vijim. Unë kështu e shoh, të gjithë të japin më të mirën kur thirren. Përpos Latifit dhe Boshnjakut që vazhdojnë të jenë të dëmtuar, do të mungojë edhe Bulatoviç. Pas ndeshjes në stërvitje mori një dëmtim që është ekzaminuar.

Duket një frymë e re këtë sezon për elementin e ri. Do të vijojë Josa t’i japë minuta talenteve të stolit kuqeblu?

Më pëlqen kur marr lojtar të rinj, jo të luajnë se janë të rinj por që e meritojnë. Në Rrogozhinë, me atë lojë nuk kishim shanse të kthenim rezultatin. Futa një lojtar të ri, ja ku ishte fusha. Nuk i vlerësoj lojtarët me ato minuta dhe atë gjendje psikologjike që ishte ekipi. Nuk jemi në stadin që të provojmë të rinjtë, do i jepet shansi të gjithëve të luajnë.

Tifozëria shkodrane e pret me padurim fitoren tre pikëshe ndaj Kastriotit për të marrë ngrohtësinë dhe besimin e një vazhdimësie pozitive.

Nuk është se fitorja në Tiranë na bëri të ulim përqëndrimin. Në momentin që tifozët shkodranë vijnë edhe jashtë, duan fitore, janë këto kërkesa. Këtë mentalitet dua edhe unë në skuadër. Tifozët nuk pranojnë as barazimin, vijnë që ne të jemi kampionë. Duhet t’i bëjmë tifozët që të paktën të thonë dhanë 100 përqind, jo si me Egnatian. Që nga minuta e 20 dhe në vijim, ekipi ishte i dorëzuar, ky është problemi im.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img