Monday, November 25, 2024

(Intervista) Simon Simoni, talenti lezhjan i portës që debutoi 15 vjeç si profesionist

Lexo

14 vjeç, 7 muaj e 9 ditë, kaq i janë dashur Simon Simonit për të shkelur në fushën e blertë si futbollist profesionist. Portieri shtatlartë e mbajti të paprekur portën e Shënkollit në fitoren kundër Ilirisë së Fushë-Krujës, ndërsa nga dhjetori i vitit 2018 kanë ndryshuar shumë gjëra për të riun.

Simon Simoni është pjesë e Shqipërisë U19 dhe tani luan në Abissnet Superiore me një klub legjendë si Dinamo. Ëndrrat i ka të mëdha, si çdo i ri, por ai nuk fluturon, është me këmbë në tokë edhe pse ende nuk i ka mbushur 18 vjeç. Në rubrikën “Talenti shqiptar” në fshf.org na tregon se si nisi gjithçka për të, arritjet, njerëzit që e mbështesin dhe ëndrrat e realizuara.

– Simon, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

– Futbolli ka qenë ëndrra ime që i vogël. Kisha shumë dëshirë për t’u bërë portier. Njeriu i parë që më ka shtyrë drejt sportit ishte vëllai im.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Unë qëndrova për një kohë të gjatë tek ekipi i Shënkollit. Personi që më ka ndihmuar, si nga ana profesionale po edhe në shumë gjëra të tjera deri tani, është vetë presidenti i moshave të Shënkollit, Kristian Xhidodaj. Ai më ka qëndruar shumë afër.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U17? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja debutuese?

– Besoj se për çdo lojtar është një ëndërr të marrësh një ftesë nga ekipi kombëtar i moshave. Edhe për mua ishte një ëndërr që mu bë realitet.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Kam zhvilluar shumë ndeshje që i vogël, në shumicën e rasteve edhe me moshë më të madhe se unë. Ka shumë raste që mund të veçoj, si fillim është ndeshja në finale të kampionatit me Shënkollin. Pastaj është ftesa nga Shqipëria U20, pjesëmarrja në kualifikueset e Kampionatit Europian me kombëtaren u19. Gjithashtu edhe kalimi në një klub të madh dhe legjendë, si Dinamo.

– Simon, keni provuar të luani në futbollin profesionist pa i mbushur 15 vjeç. Si e kujtoni debutimin tuaj në Kategorinë e Parë me Shënkollin?

– Është një ndjesi shumë e veçantë kur luan në një moshë të vogël. Ndeshja e parë me ekipin e Shënkollit ishte padyshim një ndeshje që më ndihmoi që të jem më i fortë në të ardhmen. Kuptova deri diku se si ishte të luash në Shqipëri. Nuk kisha frikë apo presion të ndeshjes, thjesht doja ta shijoja dhe të bëja më të mirën për ekipin.

– Si ndiheni që jeni kthyer në një portier titullar në Abissnet Superiore, kur ende nuk jeni as 18 vjeç?

– Ndihem shumë mirë që jam pjesë e Dinamos. Duhet t’i jem falënderues klubit, që më ka besuar dhe  kam marr shumë mbështetje. Ka shumë pak klube që besojnë te të rinjtë, për më tepër kur bëhet fjalë për një portier.

– Çfarë ju thonë bashkëmoshatarët e tu për këto arritje që keni bërë deri më tani?

– Disa nga bashkëmoshatarët e mi, që janë pjesë e ekipit, më kanë përkrahur dhe janë ndjerë shumë mirë që unë po luaj. Shpresoj që edhe ato të kontribuojnë sa më shpejt për ekipin.

– Cila është pritja që mund të veçoni më shumë nga ato që keni bërë deri tani?

-Pritjet që mund të veçoj deri tani janë ato përballë ekipit të Vllaznisë, në Abissnet Superiore.

– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull?

– Një lojtar shqiptar që çdo kush besoj se duhet ta marrë si shembull, është portieri i kombëtares, Etrit Berisha.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

– Synimi im për momentin është Dinamo. Shpresoj të jap më të mirën për ekipin, sa herë që ka nevojë. Synimi, besoj për çdo lojtar shqiptar, është të luaj për një ekip në Europë. Gjithashtu edhe për mua ky synim është.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img