Kukësi ka arritur të marrë një fitore me peshë të madhe në shtëpi përballë Partizanit me rezultatin 1-0. Pas takimit trajneri Hallaçi u shpreh për Oversport:
“Mendoj që kemi bërë një punë të mirë. Po mundohem të bëj maksimumin. Lojtarët meritojnë meritën më të madhe. Jam munduar të punoj shumë në mbrojtje sepse aty kam parë probleme. E kam përmendur dhe në javën që kaloi që skuadra ka një mbrojtje mjaft solide. Shpresoj që të vazhdojmë në këtë rrugë. Nuk dua që të luhet topi i gjatë. Dua të lëvizim sa më shpejt topin. Deri diku jam i kënaqur me futbollistët, mbi të gjitha me mesfushorët e qendrës. Në fundin e ndeshjes e tërhoqëm pak skuadrën sepse është normale. Kemi bërë një mbrojtje zonale mjaft të mirë.
Dhuratë nga Partizani? Duhet parë me çfarë kuptimi ka folur trajneri. E dinim që Partizani luan me 4 mesfushorë qendre. Skuadra ka bërë maksimumin. Qoftë në pjesën e parë, qoftë në pjesën e dytë. Kishim mundësi për ta mbyllur ndeshjen. E rëndësishme është që skuadra ka prodhuar lojë.
Skuadra nga fundi i ndeshjes u mbrojt mjaft mirë. Po i kërkoja skuadrës që mos të dilnim shumë në aventurë. Kjo fitore na ndihmon nga ana psikologjike. Hapin cilësor ende nuk e kemi bërë. Në këtë moment jemi të kënaqur me ndeshjen. Në krahun e majtë kishim më shumë vazhdimësi, duke ditur dhe cilësitë që ka Ndreca. Dragoshi nuk është në 100 përqindëshin e tij. Vjen ndeshja tjetër për një herë dhe dua të marrim maksimumin. Me skuadrën fola hapur dhe i thashë që na duhet kohë për hapin e madh. T’i marrim ndeshjet një e nga një.
Kupa? Vlerësimi është maksimal. Fola me Xhonson, Taipin dhe Lamçen. I thashë që duhet të presin të gjithë lojtarët. Do të rikthehen në ndeshjen e Kupës. Është objektiv dhe patjetër.
Penalltia e pretenduar? Në momentin e parë m’u duk 11-metërsh. E pashë disa herë. Dora është natyrale. Në një moment e ka hapur vetëm pak. Arbitri ka vepruar drejtë sepse dora nuk është e hapur”, tha ai.
Nga ana tjetër, Partizani kështu ka humbur shansin e mirë për të barazuar me pikë Tiranën kryesuese. Pas takimit trajneri Giovani Colella tha:
“Mendoj që jam i mërzitur sepse në pjesën e parë ia kemi dhuruar ne kundërshtarit. Kemi gabuar në vlerësimin që kishim. Gabimi që kam bërë ishte se rreshtova skuadrën si në ndeshjen e fundit. Sot nuk ishte i duhuri dhe mendoj se kam gabuar. Në pjesën e dytë është dëshmia se kam gabuar dhe më jep të drejtë.
Ndryshimet? Për momentin duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e mesjavës në Kupë me Vllazninë. T’i marrim ndeshjet një e nga një. Fillimisht te Vllaznia. Mendoj se nuk ishte faji i lojtarëve. Ne vinim nga dy rezultate shumë të mira. Lojtarët nuk duhet të mbajnë fare përgjegjësi për këtë.
Temperatura e skuadrës? Tani do të rimarrim veten në spital.
E përsëris edhe një herë. Ndeshjen e kisha përgatitur me disa skema që nuk na rezultuan efikase”, tha ai.