Wednesday, May 1, 2024

(Intervista) Vllaznia e femrave në Europë. Presidenti Matija: Kundërshtarët e fortë, por kam besim dhe shpresë që skuadra e jonë e kalon turin

Lexo

Me datë 20 gusht 2021, kampionia jonë e futbollit të femrave, Vllaznia e Shkodrës, luan ndeshjen e parë në kuadrin e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve të Europës. Falë koeficientit pozitiv që ka në ballafaqimet europiane, Vllaznia pati fatin të kualifikohet direkt pa ndeshje në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës. Tur ky, që e ka vendosur të ndeshet me fituesen e çiftit të turit të parë, Ferencvarosh- Czarni. Kur duhen edhe dhjetë ditë nga ballafaqimi në fjalë, presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia në futboll femra, Lazër Matija bëri një goditje të fortë në merkato duke veshur kuqezi plot shtatë futbolliste cilësore, të cilat vijnë nga kampionate elitare, si SHBA, Europa dhe Kosova. Prezantimet e tyre u bënë përmes një konference për shtyp, ku krahas blerjeve në fjalë, njëshi i klubit kuqeblu, foli edhe për kundërshtarët dhe objektivin e skuadrës, duke shprehur besimin e kalimit të turit. Më poshtë mund të njiheni me prononcimin e plotë të presidentit Lazër Matija.

Prezantimi

“Sot po bëjmë prezantimin, por ka ditë që janë afruar pranë ekipit lojtare nga vende të ndryshme, si përtej oqeanit, kryesisht nga Amerika. Mendoj që ekipi është formatuar mjaft mirë, gjatë kësaj periudhe është stërvitur mjaft mirë. Detyrimi ishte që të afrojmë lojtare cilësore që të përballojnë kompeticione si Champions League dhe njëkohësisht dhe kampionatet në vazhdim. Kemi afruar 7 lojtare pranë ekipit tonë. Janë 3 lojtare nga Kosova, si Qëndresa Krasniqi, Gresa Berisha, Lumbardha Misini. Janë këto 3 lojtare nga Kosova, të cilat shpresojmë që do t’i shërbejnë ekipit tonë. Po ashtu kemi afruar në ekip disa lojtare cilësore, kryesisht nga Amerika. Së fundmi kemi firmosur gjithashu me një lojtare kanadeze.Mendoj se ky është një numër i mjaftueshëm lojtaresh, të cilat do të përballojnë me sukses, si Champions League, ashtu edhe kampionatet. Mendoj që këto afrime janë shumë të rëndësishme, pasi skuadra kishte nevojë për përforcime. Niveli ku ne luajmë në Europë, e dimë që është nivel shumë i lartë. Ka vite që këto shtete e kanë zhvilluar futbollin e femrave. Ne kemi ecur jashtëzakonisht mirë. Mendoj që përvoja e këtyre vajzave dhe niveli në të cilin ato kanë luajtur, në kampionatet e tyre gjatë këtyre viteve, do t’i shërbejnë jashtëzakonisht mirë ekipit tonë, por si thashë dhe më parë, kryesorja është që është ruajtur grupi dhe është ruajtur boshti i ekipit tonë.”

Largimet

Nuk kemi asnjë largim nga ekipi. Kemi vetëm një sulmuese- Zylfije Bajramaj, e cila largohet për arsye familjare në Gjermani, por kryesorja është grupi dhe këto lojtare, nga përvoja dhe nga mosha, mendoj që do t’i shërbejnë jashtëzakonisht mirë ekipit tonë.”

Shorti

“Realisht, ne jemi njohur me shortin gjatë periudhës që u hodh. Janë dy ekipe shumë të mira, dy ekipe që përfaqësojnë shtetet e tyre në nivelin më të lartë në Europë. Ne i njohim jo në detaje, sepse nuk kemi patur ballafaqime me këto ekipe më parë, por duke ditur futbollin polak dhe hungarez, mendoj që janë në nivele shumë të mira, duke ditur dhe vitet që ato ushtrojnë këtë sport. Por gjithsesi ne gjatë kësaj periudhe jemi fokusuar më shumë tek përgatitja e ekipit tonë, sepse sado që t’i studiojmë ekipet, nëse nuk jemi ekip i mirë, nuk do të kishte vlerë, por ky ishte dhe problemi më i madh i joni, të formatojmë ekipin, të bëjmë një fazë përgatitore të mirë dhe të presim atë ndeshje, ku gjithsecila prej atyre skuadrave është e nivelit shumë të lartë. E dimë vështirësinë, janë ekipe elitare të futbollit të femrave. Por gjithsesi përvoja jonë ne na jep besimin dhe shpresën që ekipi do ta përballojë këtë me sukses dhe pretendojmë të kalojmë turin.”

Objektivi në Europë

“Patjetër që është sukses të luash në këto nivele, nivelet më të larta të futbollit në Europë, aq më tepër më futbollin e femrave, që ka pak vite që luhet në Shqipëri, prandaj është një privilegj por edhe një detyrim shumë i madh,sepse duhet të përfaqësosh me dinjitet, por tashmë Vllaznia nuk është një surprizë me çfarëdo rezultati që arrin në Europë, sepse tashmë ky ekip e ka treguar se mund të matet me çdo ekip në Europë.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img