Tërmet në kampin e Romës: është shkarkuar nga detyra e tij trajneri Jose Mourinho. Fatale për portugezin ka qenë humbja e fundit në kampionat në “San Siro” përballë Milanit.
“Roma njofton se Jose Mourinho dhe bashkëpunëtorët e tij teknikë do të largohen nga klubi. E falenderojmë trajnerin në emër të klubit të Romës për pasionin dhe impenjimin që ka pasur që kur u bashkua me verdhekuqtë. Do të ruajmë kujtime të mëdha nga drejtimi i tij, por mendojmë që për të mirën e klubit, është i nevojshëm një ndryshim i menjëhershëm. I urojmë më të mirën Joses në të ardhmen. Më vonë do të ketë njoftime në lidhje me drejtuesin e ri teknik të skuadrës”, shkruhet në njoftimin e klubit verdhekuq.
Mourinho u prezantua si trajner i Romës në maj të vitit 2021. Ai udhëhoqi skuadrën drejt fitimit të Conference League në Tiranë në 25 maj të vitit 2022 dhe në finalen e Europa League në Budapest sezonin e kaluar.
Trajneri portugez largohet nga kubi verdhekuq pas 138 ndeshjeve të drejtura, në të cilat ka arritur 68 fitore, 30 barazime dhe 40 humbje.