Friday, April 19, 2024

Futboll Femra-Tri javë nga fundi, Tirana e Vllaznia beteja në distancë

Lexo

Kampionati Kombëtar i futbollit për femra ka nisur sprintin final drejt finishit, ku do të përcaktohen edhe verdiktet e këtij edicioni futbollistik. Tanimë kanë mbetur edhe tre javë nga fundi i këtij sezoni, me ndeshjet e javës së 16-të që do të luhen të ndara në dy ditë. Këtë të shtunë do të zhvillohen dy prej takimeve, teksa tre ndeshjet e tjera të kësaj jave do të luhen ditën e diel.

Tirana do të udhëtojë drejt Lushnjes ditën e nesërme, një sfidë në dukje e lehtë për vajzat bardheblu, të cilat në këtë edicion futbollistik kanë qenë dhe vijojnë të jenë ndër pretendentet kryesore për vendin e parë në kampionat. Nga ana tjetër, për skuadrën e Lushnjes, ky është një sezon për t’u harruar. Ndeshja do të zhvillohet nesër në Lushnje në ora 12:00.

Në takimin tjetër të së shtunës, Skënderbeu do të presë në shtëpi Apoloninë e vendit të tretë. Fieraket shihen pa diskutim favorite në këtë takim të javës së 16-të, falë edhe formës së mirë që po kalojnë. Ndeshja është planifikuar të luhet në ora 15:00 në Korçë.

Ndeshjet e tjera do të zhvillohen ditën e diel. Pas  triumfit ndaj Laçit në transfertë, Partizani do të kërkojë tre pikët e radhës në shtëpi ndaj Kukësit. Takimi është programuar në ora 11:00 të dielën. Një sfidë mjaft interesante e javës së 16-të është edhe ajo mes Teutës dhe Laçit, ku të dyja skuadrave u intereson fitorja dhe jo ndarja e barabartë e pikëve. Ndeshja është planifikuar të luhet në Durrës, ditën e diel në ora 15:00.

Takimi i pestë dhe përmbyllës i javës së 16-të është ai mes Vllaznisë dhe Kinostudios, ku shkodranet do të kerkojnë pa dyshim fitoren për të qenë më afër titullit të dhjetë kampion të Shqipërisë, ndërsa Kinostudio, që ka bërë një edicion mjaft të mirë kërkon tre pikët dhe synon vendin e katërt në kampionat, që mbahet aktualisht nga Partizani. Ndeshja do të zhvillohet në Shkodër ditën e diel, në ora 16:00.

Ndeshjet e javës së 16-të:

E shtunë, KF Skënderbeu – Apolonia, ora 11:00

E shtunë, Lushnja – Tirana, ora 12:00

E diel, Partizani – Kukësi, ora 11:00

E diel, Teuta – Laçi, ora 15:00

E diel, Vllaznia – Kinostudio, ora 16:00

Renditja aktuale:

Vllaznia 45 pikë

Tirana 42 pikë

Apolonia 33 pikë

Partizani 25 pikë

Kinostudio 24 pikë

KF Laçi 16 pikë

KF Teuta 15 pikë

Skënderbeu 3 pikë

Kukësi 0 pikë

Lushnja 0 pikë

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img