Në Burrel ka festë! Skuadra e qytetit të tyre ka mposhtur sot kryesuesen e grupit A, Korabin e Peshkopisë duke e mundur me rezultatin e pastër 3 me 0. Rezultat ky që stopon ecurinë pozitive të dibranëve dhe ngjit Burrelin në vendin e parë të grupit A. Takimi Burreli-Korabi, që padyshim ishte çifti më i rëndësishëm i javës së 6 të kategorisë së parë të futbollit shqiptar u luajt pasditen e sotme në stadiumin “Liri Ballabani”. Sfidë kjo që u shndërrua në një festë për matjanët, pasi skuadra e tyre fitoi me meritë ndaj ekipit kryesues, Korabi. Merita kryesore për fitoren e sotme të Burrelit shkon për shkodranin Donat Toma, i cili me plotë mjeshtri arriti ta dërgojë topin tre herë në portën kundërshtare duke u konsideruar me të drejtë, “heroi i ndeshjes”.
Goli i parë i Tomës regjistrohet në minutën e 7-të, ndërkohë që në minutën e 40-të vjen goli i dytë, i cili për nga mënyra e realizimit, duke shmangur njëri pas tjetrit, 4-5 futbollistë kundërshtarë, është konsideruar me të drejtë ndër më të bukurit e këtij kampionati, por edhe më tej.
Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2 me 0 në favor të Burrelit, ndërkohë që 9 minuta nga starti i së dytës, vjen edhe goli i tretë për Burrelin, si dhe i treti personal për Tomën. Në shënimin e këtij goli, merita shkon edhe për shkodranin tjetër të Burrelit, Jasmin Rraboshta, i cili pas një aksioni model nga krahi i majtë kroson saktë tek bashkëqytetari i tij shkodran Toma duke i dhënë mundësi këtij të fundit të tund për të tretën herë rrjetën dibrane.
Minutat e mbetura, edhe pse pati raste në të dy portat respektive nuk prodhuan më gola duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej me fitoren e merituar të Burrelit me rezultain 3 me 0. Fitore kjo që padyshim ka brenda edhe meritën e trajnerit Samuel Nikaj, mjeshtrin e trajnimit të skuadrave të kategorive të para që luftojnë për ngjitjen në eliten e Superiores, mission që e ka marrë përsipër ta realizojë edhe me Burrelin.
Ndeshjet e tjera të kategorisë së parë për grupin A, lezhjanët e Besëlidhjes mundën Erzenin me gol të shënuar nga shkodrani Arsen Hajdari në minutën e 62-të, ndërkohë që Vora mundi Orikun me rezultatin 1 me 0, ku autor i golit është Gjinollari në minutën e 14-të.
Ndërkohë, në grupin B, Pogradeci fiton në transfertë me Lushnjën 3 me 0, autorë të golave ishin Dragoj 45′, Liçkollari 46′, Topllari 89′. Tomorri dhe Turbina e mbyllin në barazim 1 me 1 me golashënues Canka 75’ dhe Zaimi 89′.
Gaspër MARKU