Kategoria e parë e futbollit shqiptar, starti zyrtar i së cilës pritet të jetë javen e ardhshme këtë sezon të ri futbollistik vjen me një pamje krejt tjetër. Lufta sportive në mes ekipeve pretendente për t’u kualifikuar një kategori më lart, në atë Superioren parashikohet të jetë më e fortë se kurrë. Në grupin A të veriut, Beslidhja ku si zakonisht këto vitet e fundit ka vijuar të jetë pretendentja kryesore për vendin e parë dhe kualifikimin në Superiore, do të ketë një rivalitet jo të pakët me ekipet e tjera të grupit. Korabi që jo shumë larg e provoi Superioren, Erzeni apo edhe Vora do të vijojnë të kenë të njëjtin pretendim, por nga ana tjetër me pretendime serioze këtë sezon shfaqen edhe dy ekipe të tjera siç është ai i Burrelit i mirëorganizuar si asnjëherë tjetër me marrjen në drejtim të trajnerit me përvojë Samuel Nikaj, por kryesisht edhe Dinamo që me riorganizimin e grupeve është spostuar në grupin A. Ndonëse për momentin jo në nivelin e pretendenteve, aty janë edhe skuadra të tilla si Veleçiku, Oriku dhe Partizani B që pritet t’ia shtojnë edhe më shumë rivalitetin dhe bukurinë këtij grupi. Përgatitjet serioze, dhe sidomos ndeshjet miqësore ku në shumë raste kanë sfiduar edhe skuadra të Superiores e kanë treguar më së miri një gjë të tillë.
Mediatikisht, por edhe nga vete prononcimet që dalin nga kampi dinamovitë, blutë e traditave dhe historisë së futbollit shqiptar pozicionohen si favoritë kryesorë për t’u rikthyer aty ku e kanë vendin. Por nga ana tjetër, të njëjtin objektiv vazhdojnë të kenë lezhjanët, të cilët përpos një ecurie të sukseshme në Kupë ku eleminuan edhe Partizanin e madh, sezonin e kaluar vetem humbja në ndeshjen shtesë me Vllazninë ia privoi një gjë të tillë. Ndërkohë që ambicje po kaq të mëdha ka edhe Burreli, i cili krahas tekniku Nikaj ka marrë në gjirin e tij lojtarë lojtarë të spikatur dhe me përvojë të kategorisë Superiore.
Ndërkohë, lufta sportive dhe rivaliteti për një vend në Superiore pritet të jetë e pranishme edhe në grupin B kur kemi parasysh se skuadrave të njohura si Besa, Lushnja, Pogradeci, Elbasani, Tomorri, Egnatia, Turbina, i shtohen edhe Flamurtari dhe Luftëtari që zbriten nga Superliga sezonin e kaluar.