Kur duhen edhe tre javë për të përfundur kampionati, Vllaznia në futboll për femra ka siguruar në mënyrë matematikore titullin kampion për sezonin futbollistik 2020-2021. Kjo ka ndodhur në javën e 19-të, javë që në fakt është programuar të luhet në tre ditë, e shtunë, diele, e hënë, por ka mjaftuar të mësohen dy përballjet e së shtunës ku kanë luajtur skuadrat rivale dhe pretendente për titull, Vllaznia dhe Apolonia për të bërë menjëherë llogaritë përkatëse.
Skuadra kuqeblu ka bërë të sajen teksa ka mundur në fushën e saj Partizanin me rezultatin e thellë 11 me 0. Ndërkohë në anën tjetër, Apolonia, skuadra rivale e Vllaznisë ka pritur në shtëpi Tiranën AS dhe barazimi 1 me 1 ka ndikuar në krijimin e diferencës së Vllaznisë me 10 pikë duke e shpallur automatikisht kampione të Shqipërisë.
Pamvarësisht se zyrtarisht trofeu i titullit do të dorëzohet pas 3 javëve, në Shkodër ka nisur festa e titullit. Një gjë të tillë e njofton zyrtarisht KFF Vllaznia, i cili përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit, ka shkruar:
“KFF VLLAZNIA është shpallur zyrtarisht kampione për sezonin futbollistik 2020-2021 në mënyrë matematikore 3 javë para përfundimit të kampionatit.
Ky kurorëzim është i 8-ti radhazi dhe vajzat shkodrane nuk mund të na bënin krenare më shumë se kaq. Një falenderim i veçante shkon për stafin drejtues, stafin teknik, mjekësor dhe presidentin që janë pjesë e rëndësishme e suksesit të vazhdueshëm të KFF VLLAZNIA.
Falenderojmë Bashkinë e Shkodrës që ka përkrahur dhe mbëshetur në mënyrë të pakushtëzuar ekipin.
Tifozët me mbështetjen e tyre të zjarrtë kanë motivuar dhe përkrahur në mënyrë të padiskutueshme vajzat shkodrane në çdo ndeshje.
Rradhen e ka Kupa e Shqipërisë ku vajzat do na nderojnë përsëri. Gjithashtu iu urojmë suksese të mëtejshme KFF VLLAZNIA në sfiden e rradhës që i përket Champions League. Bravo vajzat kuqeblu !!! Urime dhe suksese të mëtejshme!”