Shoqata Sportive e Atletikës “Vllaznia”, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Atletikës, në kuadër të “Shkodra – Qyteti Europian i Sportit 2025”, organizon më datë 11 Tetor 2025 aktivitetin,”Kupa e Ikonave – Feti Dizdari”, në nderim të një prej figurave të shquara të atletikës shkodrane dhe shqiptare.
Ky është një aktivitet i hapur për pjesëmarrje dhe ftohen të marrin pjesë ekipe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe më gjerë. Eventi do të zhvillohet në Shkodër, pranë stadiumit “Loro Boriçi”, në zonën ku ndodhet edhe rruga që mban emrin “Feti Dizdari”.
Feti Dizdari është një nga figurat më emblematike të sportit shqiptar. Ish kampion i shumëfishtë kombëtar në distancat 200, 400 dhe 800 metra dhe përfaqësues i Shqipërisë në Ballkaniada të ndryshme, përfshirë ato në Stamboll, Beograd dhe Tiranë, ndërkohë që më vonë si trajner ka lënë gjurmë të thella në historinë e atletikës shqiptare duke e shpallur Vllazninë e femrave 15 vjet rresht kampion i vendit.
Ndonëse përballoi vështirësi të shumta politike dhe burgosje të padrejta, ai rikthehet në sport dhe, përmes punës së palodhur, themelon një ndër ekipet më të suksesshme të atletikës për femra në Shqipëri.
Mes brezave të shumtë kampion ndër vite, Feti Dizdari ka formuar breza atletësh të shquar si: Sebije Keraj, Adile Dani, Myzejen Duli, Shaqe Nika, Mimoza Meta, Lula Ndoja, Luke Zefi, Sofie Krepi, Nezhmije Bilali, Shpresa Osmani, etj.
Bazuar në kalendarin e aktiviteteve të programuara nga Shoqata Sportive e Atletikës “Vllaznia” në nderim të figurave të atletikës shkodrane, javën e ardhshme po në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës është rezervuar një tjetër aktivitet për tjetër figurë që i ka dhënë shumë atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare. Bëhet fjalë për profesor Vildan Tufin, figurë e ndritur e sportit dhe edukimit, një emër që i ka dhënë lavdi qytetit të Shkodrës dhe Shqipërisë. Një emër historik dhe triumfues në atletikën shkodrane dhe shqiptare , fitues medaljesh dhe titujsh kombëtarë e ndërkombëtarë, veçmas si trajner i sportistëve të tij elitarë.



