“Trajneri Skënder Gega ka lënë sot spitalin! Duke parë ecurinë pozitive, efektin dhe rezultatet pozitive të terapisë, doktorët kanë dalë në konkluzion dhe falë progresit pozitiv që ka qenë shumë i shpejtë duke rregulluar të gjitha parametrat, është lejuar të fluturojë drejt Tiranës. Gega mbërrin sot në Rinas në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe shumë shpejt do t’i bashkohet ekipit. Gega u kurua në BHT Clinic dhe doktori specialist që e ndoqi me shumë përkushtim ishte shqiptari Gersi Alisha. Në emër të klubit të Kukësit e falënderojmë. Ëelcome back Gega.”.
Ky është mesazhi zyrtar që Futboll Klub Kukësi shpërdau për publikun duke përcjellë kështu lajmin e mirë të përmirësimit të shëndetit për trajnerin e tyre Skendër Gega.
Një lajm i tillë natyrisht që është mjaft pozitiv edhe për vetë Klubin e Kukësit, të cilit prej disa ditësh i mungoi trajneri i tyre i parë. Gjatë kohës së kurimit të Gegës, skuadrën e udhëhoqi kolegu më i afërt, zv.trajneri Rrahman Hallaçim, që në fakt e kreu më së miri detyrën, pasi nën drejtimin e tij, skuadra mori dy fitore të rëndësishme ndaj Laçit dhe Vllaznisë.
Kujtojmë që ish futbollisti i Partizanit dhe kombëtares së Shqipërisë, dhe në vazhdim trajner me kombëtaren U-21, Partizanin që e shpalli kampion, dhe sot në drejtimin e Kukësit, u kurua prej disa ditësh në Turqi për shkak të komplikemeve që i shkaktoi koronavirusi.
Përmirësimin e shëndetit të trajnerit Skendër Gega e ka përshëndetur edhe Liga Profesioniste e futbollit shqiptar, e cila në deklaratën zyrtare të shpërndarë për mediat, shprehet:
“Trajneri i Kukësit Skënder Gega ka lënë sot trajtimin intensiv dhe spitalin ku po kurohej në Turqi. Një tjetër betejë e fituar e trajnerit kampion që disa ditë më parë u largua me urgjencë nga Shqipëria për shkak të situatës së rënduar shëndetësore prej Covid 19. Liga Profesioniste si dhe i gjithë komuniteti i Futbollit mirëpresin kthimin e Gegës sot në Tiranë dhe rikthimin e afërt në pankinën e Kukësit.”