Realisht, sezoni i sivjetëm futbollistik për kategorinë e parë nuk ka shkuar aspak mirë për futbollin lezhjan. Nga një ekip me pretendime serioze për kualifikimin në Superligë, ekipi i Besëlidhjes aktualisht është i fundit në tabelën e klasifikimit me vetëm 10 pikë duke rrezikuar seriozisht rënien në kategorinë e dytë.
Situata në fjalë duket se ka shqetësuar jo pak institucionin e Bashkisë Lezhë, i cili ka vendosur që t’i akordojë ekipit të futbollit mbështetje financiare në mënyrë që situata e pozitës së klasifikimit të përmirësohet në ditët në vazhdim.
Ka qënë vetë kryebashkiaku lezhjan Pjerin Ndreu, i cili është takuar me skuadrën e futbollit, ku krahas lajmit për mbështetjen financiare ka bërë të ditur edhe projektin ambicioz që në harkun kohor të tre viteve, Besëlidhja e Lezhës të ngjitet në kategorinë Superiore.
“Për të rritur rezultatet në ekipin e futbollit “Besëlidhja”, që aktualisht renditet nga fundi i kategorisë së parë, dhe për ta rradhitur atë me arritjet në sportet e tjera, kryetari i Bashkisë zoti Pjerin Ndreu zhvilloi një takim me futbollistët e ekipit dhe gjithë stafin e tyre drejtues. Kjo mbështetje financiare do rrisë cilësinë e futbollit lezhjan, me pritshmëri pozitive nga ekipi i “Besëlidhjes”, për një projekt serioz që synon Superligen.”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë Lezhë.
Takimi në fjalë është realizuar në ambientet e Stadiumit “Besëlidhja” në praninë e të gjithë ekipit të futbollit lezhjan, së bashku me presidentin e ri Xhulio Ndoka, trajnerin korçar Nikolin Çoçlli dhe gjithë stafin dhe lojtarët e ekipit.
Ndërkohë, përpos lajmeve pozitive për mbështetjen financiare dhe projektin ambicioz të rikthimit në Superligë të Besëlidhjes, ajo që mbetet shqetësuese ka të bëjë me fatin e stadiumit “Besëlidhja”, për të cilin drejtuesit e Bashkisë kanë deklaruar se do ta shembin në këmbin të zbatimit të një projekti në shërbim të komunitetit lezhjan. Nga ana tjetër, është thënë se stadiumi i ri do të ndërtohet në një zonë tjetër të qytetit të Lezhës, por pa bërë të ditur se ku do ta vazhdojë akvititetin e tij ekipi aktual i futbollit për periudhën në vazhdim.