Monday, May 20, 2024

Liga e Konferencës, sot: Partizani-Saburtalo në “Air Albania” dhe Iskra-Laçi në Podgoricë. Trajnerët Mehmeti dhe Duro, optimist për kualifikim

Lexo

Dy skuadrat e kampionatit shqiptar të kategorisë Superiore, Partizani dhe Laçi luajnë ndeshjet e dyta të Ligës së Konferencës. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Dritan Mehmeti luajnë në “Air Albania” të Tiranës duke filluar nga ora 20:00, ndërkohë që një orë më vonë në Podgoricë të Malit të Zi, laçjanët e teknikut Shpëtim Duro përballen me vendasit e Iskrës. Bazuar në fitoren e ndeshjes së parë në transfertë, më i favorizuar duket Partizani, por në të njëjtën kohë, edhe pse kanë barazuar në shtëpi ndeshjen e parë 0-0, optimist për fitore është edhe Laçi. Ja prononcimet e trajnerëve, respektivë, Dritan Mehmeti dhe Shpëtim Duro, përpara ndeshjeve të sotme.

Dritan Mehmeti(Trajner i Partizanit)  

“Mendoj se çdo ndeshje ka shkallën e vështirësisë së saj dhe mendoj se normalisht nga një ndeshje te tjetra ka historinë e tyre ndaj duhet të jemi të përgjegjshëm për vështirësinë që ka kjo ndeshje. Duhet të harrojmë çfarë kemi bërë në Gjeorgji dhe të japim maksimumin në 90 minuta nesër, të vlerësojmë si dhe sa duhet kundërshtarët, të mos mendojmë çfarë kemi bërë por të interpretojmë siç duhet 90 minutat. I kam shprehur gjithmonë problemet që kemi para portës, jo vetëm në ndeshjen me Saburtalos, edhe në kampionat kemi shfaqur probleme të tilla. Vija e parë, përveçse janë cilësorë, por janë edhe me moshë të re dhe në aspektin e sinkronizimit edhe në mënyrën si e interpretojnë, aty bëhet diferenca. Duhet të jenë të kujdesshëm si interpretojnë 20 metrat e fundit. Pozitive është që gjithë elementët që kemi, veprimet nuk i bëjnë se janë egoistë, por ndoshta duke u rritur, duhet të rriten edhe nga ana profesionale. Diferenca bëhet në këto detaje kur ti di të shërbesh apo përfundon vetë aksionin drejt finalizimit. Mendoj se duhet të kemi parasysh që e njohim kundërshtarin por edhe ai na njeh. Saburtalo ka elementë të saj shumë të mirë, ka lojtarë cilësorë dhe e kam shprehur se ekipi punon shumë mirë me akademinë dhe të rinjtë. Ka edhe lojtarë që luajnë me Kombëtaren A dhe Shpresa dhe jemi koshientë që kanë vlerat e tyre, por edhe ne kemi vlera si skuadër dhe mendoj se do të jetë një ndeshje me ritëm.

E dimë që sot do të bëjmë maksimumin që sidomos në aspektin psikologjik skuadra ta interpretojë siç duhet se luhet para tifozerisë tonë dhe janë një shtysë e madhe. Do ti kërkojmë skuadrës të mos kalojë në entuziazmin e tifozerisë, të jetë me këmbë në tokë dhe të interpretojë drejt çdo situatë. Sa i përket mënyrës që interpretuam lojën, shënuam dhe ishte mënyra se si duhej të shkonim drejt golit, ia arritëm, patëm 2-3 momente për të rrezikuar para se kundërshtari të na vinte në pozitë të vështirë. Nuk ka trajner që do që skuadra të rrijë në fund e tërhequr poshtë, por kjo vjen edhe nga vetë lojtarët që kur nuk shënojnë, vendosen duke menduar të sigurojnë një rezultat që kanë. I kam kërkuar skuadrës të ketë besim te sigurimi dhe mbajtja e topit. Por në fund ishte edhe se skuadra kundërshtare është në kampionat dhe është ndryshe nga ne sa i përket formës fizike. Janë shumë faktorë që ndikojnë në minutat e fundit, shpresojmë që nesër të jemi më mirë në minutat e fundit.

Penalltitë? Ne trajnerët duhet të përgatitemi për gjithçka dhe duhet patjetër që të kemi parasysh që duhet të kesh besim te vetja dhe lojtarët janë profesionistë dhe kuptojnë gjithçka. Pavarësisht se në një ndeshje me vajtje-ardhje duhet të përgatitesh, nuk do të thotë që do shkojmë me penallti. Ne do të përgatitemi të japim gjithçka në 90 minuta, por pastaj për çdo të papritur, nuk ia lëmë asgjë spontanitetit. Për të gjithë faktorët, siç stërvitemi ne, stërvitet edhe kundërshtari.”

Shpëtim Duro(Trajner i Laçit)

“Patjetër që e njohim shumë mirë kundërshtarin, paçka se ndeshja e parë nuk shkoi ashtu siç e kishim parashikuar ne. Sigurisht, jemi një moment që edhe Iskra e njeh Laçin më mirë si skuadër. Peng më ka mbetur që nuk e fituam dot ndeshjen e parë, pasi do të ishte shumë pozitive për të shkuar në Mal të Zi më të qetë. E vërteta është që kemi luajtur me katër sulmues ndaj Iskrës. Natyrisht Guindo është sulmues i parë, por që luan edhe si sulmues i dytë. Nuk arritëm të shënonim, pavarësisht rasteve që krijuam. Megjithatë, nuk është e thënë se ke futur shumë sulmues në fushë dhe medoemos do të shënosh. E rëndësishme është rendimenti dhe se si alternohen këta lojtarë në fushë për të dalë përpara portës.

Çdo ndeshje ka karakteristika e veta. Tashmë ky takim i kthimit do të ketë një tjetër interpretim, pasi luajmë në transfertë. Në letër jemi ne favoritë, por në futboll duhet të vlerësosh çdo kundërshtar. Të gjithë dinë të luajnë mirë futboll në kohën e sotme. Cilësitë që kemi si ekip duhet t’i shprehim në fushë për të kaluar këtë tur. Nuk mendoj aspak se lojtarët dhe ne si staf e kemi marrë të lehtë ndaj Iskrës. Ai takim na u bë i vështirë për mënyrën se si luante ekipi malazez. Sigurisht, rastet për shënim i patëm, por nuk ditëm t’i konkretizonim. Skuadra është e plotë ashtu si në takimin e parë në Elbasan.

Në këtë moment nuk mendojmë fare për ndonjë afrim, pasi fokusi është 100% te ndeshja e kthimit me Iskrën. Është e rëndësishme shumë që të kualifikohemi. Duhet të jemi të përqendruar maksimalisht në fushë. Patjetër që kemi besim. Megjithatë, siç e theksova edhe më lart, këtë besim dhe cilësi që kemi në skuadër, duhet ta shprehim në fushën e lojës. Lojtarët duhet të interpretojnë sa më mirë atë që u kam kërkuar dhe, mbi të gjitha, të kenë një përkushtim më të madh se në ndeshjen e parë.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img