Dinamo e Batumit do të jetë rivalja e parë e Tiranës në Ligën e Konferencës. Skuadra nga Gjeorgjia, e cila drejtohet nga Gia Geguchadze, në vitet e fundit mori famë për transferimin e
Khvicha Kvaratskhelia-s drejt Napolit për plot 11.5 milionë euro. Ekipi i Dinamos së Batumit është formuar më 30 nëntor të 1923 dhe ndodhet shumë pranë Detit të Zi. Transferta do të jetë e lodhshme për të besuarit e Orges Shehit, të cilët nuk kanë në favor as faktorin fushë pasi do të duhet që të luajnë ndeshjen e kthimit në transfertë në impiantin “Adjarabet Arena” (20.000 vende).
Lojtari më i rrezikshëm për ekipin e Dinamos së Batumit është Moussa Konaté. Ish-sulmuesi i Dijon në Francë do të jetë rreziku numër një për mbrojtjen e Tiranës, e cila gjatë verës ka pësuar disa ndryshime si pasojë e disa largimeve. Ekipi i Dinamos ka plot 8 lojtarë të huaj ndërsa mosha mesatare e të gjithë skuadrës është 26.8 vjeç.