Me gjithë respektin për drejtuesit e FSHF, pas asaj që ndodhi në ndeshjen Elbasani-Vllaznia, janë disa pyetje që nuk mund të mbeten pa përgjigje.
Në cilën pikë të rregullores së FSHF-së parashikohet që në një stadium të dënuar mund të lejohet një numër i pakufizuar tifozësh? Nëse ekziston një rregull i tillë, atëherë ai duhet të bëhet publik dhe të shpjegohet qartë. Nëse nuk ekziston, atëherë kush mban përgjegjësi për zbatimin e rregullores?
Pse për një ndeshje të një rëndësie kaq të madhe, caktohet një arbitër si Dorjan Maletaj?
Cilat janë kriteret mbi të cilat bëhet delegimi i gjyqtarëve për ndeshje të tilla? Kush merr përgjegjësi nëse një caktim i tillë rezulton problematik?
Dhe më pas vjen episodi që ka sjellë më shumë diskutime: goli i parë i anuluar për pozicion jashtë loje.
Këtu pyetja është shumë konkrete:
Në cilën pikë të nenit 11 është mbështetur vendimi për anulimin e golit?
Neni 11 parashikon qartë se një lojtar në pozicion jashtë loje ndëshkohet kur përfshihet aktivisht në lojë, ndër të tjera duke luajtur ose prekur topin, duke ndikuar te kundërshtari apo duke penguar qartë vijën e shikimit të portierit.
Prandaj, nëse vendimi është marrë për një nga këto arsye, atëherë duhet të thuhet qartë: cili lojtar ishte në pozicion jashtë loje, në cilin moment, çfarë ndikimi pati në aksion dhe cili nen i rregullores u aplikua?
Nuk kërkohet asgjë më shumë sesa transparencë dhe shpjegim teknik.
Dhe pyetja e fundit është ndoshta më e rëndësishmja:
Për shkeljet e mundshme të rregulloreve të FSHF-së, a mban dikush përgjegjësi?
Sepse, nëse rregullat janë të detyrueshme për klubet, lojtarët, trajnerët dhe tifozët, ato duhet të jenë të detyrueshme edhe për strukturat që i zbatojnë dhe i administrojnë.
Nuk mund të kemi standarde të ndryshme. Nuk mund të kërkohet respektimi i rregullave vetëm nga klubet, ndërkohë që kur lindin pikëpyetje mbi zbatimin e tyre nga instancat përkatëse, gjithçka kalon në heshtje.
Apo vetëm kur preken instancat, atëherë fillohet të flitet?
Nëse nuk ka shkelje, le të jepet shpjegimi dhe çështja të mbyllet. Nëse ka shkelje, atëherë duhet të ketë përgjegjësi.
Sepse futbolli nuk mund të funksionojë me heshtje, me standarde të dyfishta dhe me vendime që nuk shpjegohen.
Klubet kërkojnë vetëm një gjë, të njëjtat rregulla për të gjithë.
Fatos LAMAJ


