Etapë e re në karrierën e Enis Çokaj. Mesfushori ka zgjedhur të rikthehet në Kroaci, aty ku shkëlqeu dhe u përfshi në kombëtaren shqiptare. Osijek është skuadra ku do të aktivizohet 24-vjeçari në pjesën e dytë të sezonit.
Çokaj kalon në Kroaci me formulën e huazimit me të drejtë blerje nga Panathinaikos, me synimin për të marrë minutat e nevojshme dhe për të qenë në mesin e alternativave të trajnerit Sylvinho në Euro2024.
Shpesh Çokaj ka bërë pjesë në listën e të zgjedhurve të teknikut brazilian, por tek Panathinaikos nuk kishte ritmin e duhur për të humbur kështu edhe ftesën tek kuqezinjtë. Mesfushori shqiptar veshi fanellën e Lokomotivës së Zagrebit nga vera e vitit 2019 deri në verën e vitit 2022, ku më pas kaloi në Greqi.
Çokaj menjëherë është vënë nën urdhrat e trajnerit Zoran Zekiç, edhe ky një emër i njohur për tifozët shqiptarë. Në të shkuarën kroati ka drejtuar për pak muaj Partizanin, me Osijek që pagoi për kartonin e tij në arkat e klubit kryeqytetas.