Aleksandër Trumçi, do të jetë përforcimi i radhës i Shkëndijës së Tetovës. Lajmi në fjalë përcillet për Veriu Sport, nga kolegu ynë, gazetari i njohur sportiv në Maqedoninë e Veriut, Reshat Ibrahimi, editor i portalit Open-TV.
Sipas tij, burimet pranë klubit tetovar, bëjnë të ditur se drejtuesit e klubit janë në bisedime e sipër me shkodranin, Trumçi, një futbollist ky që është rritur tek KF Shkodra duke filluar që nga mosha 10 vjeçare, më pas ka luajtur për një sezon me Veleçikun e Koplikut, për t’u zhvendosur më pas tek Bylis i Ballshit, ku prej tre sezonesh është edhe kapiten i kësaj skuadre të Superiores si dhe të kategorisë së parë.
Trumçi mbulon repartin defensiv, e sidomos pozitën e mbrojtësit të djathtë. Ai është i lindur në Shkodër me 31 dhjetor të vitit 2000. Njoftim zyrtar nga klubi ende nuk ka, por pritet të ndodh shumë shpejtë.
Nëse arrihet të zyrtarizohet marrëveshja në fjalë, atëherë Trumçi gjen në skuadër edhe bashkëqytetarin e tij, sulmuesin e njohur, Erald Çinari.