Shqipëri U16-Mali i Zi U16 0-2
Formacioni i Shqipërisë: Davide Avdullari, Enea Elmazi, Rinaldo Nela, Jetmir Laze, Matias Gici, Jurgen Peci, Fabiano Mavriqi, Etem Xhemali, Leon Misja, Alex Bezati, Tedi Malaj. Trajner: Agron Kërçova
Kombëtarja shqiptare U-16 zhvilloi këtë të premte ndeshjen e dytë miqësore të planifikuar kundër Malit të Zi, e zhvilluar në stadiumin ‘Reshit Rusi’ në Shkodër. Kuqezinjtë e drejtuar nga tekniku Agron Kërçova, ndryshe nga takimi i parë ku fituan me rezultatin 1-0, sot u mundën nga fqinjët malazezë me shifrat 2-0.
Trajneri Kërçova e nisi ndeshjen me shumë pak ndryshime në formacion: Davide Avdullari, Enea Elmazi, Rinaldo Nela, Jetmir Laze, Matias Gici, Jurgen Peci, Fabiano Mavriqi, Etem Xhemali, Leon Misja, Alex Bezati, Tedi Malaj.
Miqtë kaluan të parët në avantazh, që në minutën e pestë të takimit me Luka Kruscic. Goli i epërsisë demoralizoi kuqezinjtë, pavarësisht se krijuan disa raste për mjaft të mira për të shënuar. Pjesa e parë u mbyll në avantazhin e malazezëve, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Kërçova bëri disa zëvendësime, duke hedhur në fushë autorin e golit në takimin e parë, Xheto Joi Nuredinin dhe Ibrahim Ratën, e duke nxjerrë nga loja Jurgen Pecin dhe Alex Bezatin.
Kuqezinjtë prodhojnë disa mundësi mjaft të mira për të barazuar rezultatin, por nuk ia dalin të finalizojnë dot. Në minutën e 60-të, trajneri kuqezi bën edhe një zëvendësim tjetër, duke nxjerrë nga loja Matias Gicin, e në vend të tij futet Ruendi Zaqellarin.
Pesë minuta më vonë, malazezët dyfishojnë shifrat dhe vulosin rezultatin. Ka minuta edhe për dy zëvendësime të tjera nga trajneri Kërçova, i cili fut në lojë Samuel Xhafkollarin dhe Filippo Qendro të cilët zëvendësojnë Enea Elmazin dhe Tedi Malajn.
Pavarësisht përpjekjeve të kuqezinjve për të ndryshuar rezultatin, fqinjët arrijnë ta menaxhojnë mjaft mirë këtë takim, duke e fituar ndeshjen me rezultatin final 2-0. Megjithatë, pavarësisht rezultatit të sotëm, këto dy takime ishin shumë të vlefshëm për Shqipërinë U-16 dhe trajnerin Kërçova, duke pasur parasysh se grupi kuqezi i grumbulluar për këto dy sfida ishte i përbërë nga futbollistë të ftuar rishtaz në ekipin U-16.
Miqësoret kundër Malit të Zi ishin një provë mjaft e mirë për ekipin shqiptar me disa elementë vërtetë të talentuar, 10 prej të cilëve aktivizohen në kampionatet e huaja ndërsa pjesa tjetër luajnë në kampionatin shqiptar.